Nga Blendi Gashi
Nga politika e tek sporti këtë javë ka pasur zhvillime interesante në Kosovë. Si zakonisht e para i ofroi opinionit përplasje e dëshpërim, kurse i dyti solli krenari.
Politikanët edhe këtë javë që po lemë pas u shtynë mes vete për të marrë merita, qoftë për të bërë unifikuesin, siç thonë për shtetndërtim (kujtojmë tryezën e organizuar me partitë nga LDK dhe Platformën e Kadri Veselit me pika të njëjta, të arrihet kompromis për temat e mëdha që e presin vendin si: ushtria, si të ecet në fazën finale me bisedimet me Serbinë ) por edhe kush është më patriot (kujt i bën më shumë për dëshmorët, çka matet me shkuarjen apo jo për të bërë homazhe).
Ashtu siç pritej. ulja në një tryezë e përfaqësuesve të partive (jo kryetarëve) nuk solli kurrfarë rezultati pasi opozita do zgjedhje të reja e mazhoranca jo.
Por dëshpërimi i kësaj jave në politikën kosovare nuk është ky. Janë një numër i madh i deputetëve që u përkujdesën të dëshpërojnë qytetarët pasi me mungesën në seancën ku u diskutua për të pagjeturit pamundësuan miratimin e rezolutës (nuk kishte kuorum për vendimmarrje).
Këtu nuk duhet harruar edhe kabinetin qeveritar i cili “bojkoti” tërësisht debatin për të pagjeturit, çka deputetë të caktuar e quajtën turp mungesën e ministrave.
Një ngjarje tjetër që duhet veçuar që ngjalli reagim gjatë kësaj jave është dhe lajmi se presidenti Thaçi liroi dhëndrin që vrau vajzën e tij, çka ngjalli reagimin e rrjetit të grave të Kosovës.
Ndërsa nuk munguan edhe përplasjet e përfaqësuesve të partive se kush duhet të udhëheq me dialogun me Serbinë, (LDK e NISMA nuk e duan Thaçin, e para thotë duhet të udhëheq qeveria, e dyta preferon Fatmir Limajn (zv.kryeministër), kurse PDK insiston që ish-kreu i saj, tani presidenti duhet të jetë “bajraktari”).
Xhudoja, ambasadori më i mirë i vendit…
Ndërsa politika po dështon të heq vizat e të sjellë njohje të reja, në vend të cilave po ofron përplasje e përçarje, është sporti që megjithatë i dha një buzëqeshje qytetarëve në javën e fundit të prillit, konkretisht xhudoja që po vazhdon të jetë ambasadori më i mirë në arenën ndërkombëtare.
Xhudistët kosovarë dhe trajneri u tyre Driton Kuka pushtuan Evropën.
Xhudistja Nora Gjakova u shpall kampione e Evropës në kategorinë deri në 57 kilogramë, në Evropianin që po mbahet në Tel Aviv, pasi në finale mposhti gjermanen Theresa Stoll, duke bërë që flamuri i Kosovës të ngrihet më së larti nga shtetet tjera pjesëmarrëse.
Medalje fitoi edhe xhudistja Distria Krasniqi e cila në kategorinë deri 52 kilogramë mori të argjendtën.
Pra këtë javë sporti (xhudo) mundi politikën. /tesheshi.com/