Jared Kushner, dhëndëri i presidentit Trump dhe këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, ka ndërmarrë një udhëtim në Lindjen e Mesme, ku pritet të paraqesë pjesën ekonomike të planit për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve.
Kushner u largua nga SHBA të shtunën në mbrëmje dhe u nis në një turne drejt pesë vendeve, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.
I shoqëruar nga i dërguari amerikan në Lindjen e Mesme Jason Greenblatt dhe i dërguari për Iranin Brian Hook, Kushner ka në plan të vizitojë Omanin, Bahreinin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin.
Gjatë udhëtimit, i cili do të zgjasë një javë, një ekip nga Shtëpia e Bardhë do të testojë mbështetjen e vendeve arabe për pjesën ekonomike të planit Trump, në atë që prej këtij të fundit është emërtuar si “Marrëveshja e shekullit”.
Zyrtarët amerikanë do të informojnë gjithashtu diplomatët arabe në lidhje me përmbajtjen e pjesës politike të marrëveshjes, e cila mbulon të gjitha problemet e dekadave të konfliktit.
Palestinezët kanë refuzuar për të çuar përpara një plan të tillë dhe presidenti Mahmoud Abbas thotë se nuk do të negociojë me Shtetet e Bashkuara për shkak të vendimit të Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. /tesheshi.com/