Nga Bashkim Kastrati
Komunat që janë krijuar mbi bazën e pakos së Ahtisarit, apo me procesin e njohur të decentralizimit janë kryesisht komuna me shumicë serbe dhe që udhëhiqen nga kryetarë serbë të dalë pas zgjedhjeve të mbajtura në Kosovë, ani pse ka edhe raste të tilla kur një kryetar i një komunë në Kosovë është i zgjedhur edhe nga institucionet serbe dhe ato të Kosovës. Raste unike këto, që një kryetar mban dy kapele të shteteve dhe pritjet zyrtare i mban në zyre të ndryshme. Kjo është unike dhe ndodh në Komunën e Shtërpcës.
Zakonisht në komunat që udhëhiqen nga kryetarët serbë, vërehet një nivel i ulët i llogaridhënies në raport me institucionet e Kosovës. Këtë e tregojnë raportet e auditit.
Auditi ka gjetur parregullsi të shumta në Komunën e Ranillugut e cila udhëhiqet nga Gradimir Mikiç. Kryetari i Komunës së Ranillugut ka marrë në konsideratë dhe është pajtuar me gjetjet dhe konkluzionet e auditit në këtë raport, si dhe është zotuar se do t’i adresojë rekomandimet e dhëna.
Në këtë komunë janë gjetur se ishin kryer pagesa të parregullta në vlerë 21 mijë e 704 euro në llogari të donatorëve pa pranuar ndonjë situacion apo raport për punët e përfunduara.
Sipas raportit të auditit, ekziston një numër i dobësive të qeverisjes brenda komunës veçanërisht në lidhje me vendosjen e një sistemi funksional për menaxhimin e rrezikut dhe cilësinë e raportimit menaxherial. Lista kontrolluese e vetëvlerësimit, e plotësuar nga komuna e pasqyron këtë situatë vetëm pjesërisht, me disa komente pozitive mbi ekzistimin e aranzhimeve ekzistuese që nuk bazohen në dëshmi. Aranzhimet tjera të cilat do ta mbështesnin zhvillimin e qeverisjes, si përgjigjja efektive ndaj rekomandimeve të auditimit dhe operimi i një sistemi i auditimit të brendshëm të cilësisë së lartë, nuk janë të vendosura.
Nga shqyrtimi i pagesave për investime kapitale janë identifikuar që kontrollet menaxheriale nuk kanë funksionuar në mënyrë efektive për të parandaluar çështjet e mëposhtme: Me datën 09.11.2015 komuna i ka paguar operatorit shumën 15 mijë e 459 euro për situacionin e parë për shtruarje të trotuarit. Auditi ka gjetur se në dosjen e pagesës nuk ekziston ndonjë raport nga organi mbikëqyrës për kryerjen e punëve të paguara për këtë situacion. Ndërsa me datën 24.12.2015 komuna i ka paguar operatorit shumën 9 mijë e 421 euro për ndërtimin e ujësjellësit. Në këtë shumë ishte përfshirë edhe analiza e ujit të pijshëm në vlerë 200 euro, ndërsa është gjetur se operatori nuk kishte kryer fare këtë analizë.
“Pagesa e situacioneve pa raport të pranimit nga organi mbikëqyrës apo për pozicionet që nuk janë kryer nga operatorët, rezulton me pagesa të parregullta dhe humbje financiare për komunën. Për më tepër, dështimi për kryerjen e analizës së ujit të pijshëm mund të rezultojë me pasoja në shëndetin e qytetarëve”, thuhet në raportin e auditit.
E gjetura tjetër tregon se me 24.4.2015 komuna ka paguar 9 mijë e 493 euro për mirëmbajtje të rrugëve lokale. Në këtë faturë ishte përfshirë shërbimi (4,383€) vetëm për 5 ditë ndërsa 5,110€ ishin paguar për kujdestari të makinerisë për 111 ditë. Pozicioni i kujdestarisë ishte pjesë e kontratës, por pa specifikuar kohë-gjatësinë.
“Shpenzimi i shumicës së fondeve për kujdestari tregon një planifikim dhe menaxhim të dobët të kontratës për mirëmbajtje të rrugëve. Kjo rezulton me vlerë të dobët për paranë e paguar”, thekson auditi.
Asnjë dëshmi se janë kryer punët
Në qershor të vitit 2015, kryetari i Komunës së Ranillugut kishte lidhur marrëveshje për bashkëfinancim të projektit ‘’Ndërtimi i objektit kulturor’’ me donatorin ‘’Community Development Found’’. Bazuar në këtë marrëveshje, obligimi financiar i komunës ishte 16 mijë e 168 euro dhe kjo shumë ishte transferuar në llogari të donatorit ndërsa deri në fund të auditimit nuk ka pasur asnjë raport apo dëshmi për progresin e punëve nuk ishte pranuar.
Gjithashtu komuna ka paguar paraprakisht 18 mijë 969 euro në llogari të donatorit “Danish Refugee Council” për ndërtimin e rrugëve lokale. Kjo pagesë ishte bërë në bazë të marrëveshjes ndërmjet kryetarit dhe donatorit për bashkëfinancimin e këtij projekti në vlerë 35 mijë e 936 euro ku obligimi i komunës ishte 18 mijë e 969 euro. Ndërsa me 22.09.2015 ishte kryer një raport nga organi mbikëqyrës ku thuhet se punët janë kryer, por komuna nuk posedon një situacion ku specifikohen sasia dhe kostoja e punëve të kryera.
“Një paradhënie tjetër në shumë 5 mijë e 536 euro (aq sa ishte obligimi i komunës) në llogari të ‘Danish Refugee Council; ishte bërë nga komuna për projektin e ri-integrimit dhe stabilizimit të bashkësive në Kosovë. Kjo ishte bërë në bazë të marrëveshjes së komunës dhe donatorit për bashkëfinancim të projektit në vlerë 17 mijë e 420 euro. Komuna nuk posedon raporte për progresin e projektit. Për më tepër, ky nuk është projekt kapital dhe si i tillë paraqet mbivlerësim të shpenzimeve për investime kapitale”, thuhet ndër të tjera në raport.
Sipas Auditit, aplikimi i paradhënieve të tilla është në kundërshtim me Ligjin e Buxhetit Nr. 05/L-046 dhe Rregullën Financiare 01/2013 për shpenzimin e parasë publike. Pagesat në llogari të donatorëve të pambështetura në raporte për pranimin e shërbimeve/punëve, përveç që janë të parregullta, rrisin rrezikun që projektet të vonohen apo të mos realizohen fare. Këto së bashku me keq-klasifikimin e shpenzimeve, mund të jenë subjekt i modifikimit të opinionit të auditimit.
Shpenzime të shumta për udhëtime, nuk ka evidenca për aktivitetet që janë bërë
Auditi ka identifikuar disa dobësi domethënëse në shpenzimin e parasë publike për udhëtime jashtë vendit. Kjo ka ndodhur për shkak që komuna nuk ka zbatuar kërkesat ligjore dhe rregullat financiare për rastet në vijim:
Më datën 24.07.2015 nga buxheti për mallra dhe shërbime komuna kishte paguar 5 mijë e 995 euro për shpenzime për udhëtim dhe akomodim pesë ditor të klubit futbollistik ‘’Slloga’’ nga Ranillugu në Durrës të Shqipërisë. Përveç keq-klasifikimit të këtij shpenzimi, përfituesi nuk kishte sjellë ndonjë raport lidhur me aktivitetin e tyre në Durrës;
Ndërsa me datën 15.09.2015 komuna kishte paguar 2 mijë e 700 euro për udhëtim dhe akomodim tre ditor të 45 zyrtarëve dhe delegatëve komunal në Durrës. Udhëtimi duket të ketë qenë për rekreacion, ndërsa komuna nuk ishte në gjendje të ofrojë ndonjë agjendë apo qëllim për këtë udhëtim.
“Në sektorin e shëndetësisë kemi gjetur një punonjës që pranon pagën e një specialisti (634€) përderisa në dosjen e tyre nuk ka dëshmi për specializim”, është e gjetura e radhës.
Gjithashtu në shtator të vitit 2015 ishin punësuar tetë punëtorë të sigurimit në kuadër të drejtorisë së arsimit. Procedurat e rekrutimit ishin kryer pa njoftim dhe aprovim të Ministrisë së Administratës Publike. Sipas zyrtarëve komunal, sistemimi i tyre në kuadër të komunës ka ardhur si rezultat i mos pagesës së pagave të tyre nga kompania e kontraktuar e sigurimit.
Si pasojë e mos zbatimit të rregullores së brendshme dhe rregullave financiare për shpenzimin e parasë publike, auditi ka identifikuar dy pagesa për subvencione për të cilat përfituesit nuk kishin sjellë dëshmi të qarta dhe të nevojshme përshpenzimin e subvencioneve:
“Subvencioni, me vendim të Kryetarit, për një OJQ për projektin “Ngritja e kapaciteteve të këshillit të të rinjëve në Komunën e Ranillugut” në vlerë 1,000 euro dhe Subvencioni në shumë 3,500 euro për shoqatën sportive “Car Lazar” për organizimin e një aktiviteti sportiv. Ne nuk kemi gjetur se pas përfundimit të aktivitetit përfituesit kanë sjellë dëshmi për arsyetimin e shpenzimeve”, thuhet në raportin e auditit. /tesheshi.com/