Nga Bashkim Kastrati
Mjafton të bie shi për dy ditë me radhë dhe shumë qytete dhe fshatra të Kosovës pësojnë përmbytje, kanalizimet dalin jashtë funksionit, ndërkaq mbeturinat shëtisin nëpër qytete.
Në Kosovë pothuajse çdo vit ka përmbytje nga reshjet e shiut, dhe për pasojë shumë familjeve u dëmtohen shtëpitë, dyqanet dhe gjërat e tjera. Rastet e fundit të përmbytjeve ishin në komunën e Pejës, Gjakovës dhe disa lagje të Prishtinës. Në Gjakovë, si pasojë e vërshimeve humbi jetën edhe një i moshuar.
Ndërsa në mesin e muajit janar të këtij viti, pati përmbytje edhe në Komunën e Malishevës, Klinës, Gjakovës, Suharekës dhe Shtimes. Vetëm në Komunën e Malishevës dëmet e shkaktuara nga këto vërshime kapin shifrën prej një milionë euro.
Ndërkaq, shumë fshatra pësojnë nga përmbytjet, e shumë tjera rrezikohen nga përmbytjet dhe kjo ndodh për shkak të eksploatuesve ilegalë, të cilët i gërryejnë shtretërit e lumenjve për të nxjerrë zhavorr, ku si pasojë edhe ua ndërrojnë drejtimin lumenjve. Pasojat në fshatra janë gjithashtu të mëdha pasiqë përmbyten mijëra hektarë me kultura të ndryshme bujqësore dhe shkon huq puna e bërë nga fermerët.
Faji për përmbytjen e disa qyteteve iu atribuohet kanalizimeve të vjetra, por edhe kanalizimeve të reja, pasi që këto të fundit nuk janë ndërtuar siç duhet.
Pas këtyre përmbytjeve, banorët e prekur zakonisht marrin zotime nga krerët e shtetit se do tu ndihmohet për ta përballuar këtë situatë dhe do t’i kompensohen dëmet e shkaktuara.
Por duke marrë parasysh përvojën e viteve paraprake, pak mund të përfitojnë familjet e dëmtuara, pasi ka raste edhe nga përmbytjet e vitit të kaluar që familjeve nuk u janë kompensuar fare dëmet. Kjo ka ndodhur për faktin se komunat përkatëse nuk kanë mjete financiare për ta bërë këtë kompensim.
Pra, frika e parë qëndron tek fakti se kush e pëson nga vërshimet, vështirë se do t’i kompensohen dëmet dhe e tëra që bëhet në këso raste janë vizitat e krerëve të shtetit, “duke u shqetësuar” për situatën në terren dhe duke bërë zotime para mediave se dëmet materiale që iu u janë shkaktuar qytetarëve do të kompensohen. Por kur vije koha e kompensimeve, nuk është e mirëpritur trokitja nëpër dyert e institucioneve relevante. Çuditërisht në raste të tilla kemi edhe përzierje të kompetencave ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, dhe rrjedhimisht qytetari mbetet duke trokitur sa në atë derë, e sa në derën tjetër, por pa mundur që të përfitojë ndonjë dëmshpërblim.
Ndërsa frika e dytë qëndron tek fakti se qeveria ende nuk ka fond të emergjencave, ku do të përfshiheshin dëmet e natyrave të tilla, por edhe fatkeqësi të tjera, si zjarret, tërmetet, etj. Në këtë situatë qytetarët mbesin pa përkrahje adekuate dhe iu mbetet vetëm të lutën që ata të mos pësojnë nga vërshimet.
Pra kur rreziku i madh ka kaluar dhe nuk ka viktima në njerëz, dëmet e shkaktuara në vendet e prekura komunat nuk do të mund t’i mbulojnë me buxhetin vetanak, prandaj u duhet ndihma e Qeverisë së Kosovës. Mirëpo ekzekutivi nuk e ka krijuar ende një fond emergjent, i cili do të shfrytëzohej në raste të katastrofave, qoftë nga vërshimet.
Shikuar në aspektin ligjor, komunat janë ato që duhet të bëjnë vlerësimin e rreziqeve, dhe në rastet kur nuk mund t’ia dalin me resurset e veta, atëherë niveli qendror intervenon sipas planit të reagimit kombëtar. Pra, qeveria është e obliguar ta themelojë një fond emergjent për raste të tilla.
Aktualisht Kosova ka bërë një fond rezervë, që quhet Fondi i Rezervave Shtetërore, ku krijohen rezerva për gjëra elementare si miell, oriz e vaj, mirëpo nuk ka fond emergjent. Në rrethana të tilla të përmbytjeve, zakonisht qeveria e krijon një fond emergjent “ad hoc”, duke u bazuar në vlerësimin e dëmeve.
Kosova pa ligj për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme
Edhe pse janë miratuar ligje nga me të ndryshmet, Kosova ende nuk ka një ligj për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, e për t’u kompensuar dëmet duhet të formohet një fond emergjent që nuk e ka as Republika e Kosovës, e nuk a kanë as komunat.
Sipas Qendrës për Menaxhimin e Emergjencave, e cila funksionin në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është e domosdoshme krijimi i një komiteti të veçantë nëpër çdo komunë për të menaxhuar situata të vërshimeve.
Por aktualisht nëpër komuna fatkeqësisht me rastet e përmbytjeve merren dy ose tre zyrtarë komunalë që merren me menaxhimin e krizave.
Gjithashtu, komunat duhet të kenë Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, por çuditërisht një pjesë e madhe e komunave të Kosovës nuk e kanë fare këtë drejtori.
Qytetarëve që janë të frikësuar nga të gjitha ato që cekëm më lartë, iu mbetet që të lutën që të mos ketë reshje më të mëdha, pasi që infrastruktura aktuale nëpër qytete dhe gjendja e shtretërve të lumenjve nuk mund të përballojnë nivel të rritur të ujit dhe pasojat mund të jenë shumë të mëdha. /tesheshi.com/