Nga Bashkim Kastrati
Investimet e huaja direkte konsiderohen një nga mënyrat e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe hapjes së vendeve të punës. Por në këtë aspekt Kosova vazhdon të ketë bilance negative. Pra, interesimi i investitorëve të huaj vazhdon të bie nga viti në vit. Sipas ekonomistëve, ky është një lajm shumë i keq për zhvillimin ekonomik në përgjithësi, por edhe për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
E gjithë kjo po ndodh edhe pse Kosova konsiderohet me potenciale të mjaftueshme dhe atraktive për investitorët potencialë, por u mbetet institucioneve kompetente që të krijojnë një ambient të mirë për t’i tërhequr investitorët, e jo të bëjnë të kundërtën. Pra një ndër detyrat e para të qeverisë së ardhshme të Kosovës, mbetet përmirësimi i reformave dhe kushteve, si dhe eliminimi i barrierave aktuale, me të cilat përballen investitorët potencialë.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Investimet e huaja direkte në Kosovë vitin e kaluar kanë shënuar rënie për rreth 100 milionë euro, në krahasim me vitin 2015.
Sipas të dhënave të BQK-së, investimet ndërkombëtare të pranuara vitin e kaluar në Kosovë kanë arritur në 215.9 milionë euro, që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vitin 2015, kur investimet e huaja ishin 309.8 milionë euro.
Ngërçet politike kanë shkaktuar rënien e investimeve
Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka thënë për tesheshi.com se është shqetësues fakti që Kosova nga viti 2014 të ketë rënie të investimeve të huaja dhe se kjo rënie e investimeve të huaja direkte, ka një adresë ngërçet politike si në vitin 2014, ashtu edhe këtë vit.
Ai thotë se edhe qeveria e sapozgjedhur, po fillon punën tre muaj pas përfundimit të zgjedhjeve dhe sipas tij, që të gjitha këto situata të pafavorshme e dëmtojnë ekonominë duke dhënë një imazh dhe një mesazh që në Kosovë nuk ka hapësirë të të bërit biznes.
“Këto kriza të krijuara nga subjektet politike në Kosovë me ose pavetëdije kanë bërë që Kosova të ketë rënie të investime të huaja dhe kjo ka shkaktuar efektin domino në të gjitha akterët e zhvillimit të vendit, por në radhë të parë humbjen e besimit tek investitorët e huaj, ku rezultoi edhe me rënie të investimeve nga viti në vit”, thotë Kadriaj.
Ai thotë se shqetësimi është edhe më i madh pasi që edhe kjo qeveri po e merr mandatin me më shumë probleme, si politike ashtu dhe ekonomike. Në këtë situatë, Kadiraj mendo se kryeministri Haradinaj i ka duart e lidhura për të bërë reforma politike dhe ekonomike, sepse sipas tij, “Lista Serbe” do ta shantazhojë për çdo hap politik.
“Po ashtu edhe AKR-ja do ta shantazhojë edhe nëse nuk punojnë ministrat nga radhët e AKR-së, sepse vetëm lideri i AKR-se do të jetë ai që vendosë për ministrat nga AKR. Pra këto dy grupacione politike janë si faktorë që të krijojnë friken që përformanca e kësaj qeverie nuk do të jetë kënaqshme edhe sa i përket zhvillimit ekonomik”, theksoi Kadriaj.
Ai thotë se për të krijuar një atmosferë të mirë që të joshen investitorët e huaj për investime të huaja në Kosovë do të duhej që Qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse të krijojnë një besim përmes sigurisë ligjore, taksa dhe tatime të favorshme si dhe infrastrukture funksionale të të bërit biznes, që edhe në këto dikastere për fatin jo të mirë do të udhëhiqen nga “Lista Serbe” dhe AKR dhe ministrat që vijnë nga këto grupacione politike nuk krijojnë siguri që mund të japin përformancë të mirë qeverisëse.
“Pra edhe 100 ditët e para qeverisëse nuk janë aspak të favorshme për këtë qeveri, sepse janë muajt e tremujorit të katërt ku në përgjithësi janë muaj që përmbyllen pagesat po ashtu edhe tremujori i pari i vitit të ardhshëm është sezoni i dimrit, pra kjo qeveri vetëm mbas gjashtë muaj mund të filloj të kryej detyrat e veta”, u shpreh Kadriaj.
Ekonomia e Kosovës u godit nga brenda dhe nga jashtë
Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se investimet e huaja janë shpëtimi i vetëm i ekonomisë kosovare, por ekonomia kosovare po përballet me krizën më të madhe që nga themelimi apo pavarësia e vendit, dhe se Kosova është e atakuar nga të gjitha anët.
Përveç kësaj, Beqiri thotë se shteti i Serbisë po përdorë çdo metodë për ta diskredituar ekonominë e Kosovës dhe se ka pasur shumë raste kur shteti serb ka ndërhyrë në sovranitetin e shtetit të Kosovës, duke dhënë mesazhe negative në mediat ndërkombëtare, kemi rastin e Brezovicës, Trepçës, pastaj mos anëtarësimi në UNESCO, propaganda serbe dhe ruse në OKB etj.
Ai shton se Kosova ka garniturë të çuditshme politike, bllokadat institucionale të vazhdueshme nga ana e politikanëve, sipas tij, kanë arritur kulmin e dëmtimit të investimeve të huaja, Kosova ka ngecur edhe në përmirësimin e të bërit biznes dhe faji kryesor janë politikanet.
“Pra e keni parasysh që Kuvendi i Kosovës është bërë arenë e “gladiatorëve” thuajse aty bëhet luftë, në njërën anë opozita dhe në anën tjetër kryeneçësia e qeverisë së vjetër, por pa anashkaluar edhe qeverinë e re. Kosovës i duhet një ndërrim i metodologjisë udhëheqëse, kjo garniturë aktuale nuk ka kapacitete të rritë interesimin e investitorëve të huaj, për këtë vendit i duhet një sistem tjetër i zhvillimit ekonomik”, thotë Beqiri.
Ndryshe, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja, kryesisht janë të përqendruara në sektorët e ekonomisë si patundshmëria, ndërtimtaria, shërbimet financiare dhe tregtia.
Në vitin 2016, rënie e këtyre mjeteve është evidentuar pothuajse në të gjithë sektorët. Por, rënia më e theksuar ishte te sektori i patundshmërive dhe sektori i shërbimeve financiare, sektorë që u karakterizuan me rënie vjetore prej 11.6 përkatësisht 70.5 për qind. /tesheshi.com/