Nga Blendi Gashi
Ndonëse kanë mbetur saktësisht edhe 19 ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, partitë në Kosovë veç kanë nisur të shprehin shqetësimin e tyre për mbarëvajtjen dhe problemet që mund të paraqiten në zgjedhjet e 11 qershorit.
Është Lëvizja Vetëvendosje e cila tashmë ka ngritur alarmin e parë duke thënëse mërgimatarëve po u pamundësohet të votojnë, pasi po hasin probleme të vazhdueshme në sistemin e aplikimit, gjë që që e kanë deklaruar përmes rrjeteve sociale edhe vet disa qytetarë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës.
Ky është vetëm shqetësimi i parë, kurse problemet që pritet të paraqiten ditën e votimit më 11 qershor, sipas paralajmërimeve do jenë jo të pakta, dhe të themi probleme të zakonshme që kanë ndodhur në çdo proces zgjedhor të pasluftës, e që institucionet përgjegjëse po dështojnë të gjejnë zgjedhje.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në krye me Vadete Dakën, ditë më parë pranoi se një prej problemeve që pritet të paraqitet në këto zgjedhje janë edhe listat e papastruara.
Portali ynë ka vendosur të paraqes të gjitha problemet që janë paraqitur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014-të, të cilat janë evidentuar nga organizatat joqeveritare që kanë monitoruar zgjedhjet.
Rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, në raportin e saj përfundimtar për zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit 2014, tregon se procesi zgjedhor ka pasur ngecje në disa fusha, por që problemet kryesore e paraqitura janë: votat e pavlefshme, informimi i votuesve për vendvotimin e tyre, lejimi i propagandës politike në disa lokalitete brenda qendrës së votimit dhe brenda diametrit 100 metra të qendrës, prezenca e personave të vdekur në listë të votuesve (edhe pse në masë, më të vogël se zgjedhjet e 2010-tës), fshehtësia e votës (përmes votimit familjar, fotografimit të votës dhe votimit jashtë kabinës), mosregjistrimi i votimeve me asistencë dhe rënia e ndjeshme e daljes në votime në disa komuna, probleme me materialin sensitiv, ku përfshihen: UV llampa, identifikimi i votuesve dhe sprei, por që janë evituar në një kohë afatshkurtër.
Më poshtë mund të lexoni më gjërësisht për problemet që janë paraqitur në zgjedhjet e kaluara dhe në cilat komuna më shumë janë evidentuar parregullësi.
Përdorimi i burimeve shtetërore në fushatë
Një prej problmeve që përcillet në çdo process zgjedhor është shfrytëzimi i resurseve publike për qëllime elektorale nga ana e subjekteve politike, megjithëse veprimet e tilla janë të ndaluara me Kodin e Mirësjelljes së subjekteve politike, ku Neni 5 i këtij Kodit thotë: “Personi që mban pozitë publike, i zgjedhur apo i caktuar, nuk mund të përdorë atë zyrë ose ndonjë nga pasuritë e saj me qëllim të përfitimit të votave. Asnjë nga burimet e asnjë institucioni të administratës publike, qoftë të nivelit qendror ose lokal, ose edhe ndonjë ndërmarrjeje në zotërim ose të kontrolluar nga autoritetet qendrore ose lokale, nuk mund të shfrytëzohen ose të futen në mbështetje të ndonjë subjekti politik në zgjedhje”.
Pavarësisht kësaj dispozite, vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar 41 raste të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale. Veturat zyrtare janë hasur gjatë aktiviteteve parazgjedhore kryesisht nga subjektet politike në pushtet.
Nga 41 rastet e raportuara, në 15 është përfshirë PDK-ja apo 36.5% , në 9 raste, AKR-ja, në 7, LDK-ja si dhe në 6, AAK-ja.
Niveli i informimit të votuesve
Gjatë procesit të votimit është evidentuar sërish i njëjti problem sikurse në zgjedhjet e kaluara, kur votuesit janë kthyer mbrapsht, ngase nuk kanë pasur të drejtë vote në qendrën ku janë paraqitur.
Një anketë që Demokracia në Veprim ka bërë në prag të zgjedhjeve lokale më 2013, ka treguar se 1 në 10 votues nuk kanë qenë të sigurt se ku është qendra e tyre e votimit.
Rastet më të shumta ku u raportuan probleme në vendvotimit janë: Prizren (1,296 votues), Prishtinë (1,102 votues), Skenderaj (745 votues), Pejë (573 votues) dhe Mitrovicë (555 votues).
Mbetet të shihet nëse KQZ-ja është angazhuar sadopak që një problem i tillë të mos paraqitet në zgjedhjet e 1 qershorit.
Hapja e vendvotimeve
Vonesa në hapje e një vendvotimi është një nga problemet më serioze që paraqitet në një proces zgjedhor. Sipas nenit 88.1 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme Qendrat e Votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00, por zgjedhjet e kaluara kanë treguar se ky orar nuk respektohet.
Në zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit, kishte vonesa prej më shumë se 30 minuta në hapjen e 136 vendvotimeve apo 5.7% të gjitha vendvotimeve.
Propaganda politike brenda në vendvotim
Në bazë të raporteve të vëzhguesve të DnV-së, në 2.7% të vendvotimeve të zgjedhjeve të 8 qershorit, 2014 u raportua propaganda politike brenda në vendvotim. Këtu paraqiten raste, si: lejimi i votuesit në vendvotim me bluzë me simbole të një subjekti politik, fletushka të një subjekti brenda vendvotimit, apo edhe promovim i një subjekti gojarisht përmes vëzhguesit apo komisionierit (më poshtë gjenden rastet konkrete dhe vendvotimet se ku kanë ndodhur).
Në 3.5% të të gjitha qendrave të votimit është raportuar lejimi i posterëve dhe billbordëve në brendi të diametrit prej 100 metra nga qendra e votimit. Kjo përqindje megjithëse e lartë, është më e ulët se në zgjedhjet lokale 2013 (rundi i parë i mbajtur më 3 nëntor), ku u raportua se në 4.5% të qendrave të votimit është zhvilluar propagandë politike.
Vëzhguesit e Demokracisë në Veprim raportuan se propagandë politike jashtë dhe brenda vendvotimeve ka pasur në komunat: Pejë, Shtime, Viti, Deçan, Istog dhe Gjakovë.
Votimi familjar, jashtë kabinës dhe me asistencë
Vota është fshehtë është e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Por, sikurse edhe në zgjedhjet e deritashme, edhe në ato të fundit, nuk kanë munguar rastet e votimit familjar.
Votimi familjar në zgjedhjet e 2014-tës më shumë është eveidentuar në komunat, si Prizren, Gjakovë, Fushë Kosovë, Gjilan, Suharekë, Mamushë dhe Malishevë
Gjatë procesit, janë evidentuar poashtu 50 raste, kur votuesit kanë hedhur votën jashtë kabinës.
Ndërsa, problem është edhe votimi me asistencë ku në zgjedhjet e kalaura janë paraqitur 40,561 raste të votimit me asistencë në 2377 vendvotime në Kosovë. Kjo përbën diku 5.6% të të gjithë votuesve që kanë votuar me asistencë, apo çdo i njëzeti votues. Komunat me numër të
konsiderueshëm të votimeve me asistencë kanë qenë: Prizreni, Rahoveci, Podujeva, Peja, Gllogoci dhe Lipjani.
Personat e vdekur në listë
Një problem tjetër i madh që paraqitet në çdo process zgjedhor është edhe prezenca e emrave të personave të vdekur në listat zgjedhore. Në zgjedhjet e fundit parlamentare në 5 vendvotime u raportua numër i konsiderueshëm i emrave të personave të vdekur në listë të votuesve
Përpjekjet për votim të dyfishtë
Tendencat për manipulim të procesit votues, nëpërmjet votimit dy herë apo “votimit të dyfishtë”, është një anomali që ka përcjellur sërish procesin zgjedhor.
Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar për 82 raste të tentimit për votim të dyfishtë në 2.377 vendvotime në Kosovë. Ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2013, vëzhguesit kishin raportuar 74 raste të tentimit për votim të dyfishtë.
Komunat me më së shumti raportime për tentim të votës të dyfishtë ishin: Skenderaj (11 raste), Prishtina (9 raste), Mitrovica e Veriut (8 raste), Peja (7raste), Leposaviqi (6 raste), Mitrovica e Jugut (6 raste), Ferizaj (5 raste), Gllogovc, Istog dhe Zubin Patok (4 raste), Gjilan, Malishevë dhe Zveçan (2 raste), kurse në 12 komuna të tjera është evidentuar një rast për tentim të votimit të dyfishtë.
Fotografimi i votës
Kjo dukuri është paraqitur edhe në zgjedhjet e fundit, ku votues të caktuar kanë fotografuar votën me qëllim që t’ia dëshmojnë partisë së tyre apo kandidatit që ia kanë premtuar votën.
Në zgjedhjet e 2010-tës janë evidentuar 33 raste kur është fotografuar vota ose është tentuar të fotografohet.
Incidentet në procesin zgjedhor të 2014-tës
Vëzhguesit e DnV-së kanë evidentuar 11 raste që i kanë konsideruar si “kërcënime” apo “incidente” në 2.377 vendvotimet. Në 8, pati ndërhyrjetë personave të paautorizuar në vendvotime, kurse në 11 raste, mbyllje të përkohshme të vendvotimeve.
Pra, në bazë të këtij raporti mund të konkuldohet se problemet në proceset zgjedhore po mbesin të njëjta dhe përkundër që po adresohen në institucionet përakatëse ato nuk po eleminohen as në proceset e reja zgjedhore, andaj probleme të tilla sipas të gjitha gjasave do jenë prezente edhe në procesin zgjedhor të 11 qershorit./tesheshi.com/