Në prag të nisjes së punimeve të Kuvendit dhe miratimit të qeverisë “Rama2”, komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn i është drejtuar me një mesazh politikanëve dhe shqiptarëve.
“Zgjedhja për t’u bërë pjesë e BE-së është një prej atyre për të cilat ju shqiptarë për dekada nuk keni pasur asnjë dyshim. Gjithsesi, përkthimi i aspiratave politike në veprime konkrete për të rritur cilësinë e jetës, paqe, dinjitet dhe prosperitet është gjithmonë shumë komplekse dhe sfiduese.
Kjo vjen nëpërmjet punës së vështirë, reformave të vazhdueshme dhe siç dihet, nëpërmjet dialogut intensiv me të gjithë pjesëtarët e shoqërisë.
Pas një viti intensiv me reforma dhe zgjedhje, në ditët në vijim ju do të keni një Parlament të ri dhe një qeveri të re. Ne e presim me padurim këtë zhvillim të ri dhe mundësitë që shtrihen përpara nesh”, tha komisioneri në mesazhin e dhënë përmes një videoje që u transmetua në përfundim të shkollës verore europiane. /tesheshi.com/