Nga Emad Moussa*, New Arab
Në Uashington, murmuritjet fillestare që shprehnin pakënaqësi mbi luftën e Izraelit ndaj Gazës nga Benjamin Netanjahu, janë kthyer tashmë në një përbuzje të plotë. Vendimi i udhëheqësit të shumicës në Senat, Çak Shumer, deri dje një nga aleatët më të vendosur të Izraelit, për të bërë hapur thirrje për rrëzimin e qeverisë së Netanjahut, e tronditi gjithë Kapitolin.
Shumë shpejt vetë presidenti Bajden e sulmoi publikisht Netanjahun, duke e quajtur “të gabuar” qasjen e tij ndaj Gazës, dhe duke i dhënë fund dekadave të mirëkuptimit dypalësh. Që të dyja këto raste, duket sikur tregojnë se problemi janë vetëm Netanjahu dhe ndihmësit e tij të krahut të djathtë, dhe jo vetë Izraeli.
Pra sipas kësaj logjike, mjafton të largohet Netanjahu, dhe gjithçka do të jetë për bukuri. Por sa e saktë është kjo? Në fakt duhet të pyesim: Çfarë e shtyn Netanjahun të sillet kështu, dhe a është ai përgjegjësi vetëm për aktet gjenocidale të Izraelit? Disa teoricienët minimalistë tregojnë origjinën e Benjamin Netanjahut për të shpjeguar sjelljen e tij aktuale, duke e cilësuan “situatën izraelite” aktuale pasqyrim të psikikës së kryeministrit izraelit.
Për të shpjeguar shovinizmin e tij, ata flasin mbi admirimin që ka Netanjahu për sionizmin revizionist të Vladimir Jabotinskit, një qasje militariste për të kontrolluar të gjithë Palestinën historike. Po ashtu, për të kuptuar obsesionin e tij me sigurinë kombëtare izraelite, ndalen tek babai i Benjaminit, Ben-Zion dhe besimi i tij i verbër, se historia është në thelb një seri përpjekjesh të dështuara për ta shkatërruar popullin hebre.
Së fundi, do t’iu përmendin vdekjen e vëllait të tij Joni gjatë sulmit të Entebesë në vitin 1976, për të shpjeguar botëkuptimin e Netanjahut që i ndan të gjithë në dy kampe: në kampin e pro-izraelitëve të padiskutueshëm dhe atë të anti-hebrenjve të vendosur.
Në botën e Netanjahut ka një vazhdimësi të vuajtjeve hebreje nga Nabukodonozori dhe shkatërrimi i Tempullit të Parë në vitin 586 Para Krishtit, tek pogromet në Rusi, Çështja Drejfus në Francë në vitin 1896, deri në Gjermaninë e viteve 1930-1940, dhe më pas konflikti arabo-izraelit.
Por ky këndvështrim është johistorik, nuk u përmbahet ligjeve të shkakësisë, dhe çon rrjedhimisht në një realitet të keq-perceptuar. Për shembull, në vitin 2015, Netanjahu nuk e ishte problem të bënte përgjegjës Myftiun e Jerusalemit, Sheikh Amin al-Husseini, për Zgjidhjen Përfundimtare, duke e shfajësuar Hitlerin nga plani i tij gjenocidal, dhe duke bërë përgjegjës për Shoah-un vetëm palestinezët.
Por ajo që harrojnë teoricienë të tillë, është se duke e përqendruar fajin tek një person, lehtësohet përgjegjësia kolektive. Pra e shpërqendron vëmendjen nga konteksti më i thellë në të cilin u shfaq Benjamin Netanjahu: elektorati i tij izraelito-hebre.
Si gjithë të tjerët, edhe udhëheqësit janë produkt i sistemit të besimit të shoqërisë së tyre, identitetit social, etikës dhe orientimeve emocionale. Sado ekstreme, tendencat e tyre personale nuk do të shfaqen lirisht nëse nuk inkurajohen, miratohen ose të paktën tolerohen nga shoqëria.
Në fakt, shumica e izraelitëve është e zemëruar me Netanjahun dhe e fajësojnë atë personalisht për ngjarjet e 7 tetorit, pengimin e një marrëveshjeje me Hamasin për lirimin e pengjeve dhe për shkatërrimin e demokracisë izraelite. Por e njëjta shumicë – përfshirë të afërmit e pengjeve – që do rrëzimin e Netanjahut nga pushteti, mbështet njëkohësisht politikat e tij kundër palestinezëve.
Shumica e tyre duan që lufta të vazhdojë dhe besojnë se janë të justifikuara masakrat e paprecedenta dhe krimet e luftës në Gaza. Po ashtu, shumica e izraelitëve besojnë se IDF (Forca Mbrojtëse e Izraelit) po përdor “shumë pak fuqi zjarri” në Gaza, pavarësisht vrasjes së mbi 34.750 palestinezëve, urisë, zhvendosjes masive dhe shkatërrimit të gati gjysmës së infrastrukturës civile.
Ndërkohë, kanalet izraelite të mediave sociale janë ende të mbushura me shaka raciste, gjenocidale dhe pamje që gëzohen dhe tallen me vdekjet e civilëve palestinezë, duke përfshirë mijëra fëmijë. Shumë gazetarë dhe zyrtarë izraelitë janë shprehur gjithashtu me një gjuhë të ngjashme gjenocidale.
Shumica e izraelitëve kundërshtojnë në parim krijimin e një shteti palestinez. Dhe ashtu si Netanjahu, shumë prej tyre i interpretojnë kritikat e forta të botës për masakrën në Gazës si një qasje anti-hebreje, duke i mohuar Izraelit – pushtuesit – “të drejtën e tij për t’u vetëmbrojtur”.
Ky arsyetim i shtrembër mund të jetë forcuar pas 7 tetorit, por baza ishte tashmë aty: një sistem besimi para-ekzistues prej dekadash, që i bëri politikat izraelite, sado të diskutueshme që ishin, të justifikueshme në sytë e shumicës së hebrenjve izraelitë. Ai lejon praktika kontradiktore, sikurse është dëshira për një marrëveshje mbi pengjet dhe njëkohësisht refuzimin e një armëpushimi.
Në Izrael, thonë se duan “paqen” por jo fundin e pushtimit. Kjo bën që shumica e izraelitëve të jenë pjesë e pushtimit qoftë përmes distancimit, inkurajimit apo tolerimit të praktikave të qeverive të tyre. Në lojë janë tre faktorë: viktimizimi i vetë-perceptuar, madhështimi i vetes dhe dehumanizimi i palestinezëve.
Ben-Zion dhei biri Benjamin Netanjahu, nuk i filluan të parët politikat brutale ndaj palestinezëve. Përkundrazi, ata ishin dhe janë produkt i tyre. Sionizmi u krijua mbi konceptin e emancipimit hebre nga shekujt e viktimizimit, dhe fillimi i Izraelit si shtet u perceptua si një shpagim nga historia i viktimës.
Sionistët që u kthyen nga viktima në viktimizues pas Shoah-ut, nuk e ndryshuan imazhin e tyre për veten si viktima. Rezistenca dhe kritikat botërore kundër pushtimit të tyre ushtarak e kanë thelluar këtë perceptim në vend se të nxisin një vetë-reflektim. Izraelitët janë ndoshta të vetmit pushtues në historinë moderne që e mendojnë veten si viktima, madje të vetmet viktima të vërteta.
Kjo u lejon atyre të ndihen sikur janë viktima të njerëzve, që ata i viktimizojnë në mënyrë të vazhdueshme. Për ta ushqyer këtë mendësi të çuditshme, ata kanë ndër të tjera nevojë të shfrytëzojnë besimin para-ekzistues se janë një “populli i përzgjedhur nga Zoti”.
Në një sondazh të vitit 2023, shumica e hebrenjve izraelitë iu përgjigjën me “Po” pyetjes: A besoni se hebrenjtë janë “populli i përzgjedhur nga Zoti”, siç e përshkruan Bibla? Në një sondazh tjetër 10 vjet më parë, gjysma e hebrenjve izraelitë besonin “shumë fort” ose “mjaftueshëm fort” se hebrenjtë janë “populli i zgjedhur”.
Ndërsa në një sondazh të vitit 2016, 61 për qind ishte dakord me pretendimin se ishte vetë Zoti që ia dha tokën Izraelit. Gazetari izraelit Gideon Levi thotë: “Shumica e izraelitëve besojnë thellësisht se ne jemi populli i zgjedhur … me të drejtën për të bërë gjithçka”.
Që kjo të jetë e vërtetë, kërkon eliminimin e të gjitha gjurmëve të viktimave palestineze. E kush dëshiron një konkurrencë që e dëmton imazhin për veten, viktimizimin e përhershëm dhe ndjenjën e madhështisë? Prandaj, palestinezët dehumanizohen vazhdimisht dhe në mënyrë sistematike.
Nëse palestinezët nuk janë “njëlloj njerëzorë” si ata, kjo do të thotë se ata nuk kanë të drejta njerëzore. Kjo do të thotë se Izraeli mund t’i vrasë ata si “kafshë njerëzore”, dhe t’ua rrëmbejë tokën pa u ndëshkuar.
Tre faktorët e lartpërmendur, e kthejnë vëmendjen e një shoqërie ekskluzivisht drejt vetes, duke zhvilluar një shkallë të lartë vetë-përfshirjeje dhe narcisizmi. “Viktimat” priren zakonisht të përqendrohen tek vetja dhe vuajtjet e tyre, duke e reduktuar kapacitetin për ndjeshmëri. Kjo sjell edhe reduktimin e ndjenjës kolektive të fajit. Kështu izraelitët janë të paaftë për t’i parë gjërat nga këndvështrimi i tjetrit, të identifikohen me historinë e tyre ose të pranojnë përgjegjësinë për dëmin që i kanë shkaktuar.
Ç’është me e keqja, ua kalojnë viktimave fajin për veprimet e tyre. “Ne nuk mund t’i falim kurrë arabët që na detyrojnë të vrasim fëmijët e tyre!”- deklaroi dikur kryeministrja izraelite Golda Meir.
Një shoqëri me tipare të tilla patologjike narcisiste, ndihet moralisht superiore dhe sikur ka shumë të drejtë të bëjë gjithçka që duhet për të garantuar sigurinë e saj, pa marrë parasysh pasojat morale apo ato fizike.
Benjamin Netanjahu dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë dhënë urdhra për të vrarë 14.000 fëmijë dhe për të rrafshuar qindra mijëra shtëpi në Gaza. Por për ta bërë këtë ai ka pasur mbështetjen e shumicës së izraelitëve hebrenj. Ai është një simptomë e një shoqërie të sëmurë, dhe jo vetë sëmundja.
*Dr. Emad Moussa, studiues dhe shkrimtar palestinezo-britanik, i specializuar mbi psikologjinë politike të dinamikave ndër-grupore dhe konfliktuale, me fokus të veçantë në konfliktin Izrael-Palestinë.