Palestinezët në shumë pjesë të Bregut Perëndimor do të vuajnë gjatë muajit të Ramazanit mungesën e ujit të pijshëm.
Kompania shtetërore izraelite, Mekorot, që është furnizuesi kryesor për qytetet e fshatrat palestineze, e ka ndërprerë apo e ka zvogëluar furnizimin me ujë të pijshëm për Xheninin, për një numër fshatrash të Nablusit, si dhe për qytetin e Selfitit e rrethinat e tij.
Në Xhenin, ku ka një popullsi me më shumë se 40.000 banorë, furnizimi me ujë është shkurtuar në gjysmën e tij.
Drejtori ekzekutiv i Grupit Palestinez të Hidrologjisë, Ajman Rabi, i ka thënë Al Jazeera-s se disa zona nuk janë furnizuar me ujë prej më tepër se 40 ditësh.
Ai ka treguar se banorët e kanë racionuar konsumimin e ujit, e se po furnizohen nëpërmjet burimeve alternative.
Temperaturat e larta dhe muaji i Ramazanit e bëjnë më të ndjeshme mungesën e ujit në një pjesë të mirë të Bregut Perëndimor.
Përndryshe, izraelitët janë të privilegjuar karshi palestinezëve në Bregun Perëndimor edhe në përdorimin e ujit, duke konsumuar pesë herë më shumë ujë se ata. /tesheshi.com/