Nga Beatriz Lecumberri, El Pais
Imazhet e gazetarit palestinez Wael Dahdouh, shefi i zyrës në Gaza të rrjetit televiziv Al Jazeera, bënë xhiron e botës kur ai humbi gruan, dy fëmijët, nipin dhe anëtarë të tjerë të familjes në një bombardim të ushtrisë izraelite në tetor të vitit të kaluar.
Megjithatë gazetari veteran 53-vjeçar, vendosi të linte mënjanë dhimbjen nga humbja e rëndë dhe “të vazhdonte të punonte për të nxitur ndryshimin”. Dy muaj më vonë, ai vetë u plagos në një sulm izraelit që i mori jetën kameramanit të tij, Samer Abu Daqqa. Ndërkohë në janar të këtij viti, humbi jetën edhe djali i madh, Hamza, kur makina e tij u shënjestra nga një sulm ajror.
Pa e menduar, Dahdouh është shndërruar në një simbol të vuajtjes së 2.2 milionë banorëve të Gazës por dhe i këmbënguljes së gazetarëve të saj, që janë në fakt janë sytë e botës në këtë konflikt, teksa asnjë media e huaj nuk lejohet të hyjë në zonë.
“Unë besoj tek misioni humanitar i gazetarisë. Detyra jonë është të vazhdojmë të raportojmë”, thotë ai në këtë intervistë që dha për ne nga Kordoba në Spanjën Jugore, ku mori çmimin e gazetarisë “Julio Anguita Parrado” dhe mbajti një leksion në Casa Árabe.
Sipas organizatës Reporterët pa Kufij (RSF), më shumë se 100 gazetarë kanë vdekur në Gaza që nga tetori 2023. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, thotë se konflikti që deri tani ka vrarë të paktën 33.000 palestinezë, është më i përgjakshmi për gazetarët që nga fillimi i regjistrimit të viktimave prej saj në vitin 1992.
Pas më shumë se 100 ditësh duke mbuluar ofensivën ushtarake izraelite, Dahdouh u largua nga Gaza në fund të janarit për t’iu nënshtruar një operacioni në Katar. I lodhur dhe i tronditur nga vdekjet e shumta në familjen e tij, reporteri nuk guxon të imagjinojë të ardhmen e tij, apo të Gazës. “Askush atje nuk e di se çfarë do të ndodhë, nëse kjo luftë do të përfundojë brenda një jave apo do të zvarritet edhe për muaj të tjerë”.
Ju ia keni kushtuar këtë çmim, që mban emrin e një gazetari spanjoll që humbi jetën në luftën e Irakut në vitin 2003, kolegëve tuaj që vazhdojnë të raportojnë në Gaza, dhe këmbëngulni se gazetarët atje shënjestrohen qëllimisht dhe nuk janë “dëme anësore” të bombardimeve izraelite…
Izraeli po i vret qëllimisht gazetarë në Gaza. Në luftërat e tjera, ata nuk i kanë shënjestruar gazetarët si këtë herë. Unë nuk gjej dot asnjë shpjegim për bombardimin e shtëpisë ku ishte strehuar familja ime në Nuseirat (Gaza Qendrore), për sulmin që vrau djalin tim të madh Hamza, apo për atë në të cilin gati sa nuk vdiqa vetë. Shumica e këtyre bombardimeve kryhen me dronë, të cilët janë shumë të saktë, ndaj ata e dinë se kush është në atë moment në atë objektiv.
Ne lëvizim me makina ku shkruhet me shkronja të mëdha “Press” ose “TV”. Po ashtu mbajmë veshur helmetat dhe jelekët e gazetarëve. Izraeli nuk dëshiron që ne të vazhdojmë të dokumentojmë atë që po ndodh. Por gazetarët palestinezë kanë vendosur të vazhdojnë të raportojnë, duke jetuar me frikë por edhe duke ditur se vetë ne mund të bëhemi lajm.
Më 7 tetor 2023, Hamas kreu sulme të përgjakshme në Izrael. Disa orë më vonë, nisi bombardimi i Gazës. A mendonit se do të ishte një ofensivë e ngjashme me ato që keni mbuluar gjatë 15 viteve të fundit?
Më 7 tetor, u zgjova për të shkuar në zyrë dhe pashë nga dritarja ime raketat që po shkonin drejt Izraelit. I thashë gruas sime të ndjerë: “Të bëhemi gati se po vjen një luftë e gjatë!”. Që në fillim deklarova se do të zgjaste të paktën katër muaj, dhe pati nga ata që më thanë se po e teproja.
Tani po shoh se isha shumë “vizionar”. Të gjitha fatkeqësitë që kemi pësuar në sulmet e mëparshme të ushtrisë izraelite, nuk janë as çereku i asaj që po vuajmë tani. Që në fillim, shkatërrimi ishte pa dallim: Izraeli mbylli të gjitha pikat kufitare, e privoi Gazën nga ushqimi, uji, energjia elektrike, ilaçet dhe i bombardoi shtëpitë pa asnjë paralajmërim.
A ka ndonjë moment në punën tuaj si gazetar që ju ka prekur në mënyrë të veçantë?
Në mendje më kanë mbetur shumë imazhe të dhimbshme. Por më shumti janë ato të fëmijëve të vdekur, disa prej tyre foshnje, që nxirren nga rrënojat, dhe që ndërrojnë jetë para syve tanë për shkak të plagëve të rënda. Dhe sigurisht, edhe pse nuk isha aty kur vdiqën, nuk e harroj dot imazhin e trupave të pajetë të gruas, fëmijëve, nipit… E çfarë t’ju them më shumë? Çdo imazh që duhej të regjistroja ishte më i tmerrshëm se i mëparshmi.
Një pjesë e familjes suaj është ende në Gaza…
Unë kisha tetë fëmijë dhe pesë nga ata që janë ende gjallë u larguan nga Gaza. Megjithatë vëllezërit, motrat, mbesat, nipërit dhe kushërinjtë e mi janë ende atje. Çdo ditë marr lajme të këqija: familjarë të plagosur që hasin vështirësi për t’u shëruar, të afërm që nuk kanë çfarë të hanë…
Ju keni përsëritur se kur ju vranë gruan dhe fëmijët, nuk keni hezituar të vazhdoni punën tuaj…
Unë besoj në misionin humanitar të gazetarisë. Detyra jonë është të vazhdojmë të raportojmë. Por për momentin, sado që përpiqen, gazetarët e Gazës janë në gjendje të raportojnë vetëm një pjesë të vogël të barbarisë që po shkakton ushtria izraelite. Që nga fillimi i luftës, kam menduar gjithmonë se çfarëdo që të ndodhë unë duhet të vazhdoj të punoj.
Por përballë trupave të pajetë të fëmijëve dhe gruas sime, e cila ishte shtylla e familjes, kam pasur dyshime serioze nëse duhet ta vazhdoj këtë punë. Megjithatë vendosa të vazhdoj. Gruaja dhe fëmijët e mi kanë bërë gjithmonë sakrifica për mua. Ata nuk patën dashurinë dhe mbrojtjen time gjatë luftërave, në mënyrë që unë të vazhdoja të punoja dhe të merrja përgjegjësinë time për të bërë një ndryshim.
A duhet të hiqja dorë pse u vranë? Jo. Prandaj u ktheva në punë. Ishte një sfidë, sepse nuk doja të dilja para kameras në kohën e zisë, dhe nuk doja të flisja për veten time. Doja ta raportoja luftën në mënyrë profesionale, sikur të mos më kishte ndodhur asgjë personale. Mendoj se ia dola, por kjo e zemëroi Izraelin.
Tani që jeni detyruar të largoheni nga Gaza, a mendoni se zëri juaj e ka humbur forcën apo legjitimitetin?
Po, është e vërtetë. Ndjej dhimbje dhe zhgënjim, sepse nuk mund ta bëj më detyrën time. Unë s’mund të jem dot aty ku ndodhin gjërat, dhe nuk mund t’i ndihmoj bashkatdhetarët e mi që vuajnë, por edhe gazetarët që mbeten atje, duke filluar nga ekipi im. Ndonjëherë e ndjej se nuk mund të bëj më shumë, por vazhdoj të përpiqem të bëj pjesën time duke ardhur për shembull këtu në Kordoba.
Tani për tani, është e vështirë të imagjinohet dhe të flitet për të ardhmen që e pret Gazën…
Është e pamundur të parashikohet. Askush atje nuk e di se çfarë do të ndodhë, nëse kjo luftë do të përfundojë brenda një jave apo do të zvarritet për muaj të tjerë. Herë pas here flitet për marrëveshje, për armëpushim, por asgjë nuk po ndodh dhe bombardimet po shtohen. Populli i Gazës është buzë humnerës, por kam frikë se lufta do të zgjasë edhe më shumë.
Si ndiheni fizikisht dhe si e shihni të ardhmen tuaj?
Jam shumë i lodhur. I jam nënshtruar një operacioni kirurgjikal të gjatë dhe të ndërlikuar, në përpjekje për të ruajtur sa më shumë lëvizshmëri në dorën time të djathtë. Mund të shërohem në masën 60 për qind, por kam përpara një vit rikuperimi. Dua të shërohem dhe të bëj punën e gazetarit. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. Unë dua të vazhdoj ta bëj punën time.