Vendimi i presidentit maqedonas për të mos i dhënë mandatin qeverisës Zaevit me justifikimin se ai ka pranuar platformën shqiptare, e cila e cenon integritetin e Maqedonisë, ka provokuar reagime të forta nga udhëheqësit e politikës së Tiranës.
Ivanovi ka mundur t’i bashkojë Ramën dhe Bashën për një moment, pasi si reagimi i kryeministrit shqiptar, ashtu dhe ai i kryetarit të PD-së, janë në të njëjtën linjë.
“Zoti Ivanov, gjuha shqipe s’është e armikut, por e një populli shtetformues në Maqedoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni, i dashur president,” do të shkruante Rama në rrjetet sociale.
Lulzim Basha, përndryshe, e quan vendimin e presidentit maqedonas një diskriminim etnik.
“Përcolla me shqetësim qëndrimet e Ivanovit për mosmandatimin e qeverisë së re, dhe mund të them se ky qëndrim është një akt diskriminimi etnik.”
Ai e çon më tej reagimin, duke nënvizuar se, “Rruga e integrimit të Maqedonisë cenohet rëndë nga akte të tilla diskriminuese. Parimi i dygjuhësisë e emancipon Maqedoninë nga ngërçet dhe paragjykimet.” /tesheshi.com/