Italia vazhdon të përballet me një situatë të rënduar, për shkak të përmbytjeve që u shkaktuan nga moti i keq. Gjendja alarmante vazhdon të jetë prezente që prej pasdites së djeshme (e enjte), sidomos në veri të Italisë, ndërsa problemet më të mëdha po përjetojnë banorët e qyteteve Piemonte dhe Liguria.
Nga reshjet intensive kanë dalë nga shtrati lumi Po dhe ai Tanaro, duke bërë që qindra banesa dhe godina të tjera të përmbyten dhe të dalin jashtë funksionit.
Situatë alarmante është shënuar edhe në Vale D’Aosta e në Toskanë, ndërsa në qytezën që ndodhet në kufi me Francën, në Ventimilia, 5 emigrantë i mori rrjedha e ujit. 4 prej tyre arritën të shpëtohen nga ekipi i emergjencave, kurse njëri rezulton i zhdukur. Ende nuk dihet identiteti i tij, por mendohet se është një refugjat Nigerian.
Shtabi i emergjencave ka nisur evakuuimin e banorëve dhe është shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Po ashtu, edhe shkollat dhe qindra biznese janë mbyllur, për të shmangur rreziqet që kanosen nga niveli i lartë i ujit nëpër rrugët e qyteteve, në veriperëndim të Italisë.
Kryeministri Matteo Renzi e ka cilësuar gjendjen emergjente në Torino dhe ka apeluar për më shumë masa, me qëllim asistimin e personave që janë të rrezikuar nga moti i keq.
Meterologët kishin parashikuar disa ditë më parë se vendi kërcënohej nga një tjetër fatkeqësi natyrore. Gjatë dytë ditëve të fundit, reshjet e shiut zbarkuan pa ndërprerje, duke sjellë këtë situatë kritike për qytetet italiane./tesheshi.com