Nga Bardha Nergjoni
Edhe sot ai vazhdon të komentojë futboll. Radion e ka të preferuar dhe sa herë që e ftojnë në emisione pranon me kënaqësi. Të gjithë e njohin Ismet Bellovën si komentatorin sportiv me të famshëm të ndeshjeve të futbollit shqiptar, por pak kush e di se edhe ai ka rrezikuar burgosjen pse u ankua për kushtet në një transmetim ndeshjeje.
Në vitin e largët 1961 ka rrezikuar të burgoset se gjatë trasmetimit të një ndeshjeje në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” tha shprehjen e famshme “çfarë bie jashtë hyn brenda”. Nga burgu e shpëtoi vetëm një person falë të cilit zërin e Ismet Bellovës e dëgjuam edhe për shumë vite. Por ai sot nuk është fare i kënaqur nga stili i të komentuarit të një ndeshjeje. Nuk përmend emra konkretë, por thotë se gjatë komentimit ka ulërime ta panevojshme.
Bellova vazhdon të jetë një njeri aktiv. Ka shkruar disa libra, ka themeluar një fondacionin në ndihmë të personave më aftësi të kufizuara. Edhe pse i ka kaluar të 80-tat, ai nuk i ka dhënë ende fund karrierës së tij të gjatë. Zëri i tij i veçantë i ëmbël dhe mbresëlënës duhet futur dhe ruajtur si një vlerë në trashëgiminë shqiptare të mikrofonit sportiv. E ka nisur karrierën në moshën 16 vjeç si komentator. Ka 64 vjet që trasmeton “Nga një ndeshje në tjetrën”. Ka trasmetuar mbi gjashtë mijë ndeshje futbolli kombëtare dhe ndërkombëtare. Është tifoz gjerman, por kurrë nuk ka bërë tifo për ndonjë skuadër shqiptare, pasi ka qënë profesionist nga ata të vërtetët. Sot, gazetarit sportiv më të mirë të vitit i jepet çmimi “Ismet Bellova”. Në një intervistë tregon përballjen e tij me personazhe politike të kohës dhe si i shpëtoi burgut.
Si është dita juaj zakonshme?
Jam i lumtur kur shikoj që kam rreth vetes shumë nipër dhe mbesa, që më lumturojnë çdo ditë por mbi të gjitha kam respektin e çdo shqiptari që më respekton në rrugë. Tashmë radio nuk ka atë rëndësinë e dikurshme që i mbante të lidhur njerëzit pas zërit, pasi tashmë është televizioni që e ka spostuar disi këtë medium magjik do ta quaja, që ka qënë shumë i dashur për çdo person që e ka pasur një të tillë në shtëpi.
E mbani mend ndeshjen tuaj të parë që keni trasmetuar në radio?
Sigurisht që po. Ndeshja e parë që kam trasmetuar ka qënë më 29 nëntor 1950; luhej Partizani-Dinamo. Ishte një ndeshje kampionati dhe i madhi Anton Mazreku më dha mundësinë që të provoja emocionin e trasmetimit për disa minuta. Natyrisht është një ditë që nuk do shlyhet nga kujtesa ime. Si çdo fëmijë që e dashuron sportin shumë herët, unë jam lidhur ngushtë me disa disiplina sportive që në moshën 10vjeç, që prej asaj dite e deri sot vazhdon që sporti të jetë i pandashëm për mua.
Anton Mazreku ishte i pari që trasmetoi një ndeshje në radio shumë vite më herët dhe njihet si themeluesi i trasmetimit radiofonik. Në fillim transmetoheshin vetëm ndeshjet që luheshin në kryeqytet, ndërsa për ndeshjet e tjera që luheshin ne rrethe transmetohej vetëm rezultati nga post-telegrafi, ku me anë të autoparlantit dëgjonin shumë njerëz ndeshjet edhe rezultatet.
Si ka nisur karriera si komentator sportiv?
Në vitet ’50-të unë kam qënë në shkollën e fizkulturës dhe Anton Mazreku ishte mësues dhe jepte lëndën e gjeografisë njëkohësisht ishte pjesë e Radio Tiranës. Në atë kohë unë improvizoja me shokët komente dhe trasmetime ndeshjesh që shumë shokë më thoshin se ke talent. Anton Mazreku më mbate afër me atë zemërgjerësinë që e karakterizonte. Ai kishte një vajzë që sot është një mjeke e shquar dhe i madhi Mazreku thoshte gjithmonë që kam një vajzë dhe një djalë, pikërisht nga dashuria e tepërt që kishte për mua.
Ai na merrte te dyve në kabinën e trasmetimit, por ajo ishte vajzë dhe nuk kishte shumë interes dhe kështu unë vazhdova që t’i qëndroja pranë derisa ai ndërroi jetë në një moshë të re. Që të bëheshe pjesë zyrtare e Radio Tiranës në atë kohë duhej të kaloje në disa filtra, por dashamirësia që kishin për Mazrekun, nuk e penguan që të më kishte mua pranë atëherë në një moshë ende të vogël, vetëm 16 vjeç.
Eshtë e vërtetë që për një shprehje keni rrezikuar burgun?
Në vitin 1961 gjatë transmetimit të ndeshjes 17 Nëntori(Tirana)-Lushnja, ku Tirana fitoi 7-1, ndeshja u luajt në kushte të vështira atmosferike, pasi gjatë gjithë ndeshjes binte një shi i rrëmbyeshëm që rëndoi shumë terrenin e fushës dhe ndeshja e futbollit u kthye në një ndeshje vaterpolo. Të gjithë këtë situatë profesor Mazreku e pasqyroi në transmetim, njëkohësisht edhe në kabinën tonë të transmetimit binte shumë shi. Unë duke qënë një djalë i ri, në moshë 27 vjeç, nga ngarkesa emocionale ndërhyra duke thënë se e njëjta situatë që është në fushë është edhe kabinën tonë, ku po transmetojmë në kushte të vështira dhe çfarë bie jashtë bie edhe brenda.
Në të njëjtën kohë po zhvillohej edhe mbedhja e byrosë politike që dhe midis anëtarëve të byrosë kishte edhe nga ata që ishin sportdashës. Pasi e kishin ndjekur ndeshjen në radio, direkt vjen e më takon në sheshin përpara stadiumit, ish-ministri i brendshëm, Kadri Hazbiu. Ai më një ton kërcënues më thotë se kjo që kisha bërë ishte e rëndë dhe fjalët e thëna gjatë transmetimit kishin mërzitur shumë shokun Enver. Ai më kërcënoi duke nxjerrë prangat dhe më tha se meritoja të shkoja në burgun e Spaçit. Njeriu që më shpëtoi nga ky episod që mund të ishte fatal për mua ka ka qënë profesori i nderuar, Hamit Beqja. Ai bëri çdo gjë që kjo histori të mbyllej me sa më pak problem për mua dhe u mbyll pa ndonjë dënim serioz por vetëm më një tërheqje vërejtje për mospërsëritje të gabimit.
Për rreth 30 vjet ju keni komentuar më shumë se 5 mijë ndeshje?
Po. Kam komentuar 5000 ndeshje në të 90-të minutat e saj. Ka qënë disi e lodhshme por duke e kombinuar mikrofonin me profesor Mazrekun ia kemi arritur që ta përballojmë me sukses. Padyshim ka qënë edhe një dëshirë e madhe dhe pasion i zjarrtë që na mbante të gjallë dëshirën për këtë profesion të bukur. Gjithashku futbolli në atë kohë ka qënë në nivele të larta dhe stadiumet kanë qënë gjithmonë të mbushura. Spordashësit e asaj kohë mezi e prisnin fundjavën për të parë ekipet etyre të zemrës, edhe ne po ashtu e prisnim me padurim trasmetimin, pasi ishte kënaqësia jonë e fundjavës që përcillej tek një masë e gjerë e dëgjuesve.
Cila ka qënë ndeshja që ju ka emocionuar gjatë transmetimit?
Ka shumë të tilla. Njëra që nuk mund ta harroj kurrë është ndeshja e ekipit tonë përfaqësues me Gjermaninë në Hanovër, më 11 tetor 1997, në kuadrin e eliminatoreve të Kupës së Botës. Ka qenë dramë e vërtetë, plot ankth dhe emocione, sidomos, në fundin e saj. Deri në minutën e 91-të rezultati ka qenë i mbërthyer në 3-3. Pas një minute gjermanët shënuan me anë të Bierhofit dhe na rrëmbyen fitoren, 4-3. Në Shqipëri, në ato çaste, ishin fikur dritat dhe njerëzit kanë gëzuar para kohe rezultatin e barabartë. Më vonë, unë kam dhënë një kronikë të zgjeruar dhe u mësua rezultati i vërtëtë.
Si ju duket brezi i ri i komentatorëve në radio dhe Tv?
Këta djem të rinj kanë sjellë një lloj transmetimi që nuk përshtatet me traditën tonë të transmetimit. Janë shumë emotivë, tregohen shumë tifozë. Këta sot janë duke kopjuar shumë shëmtuar komentatorët italianë. Dëgjoj ulërima dhe të bërtitura të panevojshme. Janë duke edukuar shumë keq shikuesin dhe dëgjuesin që kërkon më shumë respekt. Unë ndeshjet e rëndësishme i shikoj në komentin e gjuhës angleze ose italiane.
Keni nxitur drejt këtij profesioni disa komentatorë sportivë. Cilët janë ata?
Në vitin 1967 pas fillimit të transmetimit të televizonit me disa orë program ne kishim nevojë për gazetarë të rinj dhe në atë kohë janë afruar Vladimir Grillo dhe Ahmet Shqarri. Kurse pas viteve ’90-të, kam afruar Dritan Shakohoxhën dhe Dëfrim Met’hasanin. /tesheshi.com/