Këtë të enjte, për herë të parë, kreu i PD-së Lulzim Basha përmendi reformat e ish-qeverisjes ku bënte pjesë dhe ai, por pa specifkuar se në ç’fushë. Gjithçka ishte për inerci të replikave me kryeministrin Rama. Por ama, ai potencoi për të disatën herë, NATO-n dhe Vizat, si dy arritje të partisë së tij, gjatë qëndrimit 8 vite në pushtet. Edhe këto dy të fundit, janë një futje e sforcuar në ligjërimin e saj, pasi në kushte opozite nuk i përmendte si bilanc suksesi, derisa e pa të nevojshme që t’i fuste në lojë për hir të një biografie me nota pozitive për sa qeverisi.
Por a ishin vërtet NATO dhe Vizat suksese ekskluzive të PD-së, apo ishin produkte kontekstesh gjeopolitike prej të cilave përfitoi dhe qeverisja e saj në funksion të imazhit në raport me elektoratin vendas?
Ndryshe nga NATO që ishte një proces i gjatë me kontribut dhe nga qeverisja e PS-së, por që u finalizua në atë të PD-së, Vizat ishin vetëm të kësaj të fundit.
Por si erdhën ato deri te finalizimi dhe sa ka ose nuk ka meritë PD-ja?
NATO ndodhi në vitin 2009, me një parantezë në vitin 2008 kur u mor ftesa për anëtarësim, ndërsa vizat u hoqën në vitin 2011. Por kujtojmë se kjo ndodhi dhe me pesë vende të tjera në rajon: Kroacinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe pra Shqipërinë, duke lënë vetëm Kosovën në kënd. Pra Vizat nuk paskan qenë vetëm për ne, d.m.th vetëm për PD-në. Cili ishte konteksti, motivi më saktë?
Le ta nisim me NATO-n.
Shqipëria kishte firmosur Partneritetin për Paqe, pra paradhomën e anëtarësimit që në vitin 1995. Pas vitit 1997, në fakt pas vitit 1999 kur situata gjeopolitike ndryshoi tërësisht, NATO u fut me trupa të çlirojë Kosovën duke u mbështetur logjikisht në Shqipëri, që e ktheu në bazë të rëndësishme. Procesi për Shqipërinë nisi të përshpejtohet.
Ndërkaq, në vitin 2003, kur George W.Bush ishte President i SHBA, iu deshën aleatë të vegjël të shumtë në numër për ta cilësuar pushtimin e Irakut si një “Koalicion Botëror”. Kjo ngaqë vendet kryesore të BE-së, Gjermania, Spanja, Italia, Franca nuk morën pjesë në aleancën e udhëhequr nga SHBA.
Në Tiranë mbërriti vetë Sekretari i Shtetit i SHBA-së, gjenerali Colin Pawell, i cili firmosi të famshmen “Karta e Adriatikut”. Ky pakt parashikonte futjen e menjëhershme në NATO të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Me këtë kartë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në aleancën politiko-ushtarake më të fuqishme të botës u përshpejtuan. Uashingtoni e pikasi prej atëherë që faktori rus po fuqizohej me shpejtësi. Putin kishte nisur të fuqizohej ekonomikisht dhe po shtrinte influencën në Ballkan. Madje edhe jashtë vendeve sllave.
Kostas Karamanlis, atëherë kryeministër i Greqisë, nisi i pari kontaktet me Moskën, si një rrugë për të shpëtuar nga katastrofa e madhe financiare që po i afrohej këtij vendi anëtar të BE-së. Kreu i grupit negociator për anëtarësimin në NATO i qeverisë shqiptare u emërua një nga figurat e njohura publike të vendit, Agim Fagu.
Siç ka bërë të ditur më vonë pas anëtarësimit, ishte SHBA aktori që realisht ka shtyrë fort procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Greqia siç bëri me Maqedoninë ishte gati të vendoste veton edhe për Shqipërinë, por Uashingtoni e ndaloi që të bllokonte dy vende njëkohësisht. Në Maqedoni, Moska kishte nisur kontaktet e para me Gruevskin dhe siç duket SHBA e pikasi dhe nuk e ndaloi Athinën që të bënte veprimin e paralajmëruar.
Ndërkaq, në vitin 2008 kur merrej ftesa zyrtare që Shqipëria të pranohej në NATO, ndodhi një zhvillim i cili kishte të gjithë mundësitë në mos ta ndalonte, ta shtynte anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Samiti i krerëve të shteteve të NATO-s mbahej në Bukuresht në prill të vitit 2008.
Por më 15 mars të atij viti, në Gërdec, një fshat pranë Tiranës dhe fare pranë aeroportit të Rinasit, shpërthen një punishte demontimi predhash, ku si pasojë vdesin 26 vetë, ndër të cilët fëmijë dhe plagosen qindra të tjerë. Një fshat i tërë rrafshohet për tokë. Shqipëria futet në një krizë të tmerrshme lemerike. Në mes atij kaosi, në ambientet e spitalit ushtarak kryqëzohen Sali Berisha, kryeministri i vendit dhe Edi Rama, shefi i opozitës. Rama që mbërriti më vonë se Berisha e pyeti për pasojat dhe më pas i rrahu shpatullat rivalit të tij më të ashpër.
Dy ditë më vonë, gjatë një aktiviteti diplomatik në Tiranë, ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, John Withers i kërkoi Edi Ramës qëndrimin e tij zyrtar për anëtarësimin në NATO, pikërisht në atë kohë.
Në median shqiptare nisën të dalin lidhjet e qeverisë me Gërdecin, ndërkohë analistë si Mustafa Nano apo i ndjeri Andrea Stefani, bënin thirrje që anëtarësimin në NATO Berisha mund ta përdoriëpër të përqendruar më shumë pushtet rreth tij. Edi Rama tha zyrtarisht përpara ambasadorit amerikan se PS jep konsensusin e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Këtë deklaratë, ambasadori John Withers e quajti “një veprim prej burri shteti”. Protokolli i NATO-s,ftoi zyrtarisht në delegacionin që përfaqësoi Shqipërinë ne samitin e Bukureshtit, edhe kreun e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskajn.
Në samitin e Brukselit, Shqipëria dhe Kroacia u ftuan zyrtarisht të bëhen anëtare të NATO-s. Më 25 prill nisën zyrtarisht bisedimet dhe në korrik u firmos protokolli i anëtarësimit. Për herë të parë Shqipëria mori pjesë zyrtarisht në Samitin e NATO-s në Bruksel në vitin 2009, ku presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Barack Obama shtrëngoi duart në një takim të përbashkët me Stipe Mesiç, president i Kroacisë, Ivo Sanader, kryeministër, Bamir Topi President i Shqipërisë dhe Sali Berisha kryeministër.
Anëtarësimi në NATO ndikoi mjaft në fitoren relative të koalicionit të PD-së në zgjedhjet e 21 qershorit 2009. Shqipëria u anëtarësua në NATO si vullnet gjeopolitik i SHBA-së, pasi realisht vendi ynë nuk ka as fuqi ushtarake, as financiare e as politike. Por pas Gërdecit, kishte gjasa që anëtarësimi në NATO edhe të shtyhej, ndaj jo më kot Withers pyeti opozitën.
Kalojmë te Vizat.
Në vitin 2005, krerët e Shteteve të BE-së të mbledhur në Selanik, me shtytjen edhe të Athinës, e cila atëherë donte të dukej si liderja e Ballkanit, u vendos që për qytetarët e këtij rajoni të liberalizoheshin vizat e hyrjes në hapësirën Shengen.
Në vitin 2008, Komisioni Europian ndërmori një vendim që do ta konkretizonte në vitin 2008 me të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, përjashto Bosnjën dhe Kosovën, që të niste procesin e liberalizimit të vizave, duke kërkuar plotësimin e një sërë kushtesh.
Kushtet ishin politike, ato që dihen pra: demokracia, niveli parlamentar, dialogu me opozitën e tij; kurse tek kushtet teknike, thelbi ishte vendosja e një sistemi TIMS ku të gjithë qytetarët që dalin nga Shqipëria duhet të skanohen në kohë reale në të gjithë shtetet e hapësirës Shengen.
Nga viti 2008, BE vendosi lehtësimin e vizave për qytetarët e Ballkanit, pra dhënien e vizës në një procedurë më të qetë. Kjo ishte një provë për të parë a do të ishte një dyndje që mund të shqetësonte BE-në, e cila pas krizës ekonomike kishte nevojë edhe për krahë pune të kualifikuar.
Pas kësaj prove, në vitin 2010, Komisioni Europian vendosi që qytetarët e 5 vendeve ballkanike të hyjnë në shtetet e hapësirës Shengen vetëm me pasaportë biometrike, pra pa vizë. Vendim u konkretizua më 1 janar 2011. Impakti qe normal dhe BE nuk vuri re një dyndje, çka frikësoheshin shumë qarqe në Bruksel.
Vendimi i Brukselit u mor njëkohësisht për të gjithë vendet e Ballkanit, përveç Bosnjë-Hercegovinës, e cila ka probleme të funksionimit si shtet, por edhe lidhjes së ngushtë me Moskën, si edhe Kosovën që nuk njihet nga 5 vende të BE-së, të cilat mund të vendosnin veton në Komisionin Europian.
Vendimi u more në bllok dhe nuk pati ndonjë selektim për një vend të caktuar. Në atë vit mësohet se BE foli fort për çështjën e Lazaratit, pra për kultivimin e drogës që nuk u ndal, si dhe trafikimi e saj, por realisht nuk e vuri si kusht, pasi vendimi ishte politik.
Po reformat e qeverisjes së PD-së cilat kanë qenë?
Reforma më e rëndësishme e qeverisë “Berisha” në mandatin e parë që u vlerësua edhe nga ndërkombëtarët, ishte reforma fiskale e Ridvan Bodes. Ministri i Financave i PD-së, duke ndjekur modelin e Nikolla Gruevskit në Maqedoni,(edhe ai i suksesshëm në mandatin e parë) vendosi taksën e sheshtë 10% për çdo biznes dhe nisi një fushatë të fortë formalizimi.
Në dy vitet e para, edhe pse pati një krizë të rëndë energjitike në vend, të ardhurat buxhetore u rritën ndjeshëm, sa në vend pati edhe një optimizëm nga ana e indikatorëve financiarë. Deri në vitin 2008, kur shpërtheu kriza e tmerrshme financiare botërore, ekonomia shqiptare po ecte jo keq.
Sali Berisha e mori qeverinë nga Fatos Nano me një rritje ekonomike 6%, duek patur dhe një kërkesë të madhe për investime nga viti 2005-2007. Këto investime u ingranuan kryesisht në ndërtime pallatesh banimi, si dhe në bare e restorante. Madje u morën dhe shumë kredi nga bankat e nivelit të dytë që e lëshuan dorën fare.
Periferitë e Tiranës, Yzberishi, Unaza e Re, Farka, u ktyen në kantiere masive ndërtimi që i administronin kryetarët e komunave përreth kryeqytetit, pasi qeveria ja hoqi të drejtën e bashkisë së Tiranës që drejtohej nga kreu i opozitës Edi Rama. Ndërtime pati edhe në bregdet, sidomos në zonën e Orikumit, ndërkohë që Saranda vazhdoi betonizimin e saj.
Por ç’ndodhi? Këto ndërtime kishin defekte të rënda: ishin kryer në troje të pazgjidhura ligjërisht dhe u kryen pa u urbanizuar zonat me ujë, energji dhe kanalizime. Kjo u kthye në një situatë kaotike me shpërthimin e krizës së vitit 2008. Një pjesë e madhe e pallateve që ishin ndërtuar me skemë mashtrimi nuk përfunduan investimet, banorët që kishin dhënë një pjesë parash u futën në pallate gjysëm të përfunduara. Disa ndërtues ikën sa sytë këmbët. Një pjesë e këtyre ndërtuesish ishin thjesht mashtrues.
Kjo solli që shumë banesa edhe në pallatet e përfunduara nuk shiteshin. Ndërtuesit nuk kishin lekë dhe paguanin kompanitë e pllakave apo të hekurave e betonit jo me para por me hyrje, pra me klering. Një ish-deputet që është prodhuesi më i madh i betonit në Tiranë, thuhet se ka një dhomë plot e përplot të mbushur me çelësa hyrjesh pallati që i ka marrë si klering dhe pret të rriten çmimet. Bankat pas vitit 2008 nuk dhanë më kredi, pasi nuk po ktheheshin të parat.
Qeveria “Berisha” megjithatë nuk u ndal me planin e ndërtimit të rrugëve jo vetëm kryesore por edhe rurale. Por kompanitë e mëdha të ndërtimit, që ishin edhe aktorë në katrahurat e pallateve nuk paguheshin për kontratat publike dhe kjo futi në impas ekonominë. Qeveria ndërmori një fushatë për të dhënë me konçension hidroçentrale, apo edhe centrale me erë, si dhe fabrika çimentoje, por ata nuk mund të jepnin impakt menjëherë. Vendi u fut në krizë.
Në vitin 2009, qeveria që drejtohej nga Sali Berisha vendosi të shesë OSHE-në tek një kompanie çeke siç ishte CEZ. Por kjo aferë përfundoi në dështim të thellë. Çekët pas vetëm 3 vjetësh u përplasën me qeverinë dhe Berisha i ndërpreu kontratën, për të vazhduar më pas me bëmat e mëdha për histori abuzimesh dhe korrupsioni. Ndërkaq, ajo që mbahet mend tjetër nga ana e qeverisë së Sali Berishës në ,andatin e parë ishte edhe sulmi ndaj bandave, ku u arritën të kapen kapo si Aldo Bare apo Lul Berisha. Por tempi ra vetëm pas dy vitesh.
Në fakt duhet thënë se qeveria e PD-së nisi edhe kontratat e mëdha të investimeve si ai i TAP apo dhënia e ndërtimit të Hidrocentralit të Banjës, porosi e Kongresit të 9 të PPSH-së, kompanisë shtetërore norvegjeze. Këto janë investime shumë serioze dhe me impakt të madh, por frytet e tyre po i shijon Edi Rama që gjithsesi nuk ka lënë pa ia dhënë meritën pasardhësit, për të dyja rastet.
Megjithatë, mangësia më e madhe e ish-qeverisjes Berisha, ishin pikërisht reformat. Shumë nga problemet e thella në disa sektorë, u bënë dhe më të thella. Pikërisht nga mungesa e kurajos për reforma. Të mbetesh vetëm me NATO-s dhe Vizat si suksese, është afrmim – pa dashje – i një dështimi. /tesheshi.com/