Kryetari i Lidhjes Demokratike (LD) dhe Ish ministri i punëve të Brendshme, të Maqedonisë Pavle Trajanov ka akuzuar pushtetin për vrasjen e policëve gjatë aksionit të djeshëm në Kumanovë, duke theksuar se dikush i hodhi policët si ‘mish për top’.
“Ajo që mund të theksohet është se shërbimet e sigurisë në krye me policinë i kanë hedhur në zjarr policët. Nuk dua të futem në spekulime të ndryshme për skenarët e mundshme. Duhet të presim për stabilizimin e situatës, pasi ende nuk dihet se kush qëndron prapa këtyre sulmeve dhe cilat janë qëllimet e tyre. Fillimisht na ndodhi Gushinca, tani ‘Lagjia e Trimave’, atëherë përgjegjësinë duhet ta bartë pushteti. Nuk mundte për gjithë këtë të akuzohet opozita, kjo është larg mendjes”, tha Pavle Trajanov, nga Lidhja Demokratike e cila është pjesë e koalicionit qeveritar.
Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski sot ka vizituar policët e plagosur në Klinikën e Shkupit. Gruevski ka qëndruar pranë të plagosurëve duke i inkurajuar ata dhe duke i shprehur mirënjohje.
Deri tani numri i policëve të plagosur raportohet të ketë kaluar mbi 20 persona. Por nga ana tjetër, detaje zyrtare pritet të jepen gjatë konferencës së sotme për media të MPB-së të paralajmëruar për orët e pasdites.