Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naser Rugova, anëtar i LDK-së dhe i afërm i familjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, në një intervistë për tesheshi.com rrëfen një detaj tejet interesant të të ndjerit president, atë që ka të bëjë me moralin e nevojshëm të politikanit e burrështetasit, por që sot u mungon udhëheqësve të Kosovës, atyre që e qeverisin, qoftë dhe nga partia që ai themeloi.
Ndër të tjera, Naser Rugova flet pak, por me shumë domethënie mbi heshtjen e çuditshme të së bijës në parlament, Teuta Rugovës.
Vetë ai thotë se nuk e ka pranuar koalicionin me PDK-në e Thaçit, akt që sipas tij po e jep efektin negativ të një zgjedhjeje jo të duhur politike…
Intervistoi: Blendi Gashi
Ku gjendet sot politikani Naser Rugova?
Aktualisht jam duke vazhduar studimet e doktoraturës. Jam kryetar i Akademisë italiane të Nutricionit pranë Kolegjit Fama, e para e këtij lloji në Evropën Juglindore. Ndihem mirë me punën që bëj në edukimin e brezave, por edhe në mënyrë aktive përcjelli situatën politike dhe rrjedhat e përgjithshme në vendin tonë.
Ju keni thënë se gjatë karrierës politikë, asnjëherë nuk e keni shfrytëzuar të qenurit anëtar i familjes Rugova, emrin e Presidentit. Ndërkaq, a ju është ofruar ndonjë post në koalicionin e tanishëm?
Unë kam qenë ndër të parët që e kam kundërshtuar publikisht këtë koalicion dhe kam deklaruar me kohë që nuk do pranoja asnjë post në këtë kombinim qeverisës. Koha po tregon që kam rezonuar drejt. Në politikë nuk jam vetëm për ndonjë post politik apo qeveritar, por që me kontributin tim modest të kontribuoj për një të ardhme më të mirë të vendit tim dhe për një ardhmëri me prespektivë për fëmijët tanë.
Duke patur parasysh trendin e trazuar të politikës kosovare, ç`ju sjell ndër mendje diçka nga i ndjeri president Rugova?
Po, po e ndaj me lexuesit e portalit tuaj një rrëfim mbi presidentin Rugova, një episod që flet shumë, ka shumë mesazh dhe që mund të vlejë për çdokënd në politikë që dëshiron të mbetet faqebardhë . Pasi Presidenti kishte mbrojtur temën e doktoraturës, një grup shokësh shkojnë për ta uruar.
Njëri nga ata (inxhinier i njohur ), i thotë: “Ibrahim, disi dobët po qëndron me shëndet”. Kurse Presidenti ia kthen: “Po, sepse malësori kur zbriti në qytet të punojë dhe jetojë, kishte dy rrugë: Ta humb, ose fytyrën ose shëndetin, dhe unë e kam zgjedhur këtë të dytën”.
Presidenti ka qenë njeri i gjithanshëm, ku përpos vlerave intelektuale, politike, nacionale dhe atdhetare, ka pasur njohuri të gjëra dhe për traditën, zakonet, mentalitetin e popullit. Sa herë, me shumë mjeshtëri, por dhe me humor, na rrëfente momente të punës dhe veprimtarisë së tij personale.
Vajza e presidentit të ndjerë, Teuta Rugova nuk është aq e zëshme në Parlament. Pse kjo heshtje nga ana e saj, mungesa e përvojës politike apo…?
Teuta është vajzë e edukuar dhe arsimuar si duhet. Nganjëherë edhe heshtja flet mjaft për të gjitha.
Kuvendi është i bllokuar prej ca zhvillimeve të pazakonta. Si ish-deputet, si e po përjetoni ato ç`ka shihni?
Kuvendi është tempulli i demokracisë, zëri i vullnetit politik të popullit. Debatet duhet të zhvillohen në Kuvend për të gjitha çështjet. Edhe mospajtimet, kundërshtimet pozitë – opozitë duhet të përballen në Kuvend. Mjetet e dhunshme janë në kundërshtim me rregulloren e punës së Kuvendit. Bllokimi i punës së Parlamentit është mesazh jo i mirë për qytetarët, sepse bllokon jetën politike dhe institucionale, shkakton krizë politike dhe si pasojë edhe stagnim të përgjithshëm.
Dhuna është e papranueshme, por edhe pozita duhet të dëgjojë zërin opozitar dhe, për çështje të rëndësishme është i nevojshëm koncenzusi nacional. Këto trende të muajve të fundit dhe kjo klasë politike frikësohem se po e dëmton shumë të ardhmen e vendit. Nëse nuk reflektojnë të dy palët, situata mund të eskalojë dhe pasojat mund të jenë të paparashikueshme.
Takimet që po mbahen te presidentja Jahjaga sa mund të jenë të dobishme për rikthimin e qetësisë politike në vend?
Presidentja është simbol i unitetit të popullit, si posti më i lartë në vendin tonë ashtu siç edhe e parasheh Kushtetuta e vendit tonë. Besoj në racionalitet, në marrëveshje, në koncenzus, uroj që takimet të vazhdojnë, që politika të bëhët në institucione dhe jo në rrugë. Në të kundërtën nuk na këndohet këngë e mirë.
LDD, partia në të cilin punuat për disa vite u shua. Pse? Tani jeni anëtarë i LDK-së. Si e keni parë Kuvendin e fundit zgjedhor të partisë suaj, ishte demokratik apo jo?
LDK ishte shtëpia, ndërsa LDD një pjesë e kësaj shtëpie. Ishim një brum, një ideologji, vëllezër. Ndarja ishte e dhimbshme, ishte shkurtpamësi e lidershipit të asaj kohe të LDK-së. Tani jemi të gjithë bashkë, por prapseprap nuk dolëm të parët. Kam pritur më shumë debat, objektiva dhe hapesirë demokratike në këtë Kuvend. Unë jam ithtar i votës së fshehtë, por Kuvendi vendosi ndryshe. Mendoj se organet udhëheqëse duhet të reflektojnë fuqishëm, sidomos pas një koalicioni jo të dëshirueshëm nga elektorati rugovjan me PDK-në.
LDK-ja ka shumë nevojë për hapje, mendim ndryshe dhe për hapësirë veprimi, nësë pretendojmë të dalim të parët, në të kundërtën s’do dalim mirë në garat e ardhshme elektorale.
A ekzistojnë grupe brenda LDK-së që po e pengojnë ringjalljen e saj. Sipas jush a do të forcohej partia po të merrte udhëheqjen Vjosa Osmani?
Unë jam reformator nga koncepti i veprimit. Në LDK ende vazhdon të bëjë politikat një klan konzervativ që nuk ka preferencë intelektuale dhe koncepte moderne të profilizimit dhe zhvillimit të partisë.
Edhe në këtë Kuvend u bënë pazare jo parimore, eleminime dhe anashkalime të shumë figurave që u votuan fuqishëm nga baza dhe u avansuan në forume udhëheqëse njerëz që në zgjedhjet e fundit pësuan debakël zgjedhor si për Parlament ashtu edhe në zgjedhjet e partisë. Besoj se kjo logjikë do të ndryshojë dhe këto gabime do të evitohen në proceset në vazhdim. LDK ka nevojë për ide, gjak të ri dhe koncept, dinamik veprimi.
Mendimi juaj për koalicionin PDK-LDK. Si po e qeverisin vendin këto dy parti rivale dhe a do ta çojnë mandatin në fund?
Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem kundër këtij koalicioni. Kam pritur më shumë nga qeverisja e pjesës së LDK-së. Sondazhet e fundit për autoritetin e qeverisë dhe Kuvendit flasin mjaft se si e përceptojnë qytetarët këtë qeverisje. Ky koalicion e ka dëmtuar LDK-në.
Nëse vendi shkon në zgjedhje. a do të jeni në listën e LDK-së për deputet dhe a pritni që ta rifitoni këtë pozitë?
Unë jam institucionalist. Nësë propozohem nga baza, nga dega e katërt e LDK-së në Prishtinë, sigurisht që do i përgjigjem bazës sime të cilët në zgjedhjet e fundit të partisë më votuan fuqishëm.
Akademik Daci ka thënë se pas vdekjes së Rugovës, lider i pakonkurrencë është Thaçi. Mendoni njëjtë apo kë e shihni të tillë?
Nuk i komentoj vlerësimet e të tjerëve. Thaçi është lideri më i votuar me fajin e LDK-së dhe lidershipit të saj, dihet ku arriti Kosova me Thaçin.
A i ndjekni zhvillimet politike në Shqipëri. Si po qeverisë Edi Rama dhe si po bën opozitë PD e Lulzim Bashës?
I përcjell me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe në tërë etnikun shqiptar. Qytetarët shqiptar i besuan konceptit të Ramës në zgjedhjet e fundit. Thënë të drejtën kam pritur më shumë, kam pritur qetësi politike në Tiranë, por realiteti është më ndryshe. PD duhet të jetë më aktive dhe më konkrete, sepse është parti me traditë.
Për fund, çfarë zhvillime politike mund të ndodhin më 2016?
Uroj që Kosova mos të trazohet politikisht, uroj në qëndrueshmëri politike dhe sociale, pres rezonim dhe reflektim racional të klasës politike, sidomos të koalicionit qeverisës, pres koncensus për çështje të rëndësishme nacionale. Çdo trend tjetër na dëmton si vend dhe si popull si dhe na largon nga aspiratat integruese dhe zhvillimore. /tesheshi.com/