Ndërsa opozita kosovare paralajmëron se do të bëjë çdo gjë për të ndalur ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionion me Malin e Zi kurdo që vijë në Kuvend, kryeministri Isa Mustafa vazhdon me deklarimet e tij të njohura se demarkacioni do të miratohet dhe se duhet t’i besohet ekspertizës së Komisionit Shtetëror dhe atij të Departamentit Shtetëror të Amerikës.
“Ne kemi vlerësuar punën e Komisionit Shtetëror prandaj duhet ta pranojmë ekspertizën profesionale që është bërë dhe nuk kemi asnjë kontest me Malin e Zi, me të cilën kemi marrëdhënie të shkëlqyera”, është shprehur Mustafa kur është pyetur nga gazetarët për çështjen e demarkacionit.
Kryeministri më tej ka deklaruar se Kosova nuk ka asnjë kontest shtetëror me Malin e Zi dhe se kultivon marrëdhënie të shkëlqyeshme fqinjësore.
“Demarkacioni është çështje që duhet të rregullohet. Një nga kriteret për liberalizim ka qenë edhe kontrolli i kufijve dhe çështja e demarkacionit. Nuk kemi asnjë kontest shtetëror me Malin e Zi. Duhet të forcohet dhe të shtohet fuqia e Kuvendit dhe në parlament duhet të kemi njerëz që nuk bien ndesh me ligjin”, ka thënë Mustafa. /tesheshi.com/