Kreu i LDK-së, ish-kryeministri Isa Mustafa, ka shprehur dëshpërimin e tij në lidhje me reagimin e Brukselit ndaj ligjit të fundit të miratuar për “Trepçën”, duke kërkuar që kjo e fundit të jetë pjesë e dialogut me Beogradin
“Më habiti kërkesa e BE-së që çështja e Trepçës të trajtohet në dialogun me Serbinë. Kosova në asnjë fazë nuk ka pranuar që për Trepçën dhe pasuritë e saj natyrore të cilat janë në territorin e saj, të dialogojë me Serbinë. Është kjo një kërkesë absurde dhe e papranueshme, ashtu siç është e papranueshme që me Serbinë të dialogohet për kufijtë dhe për territorin e Kosovës”, shprehet Mustafa në FB.
Ai kujton se dhe vetë ai ka luajtur një rol për “Trepcën” kur udhëhiqte qeverinë.
Në mandatin, kur unë isha kryeministër i vendit, përgatitëm dhe aprovuam Ligjin për Trepçën, duke e shpëtuar këtë simbol ekonomik të vendit nga falimentimi dhe privatizimi. Deputetët e LDK-së votuan para disa ditësh Statutin e Trepçës, i cili mori 2/3 e votave në Kuvend. Kjo flet për unitetin tonë karshi interesave jetike të vendit. Duhet të jemi bashkë dhe fuqishëm të kundërshtojmë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror. Çështjet e shtetësisë sonë! Sepse, kështu si kanë filluar, një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë!“, shkruan Mustafa. /tesheshi.com/