Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka ripërsëritur qëndrimin se partia e tij nuk do të bashkëqeverisë me PDK-në e Kadri Veselit, ndërsa nuk e ka përjashtuar mundësinë që LDK të përfshihet në qeverinë e ardhshme.
“Në qoftë se e gjejmë hapësirën për të marrë pjesë në qeverisje, duke e ruajtur edhe subjektivitetin tonë, të themi edhe si koalicion edhe si LDK, hyjmë. Në qoftë se jo, ne e ndjemë veten shumë mirë në opozitë gjatë kësaj periudhe, që t’i ndihmojmë vendit përmes opozitës”, ka thënë Mustafa në një intervistë për Radio “Evropa e Lirë”.
Ai ka thënë se partia e tij mbetet e hapur për AAK-në e NISMA-n nëse këto subjekte largohen nga PAN.
“Ne jemi në gjendje që të bisedojmë me AAK-në por kur ata të mos jenë në koalicion me PDK-në ose për Nismën. Edhe me Vetëvendosjen do të shohim se çfarë mund të përafrohet në pikëpamjet e programeve. Por, në fakt ne në asnjë rast nuk jemi të përcaktuar ose nuk e ndjejmë veten komod që të hyjmë në qeverisje sepse ne kemi qenë në qeverisje dhe nuk ju kemi pëlqyer këtyre që na lusin sot të qeverisim me ta, që ta qeverisim vendin”, ka deklaruar Mustafa.
Ai më tej ka thënë se po e sheh të vështirë formimin e qeverisë edhe pse do dëshironte të formohej qysh nesër.
“Mjerë ajo qeveri e cila mbetet peng i dy, tre apo katër deputetëve ose peng i 10 deputetëve të Listës Serbe, të cilët nesër, kur të duan hyjnë në sallë dhe kur të duan e lëshojnë sallën dhe asnjë ligj nuk mund të procedohet në Kuvend, në qoftë se nuk marrin pjesë në votimin e atij ligji 61 deputetë”, ka pohuar ai. /tesheshi.com/