Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përcjellë konsiderata ndaj kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe gjestit të tij të prezencës në tryezën e së hënës thirrur nga presidentja Jahjaga. Me anë të një postimi në FB, ai madje ka theksuar dhe statusin e dikurshëm të Haradinajt, atë të të një “luftëtari”.
“Ishte një gjest i mirë i liderit të AAK-së, i cili iu përgjigj ftesës së Presidentes për të marrë pjesë në një tryezë të përbashkët, pozitë-opozitë. E vlerësoj këtë pjekuri politike për vendin, nga një luftëtar, pa marrë parasysh se çfarë kanë qenë qëndrimet e z. Haradinaj, çfarë ka prezantuar dhe çfarë nuk ka prezantuar. Fundja, ishte bashkëbisedim.”
Por ndër të tjera, shefi i qeverisë kosovare ka hedhur sërish kritika ndaj opozitës për mënyrën e zgjedhur prej saj në kundërshtinë ndaj Asocacionit dhe Demarkacionit.
“Shtrohet pyetja, pse duhet të ftohen qytetarët të protestojnë në Kryeqytetin tonë, pse duhet të hedhet gaz lotsjellës në Parlamentin e Kosovës e sprej helmues nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit; pse duhet të digjen ndërtesat e Qeverisë e të hedhen shishe të ndezura me benzinë në policët e Kosovës, e mos të bashkëbisedohet për temat, të cilat shfrytëzohen si pretekst apo kauzë për këto veprime.”
/tesheshi.com/