Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të lëvrojnë këto ditë një ndihmë financiare për Shqipërinë pas mbylljes së plotë të operacionit të sjelljes së muxhahedinëve të popullit nga Kampi i Lirisë në Irak.
Një delegacion i lartë i UNCHR-së dhe i Departamentit Amerikan të Shtetit do të mbërrijë këto ditë në Tiranë për ta ndjekur nga afër çështjen dhe për të biseduar me iranianët e strehuar në një zonë në periferi të kryeqytetit.
Siç mësohet, Uashingtoni ka zhvilluar këto ditë edhe bisedime me Teheranin zyrtar, duke i kërkuar që të mos i ndjekë dhe sulmojë pjesëtarët e opozitës zyrtare të regjimit iranian.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, e ka përshëndetur dje pritjen e muxhahedinëve iranianë nga qeveria shqiptare. Pas reagimeve të Shtëpisë së Bardhë, dje ai ka folur për këtë çështje, teksa ka pranuar vetë publikisht se gjatë vizitës që bëri në Tiranë në fokus ishte pikërisht marrja e muxhahedinëve. Edhe pse në atë kohë qeveria “Rama” e mohoi këtë gjë, duket se ka ndodhur krejt ndryshe.
“Kam vizituar Tiranën në fillim të këtij viti dhe kam diskutuar me qeverinë shqiptare për të ndihmuar në lehtësimin e transferimit dhe në zhvendosjen e grupit të fundit të anëtarëve të MEK-ut nga Kampi i Lirisë.
Shqipëria ka një traditë krenare të mbrojtjes së komuniteteve në nevojë, ashtu siç bëri gjatë konfliktit në Kosovë dhe në strehimin në numër të madh të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Unë jam shumë mirënjohës që edhe në këtë rast Shqipëria ishte e gatshme për të luajtur një rol të rëndësishëm humanitar,” ka thënë John Kerry.
Por ka reaguar menjëherë Irani zyrtar. Në një pamflet të botuar në radion iraniane, qeveria e Teheranit thekson se Shqipëria u “shit për dy lekë” dhe i pranoi terroristët e grupit Munafekin, të cilët janë në listën e zezë të SHBA-ve dhe të BE-së.
Ja akuzat e plota të Iranit
“Anëtarët e grupit terrorist Munafekin (MKO) u transferuan nga kampi Liberty në Bagdad për në Shqipëri, por cila ishte arsyeja që Shqipëria u zgjodh si strehë për ta?
Që nga fillimi i vitit 2016, rreth 2000 terroristë të grupit Munafekin u larguan nga Iraku për në Shqipëri. Megjithëse pretendohet se të gjithë anëtarët e grupit terrorist Munafekin janë larguar nga territori i Irakut, sipas një raporti të kanalit televiziv Al Alam, 600 pjesëtarë të këtij grupi ndodhen akualisht në kampin amerikan Kruper në Irak. Sipas planit, ishte parashikuar që transferimi i terroristëve munafekin nga Iraku të zgjaste vetëm disa muaj, por sipas ambasadorit të Iranit në Bagdad, presionet e amerikanëve u bënë shkak që ky proces të zgjasë katër vite. Duket se një nga arsyet e zgjatjes së procesit të largimit të anëtarëve të grupit terrorist Munafekin nga Iraku ishte qëllimi i Amerikës për ta përdorur këtë grup si mjet presioni ndaj Teheranit gjatë negociatave bërthamore me Iranin. Përveç krimeve të shumta kundër qeverisë dhe popullit iranian, grupi terrorist Munafekin ka bashkëpunuar me regjimin e Sadamit në shtypjen dhe masakrimin e shiitëve dhe kurdëve të Irakut. Si rrjedhim, pas pushtimit të Irakut nga SHBA-të, funksionarët irakianë vazhdimisht kanë kërkuar largimin e këtij grupi terrorist nga Iraku. Forcat popullore irakiane disa herë kanë sulmuar bazën e mëparshme të terroristëve (Ashraf), dhe kjo bëri që ata të transferon nga baza Ashraf në kampin amerikan Liberty. Por shtrohet pyetja, pse u zgjodh Shqipëria për strehimin e anëtarëve të grupit terrorist Munafekin?
1-Kryesia e grupit terrorist Munafekin, gjatë bisedimeve të SHBA-ve dhe OKB-së me vendet e tjera, u përpoq të bindte ndonjë vend fqinj të Iranit për strehimin e anëtarëve të këtij grupi me qëllim që, siç thonë ata, të ruanin presionin ndaj Iranit. U fol për strehimin e terroristëve në Republikën e Azerbajxhanit apo në Jordani, por këto vende nuk pranuan. Kundërshtimi i vendeve fqinje të Iranit ishte i kuptueshëm, sepse strehimi i këtij grupi terrorist do të dëmtonte marrëdhëniet me Republikën Islamike të Iranit.
2-Një nga propozimet mbi të ardhmen e anëtarëve të grupit terrorist Munafekin ishte ndarja e tyre në disa grupe dhe strehimi në vende të ndryshme. Ky propozim u kundërshtua nga kryetarja Merjem Raxhavi dhe nga disa vende perëndimore. Pa dyshim, shpërndarja e anëtarëve të grupit terrorist Munafekin nëpër vende të ndryshme do të ishte plumbi i fundit mbi trupin e sakatosur të kësaj organizate terroriste, dhe këtë nuk e donin as krerët e kësaj organizate dhe as përkrahësit e tyre. Sipas krerëve të grupit terrorist Munafekin, prania e të gjithë anëtarëve në një vend do të ruante forcën e këtij grupi dhe do të evitonte shpërbërjen e tij. SHBA-të dhe vendet europiane u përpoqën për strehimin e të gjithë anëtarëve të grupit Munafekin në një vend të vetëm, me qëllim ruajtjen e kompaktësisë së kësaj organizate terroriste.
3-Heqja e grupit terrorist Munafekin nga lista e grupeve terroriste nga SHBA-të dhe BE-ja, përkrahja e disa anëtarëve të Kongresit amerikan për munafekinët, lidhjet e tyre me përkrahësit europianë dhe financimi i tyre nga shtetet perëndimore, flasin qartë se shtetet perëndimore dhe grupi terrorist Munafekin kanë plane bashkëpunimi. Perëndimorët, me në krye SHBA-të, synojnë ta shfrytëzojnë grupin terrorist Munafekin për programe spiunazhi e sabotazhi, dhe si mjet presioni ndaj Iranit. Shqipëria u zgjodh sepse nuk është vend anëtar i BE-së, dhe nuk është e obliguar të zbatojë ligjet e këtij unioni, prandaj dislokimi i anëtarëve të grupit terrorist Munafekin dhe veprimet e tyre çnjerëzore e antidemokratike nuk përbëjnë ndonjë përgjegjësi për BE-në.
4-Para disa vitesh, grupi terrorist Munafekin ndodhej në listën e zezë të grupeve terroriste të BE-së dhe të SHBA-ve, por fillimisht BE-ja, dhe më pas Amerika, e hoqën emrin e këtij grupi nga lista e grupeve terroriste. Heqja e emrin të grupit terrorist Munafekin nga lista e grupeve terroriste nuk e ndryshon karakterin terrorist të këtij grupi, prandaj vendet perëndimore, për shpëtuar nga kërcënimet eventuale të këtij grupi, zgjodhën Shqipërinë për strehimin e terroristëve. Ata i premtuan Shqipërisë ndihma ekonomike dhe anëtarësim në BE. Gabohemi nëse mendojmë se Amerika dhe BE-ja me heqjen e emrit të këtij grupi nga lista e grupeve terroriste nuk e konsiderojnë atë si një grup terrorist. Qëndrimi i tyre ndaj grupit Munafekin dëshmon qartë se Amerika dhe BE-ja vazhdojnë ta konsiderojnë atë një grup terrorist, por dëshirojnë ta shfrytëzojnë për interesat e tyre, dhe si mjet presioni ndaj Iranit. Krerët e grupit terrorist Munafekin, me transferimin e plotë të anëtarëve të këtij grupi në Shqipëri, janë bashkuar me elementët e tyre. Për këtë dëshmon fakti që anëtarët e këtij grupi kërkuan ngritjen e një selie tjetër përkrah selisë kryesore të tyre në Tiranë. Ata kanë ndërtuar selinë e quajtur “Mozhgan” përbri selisë “Tirana”, dhe në këtë seli të re do të strehohen nën masa tepër të rrepta sigurie krerët e grupit terrorist Munafekin.
5-Shqipëria, që për afro pesë dekada ka qenë një shtet i izoluar komunist, ka probleme të theksuara sociale, ekonomike dhe infrastrukturore, dhe si rrjedhim ka nevojë për ndihma ekonomike dhe për anëtarësim të shpejtë në BE, për të përfituar nga aspektet ekonomike të anëtarësimit eventual në këtë union. Në fund duhet thënë se burime nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë nuk kanë pranuar ta publikojnë numrin e saktë të anëtarëve të grupit terrorist Munafekin të strehuar në Shqipëri, por sipas radios Zëri i Amerikës, në Shqipëri janë strehuar mbi 3000 pjesëtarë të grupit terrorist Munafekin.” /tesheshi.com/