Intervistë e vitit 1977 me gazetaren Barbara Walters
Në maj 1975, isha mes gazetarëve që shoqëruan një senator amerikan në një udhëtim në Kuba. Në atë kohë, takova Fidel Kastron, i cili kishte një zakon të zhdukej e të dilte papritur në stilin e rojeve vetmitare. Gjatë një prej shfaqjeve të tij në publik, e pieta nëse mund ta intervistoja gjerëissht. Kastro ra dakord që në çdo kohë në të ardhmen që ai do të jepte një intervistë televizive për një reporter amerikan, do të isha unë. Ai më premtoi se do lidheshim brenda vitit, por kurrë nuk më sqaroi brenda cilit vit.
Prita për dy vjet. Çdo disa muaj shkruaja ose telefonoja në misionin kubanez në OKB në Nju Jork, duke u kujtuar atyre premtimin e Kastros. Më në fund, përgjigja erdhi “po” dhe unë u ktheva në Kubë më 16 maj, 1977.
Gjeta një Fidel Kastro të sjellshëm. Ai më kërkoi falje që më bëri të pres kaq gjatë dhe tha se dëshironte të bashkëpunonte tani me mua. Kastro (që u kërkoi gjithë pjesëtarëve të ekipit ta thërrisnin Fidel, përveç kohës së intervistës) më sugjeroi disa vende ku ai do na shoqëronte personalisht. Zgjodha Gjirin e Derrave dhe malet Maestre ku ai jetoi me një ushtri të vogël luftëtarësh guerrillë për tre vjet përpara se të vinte në pushtet.
….Kastro flet anglisht me ndalesa dhe pranoi të fliste këtë gjuhë vetëm në pyetjen e fundit, për shkak se nuk shprehej dot mirë. Pjesa më e madhe e pyetjeve u dha në spanjisht me përkthim simultant.
Kastro veçanërisht dukej i dëshiruar të vinte në dukje gjatë intervistës se ai ishte revolucionar dhe komunist shumë përpara se të vinte në pushtet. Ai këmbënguli se gazetarët që shkruanin të kundërtën nuk tregoheshin korrektë. Ai u bë komunist, siç tha, përmes leximeve në kolegj. Kastro nuk dëshiron që amerikanët të besojnë se ai do të ndryshonte filozofinë e tij nëse marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kubës përmirësohen.
Specialja prej 1 ore “Flet Fidel Kastro” u shfaq në ABC News mbrëmjen e 9 qershorit, 1977. Por në një veprim të paprecedent, Kastro e shfaqi të gjithë intervistën prej pesë orësh, së bashku me diskutimet tona, argumentet dhe konfliktet që patëm, në televizionin shtetëror të Kubës. Pjesa e vetme që ai kishte fshirë ishte pyetja ime nëse ishte i martuar dhe përgjigja e tij evazive “jo formalisht”.
Më poshtë janë disa pjesë të intervistës të shkëputuar nga transkripti i viti 1977.
Kur do të kenë marrëdhënie normale vendi juaj dhe imi?
Unë besoj se Karteri personalisht duhet të heqë shumë pengesa të brendshme. Historia ka provuar se çdo ndryshim në politikën amerikane ka nevojë për kohë dhe se duhen kaluar pengesa.. nuk është e mundshme që në katër vjetët e ardhshëm të rivendosen marrëdhëniet nëse duam rivendosjen e tyre mbi baza serioze dhe solide. Ndoshta në mandatin e dytë të Karterit, midis viteve 1980-1984.
Supozojmë se embargoja hiqet… a do të thotë kjo marrëdhënie të normalizuara?
Mendoj se do të jetë një hap drejt marrëdhënieve normale. Atëherë ne mund të ulemi me kushte të barabarta dhe të diskutojmë diferencat midis Shteteve të Bashkuara dhe Kubës. Mund të diskutohen shumë probleme.
A do të lejoni kubanezët të vizitojnë vendin tim, familjet e tyre?
Jo derisa marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të normalizohen.
A ka ndonjë mënyrë për të liruar të burgosurit amerikanë?
Nuk mund ta angazhoj veten tani për të marrë ndonjë masë, por nëse ka diçka që mund të merret në konsideratë, kjo do të bëhet. Ju nuk mund të shpresoni se ne do i lirojmë të gjithë, pasi mes tyre janë disa agjentë të rëndësishëm të CIA-s… dhe duke folur për gjeste, kam dëshuar se jeni shqetësuar për disa nga këta agjentë të CIA-s që janë në burg dhe kjo është humane: dhe pyes veten përse nuk ka pasur asnjëherë përpjekje për të liruar Lolita Lebron, për shembull, dhe një grup patriotësh nga Puerto Rican që janë në burg për më shumë se 25 vjet në Shtetet e Bashkuara?
Mendoni se një ditë SHBA do të jenë një vend socialist?
Kështu mendoj. Pak kohë më parë, Shtetet e Bashkuara ishin një koloni angleze. Nëse një anglez pyetej nëse SHBA do të ishin të pavarura, ai do të kishte thënë “jo”, se do të ishin gjithnjë një koloni angleze.
Por më pas, kolonitë e çliruan veten por mbajtën skllavërinë. Pronarët e skllevërve do të kishin thënë se skllavëria nuk do të përfundonte kurrë, por ja që mori fund.
Ndonjë ditë, sistemi kapitalist do të zhduket në SHBA, për shkak se asnjë sistem klasash sociale ka qenë i përjetshëm. Një ditë, shoqëritë me klasa do të zhduken. Por mund të qëndroni i qetë, nuk parashikoj që ndryshimi në SHBA drejt socializmit të ndodhë në një kohë të shkurtër.
A mendoni se do të jeni president deri në vdekjen tuaj?
Nuk e dëshiroj këtë. Por nuk mendoj se kam të drejtën të jap dorëheqjen… do të ishte, sipas meje, egoizëm nga ana ime. Kështu që nuk do mund ta bëja. Nëse do ndjehesha i paaftë, do të kisha detyrimin të veproja kështu, dhe gjëja më e mundshme është që nëse unë vetë nuk e kuptoj këtë, shokët e mi do të më
Zëvendësojnë. Por përsa kohë kam aftësinë dhe sa kohë jam i dobishëm në pozicionin që kam apo ndonjë tjetër, është kërkesë e revolucionit të vazhdoj punën. Deri kur? Nuk e di se kur do të vdes, nesër, sot, në një aksident, vdekje natyrale… ndoshta nëse do të jem i aftë deri në atë moment, unë mund të jem president derisa të vdes.
A mund të flasim për Kinën? A e konsideroni Kinën mik apo armik?
E konsideroj Kinën një aleat të mirë të Shteteve të Bashkuara.
Kjo do të thotë se është armike e Kubës?
Deri në nivelin që Shtetet e Bashkuara janë armiku ynë. Por ju keni bërë një punë vërtet të mirë diplomatike me Kinën. I keni në anën tuaj tani në të gjitha çështjet thelbësore.
Po thoni se Kina është në xhepin e Shteteve të Bashkuara?
Nuk mund ta them se Kina është në xhepin e SHBA pasi Kina është tepër e madhe që të futet aty.
A mendoni se Mao CeDuni ishte një revolucionar i vërtetë?
Po. Unë besoj se ai ishte një lider i madh revolucionar. Por unë besoj se Mao e shkatërroi me këmbët e veta atë që bëri me kokën e vet për shumë vjet. Jam i bindur për këtë. Dhe një ditë edhe populli kinez, partia komuniste e Kinës do ta kuptojë. Është çështje kohe. Ky është opinioni im modest.
Çfarë mendoni se bëri Mao për të shkatërruar, cilat ishin gabimet e tij?
Së pari, kulti i personalitetit. Ai praktikisht shkatërroi partinë Komuniste kineze. Ai ndërmorri një gjueti shtrigash kundër kuadrove më të mirë të partisë. Ai pranoi të shndërrohej në zot dhe tradhtoi solidaritetin revolucionar të popullit. Ky ishte gabimi më i madh i Maos. Unë mendoj se ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm, me kapacitet të madh që e transformoi Kinën. Njerëzit që marrin pjesë në këto procese fitojnë pushtet të madh dhe më pas abuzojnë me pushtetin.. edhe unë kam pushtet të madh, por kurrë nuk kam abuzuar me të, dhe nuk e kam përqëndruar në duart e mira. E kam shpërndarë. Ia kam dhënë institucioneve revolucionare.
Po Stalini, Lenini? A kishte kult personaliteti. Këta njerëz janë bërë gjithashtu, heronj, legjenda.
Nuk mund të krahasojmë Leninin me Stalinin. Lenini ishte një njeri i jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet, dhe nuk ka as edhe një njollë të errët në jetën e tij nga pikëpamja ime. Stalini ka gjithashtu merita të jashtëzakonshme, por gjatë kohës së Stalinit, kulti i personalitetit u zhvilluar dhe ndodhën abuzime me pushtetin.
Si e shpjegoni dominimin sovjetik të vendeve si Çekosllovakia apo Jugosllavia? Si e shpjegoni shtypjen nga sovjetikët të asaj që e quajtën kryengritje në Çekosllovaki?
Unë kam marrëdhënie me këto vende. Këto vende kanë marrëdhënie shumë të ngushta me Bashkimin Sovjetik në fusha si ekonomike, politike dhe ideologjike. Por unë mund të them se janë shtete tërësisht të pavarura. Ajo që e quani dominim është një lloj uniteti që është krijuar brenda këtyre vendeve.
Mendoni se Rusia është një vend i lirë?
Mendoj se është më i liri nga të gjitha vendet.
Kam një pyetje personale: a do ta hiqni ndonjëherë atë mjekër?
Në shkëmbim të çfarë, të ndaljes së bllokadës?
Nëse ne ndalojmë bllokadën, ju do ta rruani mjekrën, eh? Nuk mendoj se kjo do ta bënte Amerikën të hiqte bllokadën, por…
Ne do të nisnim të importonim brisqe Gillete, e drejtë? Nuk e di nëse i prodhojnë ende në Shtetet e Bashkuara, por… e dini përse i rritëm mjekrat? Ne lamë mjekër pasi nuk kishin brisqe rroje në atë kohë. Ndërsa koha kaloi, guerrilët u bënë të njohur nga mjekrat e tyre. Dhe në fund, mjekra u bë simbol. Po tani çfarë ndodh? Kur shfaqen thinjat, së pari duken në mjekër, dhe vihen re më shumë. Ideja ime tani është të pres derisa të jetë tërësisht e bardhë. Dhe atëherë do të marr një vendim, nëse do ta shkurtoj apo do ta heq.
Do doja të kërkoja disa fjalë për popullin amerikan për çfarë të doni. Në anglisht, të lutem.
Ndjej urimet më të mira për popullin e Shteteve të Bashkuara. Sa herë që njoh një amerikan, gjithnjë kam arsye të kuptoj popullin tuaj. Mendoj se amerikanët, gazetarët, punëtorët teknikët janë njerëz të mrekullueshëm. Vërtet. I vlerësoj dhe i admiroj njerëzit e Shteteve të Bashkuara për atë që kanë arritur në teknikë, në shkencë, pasi shoh se është një popull që punon mirë dhe është i ndershëm dhe idealist. Shpresoj që në të ardhmen të kuptphemi më mirë dhe të jemi miq.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/