Al Jazeera interviston Ibrahim Kallënin, zëdhënësin e presidencës turke, për referendumin e 16 prillit
Stamboll, Turqi – Vetëm pak ditë mbeten prej referendumit në të cilin votuesit turq do të vendosin nëse duan të qeverisen nga një post presidencial me fuqi në mënyrë domethënëse të shtuara.
Ndryshimet kushtetuese të propozuara në referendumin e 16 prillit kërkojnë ta shndërrojnë sistemin aktual të Turqisë në një sistem presidencial ekzekutiv.
Presidenti Rexhep Tajjip Erdogan, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) e së djathtës ekstreme thonë se sistemi i ri ka për ta bërë Turqinë më të qëndrueshme dhe më të efektshme.
Opozita kryesore, Partia Republikane Popullore (CHP), Partia Demokratike e Popujve (HDP), prokurde, si dhe kritikë të tjerë, argumentojnë se amendamentet do t’i japin shumë fuqi një individi, duke minuar ndarjen e pushteteve në qeverisje.
Turqia është nën një gjendje të jashtëzakonshme që kur një grup në ushtrinë turke u përpoq ta rrëzonte qeverinë në një përpjekje të dështuar për grusht shteti, që vrau në tërësi rreth 300 njerëz.
Dhe marrëdhëniet e Ankarasë me Bashkimin Europian (BE), veçanërisht me Gjermaninë dhe Holandën, janë të tensionuara që prej muajit të fundit, pasi këto dy shtete anëtare të BE-së i ndaluan ministrat turq që të mblidheshin në tubime për fushatën e referendumit brenda kufijve të tyre, ku jetojnë miliona votues turq.
Al Jazeera flet me Ibrahim Kallënin, zëdhënësin e presidentit Erdogan, mbi zhvillimet e fundit përpara referendumit, mbi pikëpamjet e tij për ndryshimet kushtetuese, dhe mbi përgjigjen e tij ndaj kritikëve.
Al Jazeera: Pse Turqia ka nevojë për një presidencë të fuqishme ekzekutive? Pse qeverisja e ndjen se sistemi parlamentar, aktualisht në fuqi, është i pamjaftueshëm për ta qeverisur Turqinë?
Ibrahim Kallën: Le të filloj duke thënë se Turqia nuk ka një sistem parlamentar si të tillë, por një sistem hibrid qeverisjeje, të hartuar nga një juntë ushtarake në 1960-n dhe të përpunuar përsëri nga komplotuesit e puçit në 1980-n.
Ky sistem hibrid synoi të ruajë statukuonë dhe të mbrojë regjimin e tutelës ushtarake. Veç kësaj, sistemi aktual priret të prodhojë qeveri të dobëta koalicioni dhe ta mbajë të copëzuar arenën politike. Ishte pikërisht paefektshmëria e qeverive të tilla që në mënyrë të përsëritur u hapi rrugën puçeve ushtarake në Turqi.
Parlamenti nuk arriti në vitin 1980 ta zgjedhë presidentin e ri pas 115 raundesh votimi përpara se të ndërhynin komplotuesit e puçit. Në 1997-n, qeveria e koalicionit u largua nga pushteti nën kërcënimin e dhunës pjesërisht ngaqë partneri i koalicionit i Partisë së Mirëqenies u frikësua nga ushtria.
Presidenca ekzekutive do ta ndihmojë demokracinë turke të mbrohet ndaj ndërhyrjeve të jashtme.
Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të pranohet se qeveritë e dobëta të koalicionit janë treguar të paafta për ta administruar në mënyrë të suksesshme ekonominë dhe për të krijuar një mjedis të favorshëm për investimet e huaja të drejtpërdrejta.
Ne qemë në gjendje të zbatojmë me lehtësi relative reforma strukturore sepse Turqia është qeverisur që nga 2002-shi nga një qeveri njëpartiake. Ndryshimet e propozuara kanë për të garantuar qëndrueshmëri afatgjate politike dhe, që këtej, forcim të mëtejshëm të ekonomisë turke.
Al Jazeera: Ç’lloj të ardhmeje shihni për Turqinë në rastin e një vote “jo”, që do ta bënte vendin të qëndronte me sistemin e tanishëm?
Kallën: Nuk dua të spekuloj apo t’i përgjigjem një pyetjeje hipotetike. Çka mund të them tani është se ne presim që shumica e votuesve t’i mbështesë më 16 prill ndryshimet e propozuara. Por është e rëndësishme të kujtohet se Turqia ka institucione të forta politike dhe shumë përvojë me demokratizimin.
Populli turk e di pse është e domosdoshme që ca ndryshime të institucionalizohen palëkundshmërisht dhe e kupton se ne nuk mund ta mbrojmë demokracinë tonë karshi sulmeve nëse nuk ndërmarrim disa hapa tani.
Por, qartësisht, populli do ta ketë fjalën e fundit mbi çështjen.
Al Jazeera: Qeveritë perëndimore, dhe ca prej partive opozitare, thonë se krijimi i një presidence të fuqishme është një përpjekje nga presidenti turk Rexhep Tajjip Erdogan për të vendosur një sundim vetjak. Çfarë do të thonit për këtë?
Kallën: Kjo kritikë është krejt e pabazë. Ndryshimet e propozuara, po qe se miratohen, kanë për ta forcuar ndarjen e pushteteve, do t’i japin parlamentit fuqi të papara për t’i hetuar veprimet e presidentit dhe, nëse është e nevojshme, për të kërkuar zgjedhje të parakohshme presidenciale si një mjet i fundit.
Për më tepër, presidenti nuk mund të thërrasë zgjedhje të parakohshme nëse ai apo ajo po hetohet nga parlamenti. Presidenti ka gëzuar gjer tani imunitet thuajse të plotë, nëse nuk është akuzuar për tradhti. Njerëzit duhet t’i lexojnë propozimet dhe të kuptojnë se ç’hapa po ndërmerren për të forcuar kontrollet dhe ekuilibrat përpara se të hidhen në përfundime.
Al Jazeera: A mendoni se i mbajtur nën gjendjen e jashtëzakonshme, referendumi do të hedhë dyshime mbi transparencën e votës, duke e bërë më të lehtë mashtrimin? Gjatë përplasjeve midis ushtrisë dhe PKK-së në juglindje të Turqisë e lanë rajonin përkohësisht shumë njerëz. A mendoni se këta njerëz do të jenë në gjendje të votojnë?
Kallën: Gjendja e jashtëzakonshme hyri në fuqi pas grushtit të dështuar të shtetit të verës së kaluar dhe është shfrytëzuar për t’u marrë me kërcënimet e sigurisë kombëtare. Siç e dini, masa të ngjashme janë ndërmarrë në Francë pas sulmeve terroriste dhe zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen nën gjendjen e jashtëzakonshme.
Për të garantuar transparencën, ne u kemi bërë ftesa zyrtare vëzhguesve ndërkombëtarë për ta mbikëqyrur referendumin në çdo aspekt. Veç përfaqësuesve nga parti të ndryshme politike, disa organizata joqeveritare po mobilizojnë vullnetarë.
Operacionet e sigurisë nuk kanë ndikim mbi mundësinë e votuesve për të marrë pjesë në referendum. Ashtu si ngahera, ka patur një periudhë kohore që votuesit t’i ndryshojnë adresat e tyre të banimit. Ne nuk presim asnjë problem çfarëdo.
Al Jazeera: Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), që më herët e ka kundërshtuar presidencën ekzekutive, tani e mbështet kërkesën e AKP-së. A lë të kuptohet kjo për një aleancë më të gjerë midis dy partive në të ardhmen, ku figura të larta të MHP-së ka gjasa të marrin role në presidencën e mundshme ekzekutive të Erdoganit?
Kallën: Unë nuk mund të flas për asnjë parti politike, por duket se udhëheqja e MHP-së e rishikoi qëndrimin e saj pas grushtit të dështuar të shtetit. Përshtypja ime është se ata patën një perceptim më të mirë të kërcënimeve të sigurisë kombëtare me të cilat po përballet vendi ynë dhe qenë në një mendje se ndryshimet e propozuara mund ta bëjnë Turqinë më elastike kundrejt tyre.
Al Jazeera: Marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së janë të tensionuara prej ca kohësh, me të dyja palët që fajësojnë njëra-tjetrën për çështje të tilla si ngecja në bisedimet e anëtarësimit, demokratizimi i Turqisë, refugjatët dhe udhëtimi pa viza për turqit. Përplasja e fundit për vizitat e ministrave turq në Holandë dhe Gjermani për fushatën e referendumit e ka çuar këtë tension në një nivel tjetër. Ç’duhet të presim për të ardhmen në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe?A po ndahet Turqia nga BE-ja, ashtu siç sugjerojnë shumë në Perëndim?
Kallën: Ideja se Turqia dhe Bashkimi Europian janë njëlloj përgjegjës për tensionet e tanishme është shpërudhëse. Një numër qeverish europiane vazhdojnë t’u sigurojnë një strehë të sigurt grupeve terroriste, përfshirë PKK-në dhe FETÖ-n, që janë përgjegjëse për vrasjen e njerëzve të pafajshëm në Turqi.
Ato shkelën konventat ndërkombëtare gjithashtu gjatë javëve të fundit për të ndaluar diplomatë dhe zyrtarë turq, veç përzierjes në referendum, duke u vënë hapur në krah të fushatës për “jo”-në. Përndryshe, zyrtarët turq thjesht duan të takohen me qytetarët turq jashtë dhe t’i njohin ata me ndryshimet e propozuara, diçka që politikanë europianë e bëjnë në Turqi.
Situata mund të përmirësohet nëse Europa ndalon së hapuri rrugë ekstremistëve të së djathtës, i jep fund strehimit të terroristëve, si dhe nuk ndërmerr akte të mëtejshme agresioni ndaj Turqisë dhe qytetarëve turq jashtë vendit.
Ideja se Turqia po ndahet nga Bashkimi Europian është po ashtu një karakterizim i gabuar i asaj se çfarë po ngjet. Nëse ideja e Europës mbi partneritetin dhe bashkëpunimin është që partnerët e tyre të bëjnë siç thonë ata, duhet të nisin ta rimendojnë atë.
Turqia është një aleat i NATO-s dhe një vend kandidat i BE-së. Por ne jemi gjithashtu një vend sovran, në ndjekje të interesave dhe synimeve tona. Asnjë partneritet nuk është një rrugë njëdrejtimëshe. Ky është një rregull i përgjithshëm, që vlen dhe për marrëdhëniet mes Turqisë e BE-së.
Marrë nga Shenja – Përktheu: Bujar M. Hoxha