Nga Enkel Demi
Përse partia juaj nuk u përfshi në koalicionin e qeverisë? Cilat janë arsyet?
Ne në zgjedhjet e fundit parlamentare ishim pjesë integrale. Ndërsa në zgjedhjet e pushtetit vendor nuk jemi, sepse në këto zgjedhje nuk ka karakter nacional. Tani kemi 61 bashki, 61 realitete që kanë ngjashmëri, por që janë dhe të veçanta. PBDNJ ka si veçori që shumica e pjestarëve janë minoritarë. Por në Shqipëri, nuk ka arritur emancipimi i politikës në ato standarde që kërkon mendimi europian. Ka shumë forca që paragjykojnë. E kemi parë, shpesh herë kushdo që del në mbrojtje për çeshtje parimore, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, shumë shpesh stigmatizohet. Do të duhet ende shumë kohë për korrektimin e këtyre realiteteve.
Për kë parti e keni fjalën?
Forca politike si të majta dhe të djathat dhe këtu nuk bëhet fjalë për nacionalizma. Do të dëshiroja që diskursi të ishte nacionalist, por janë pseudonacionalistë ato që bëjnë zhurmën. Nacionalizëm do të thotë ta duash këtë vend pavarësisht diferencave.
Përse koalicioni juaj me PS-nëpas zgjedhjeve nuk funksionoi?
Duhet pranuar se kemi një mungesë tradite të bashkepunimit në koalicionet. Flas nga përvoja. Nuk e kemi traditën pozitive të sintezës së alternativave. Koalicionet funksionojnë si një zyrë burimesh njerëzore, ndarjesh postesh, por jo si një zyre ndarje vlerash dhe normash, përjashto një periudhë kur PS-ja drejtohej nga z. Nano. Dikur kishte diskutime edhe për një term që do të përdorej në një komunikim me mediat, ndërsa sot kjo fatkeqësisht nuk ndodh, flitet vetëm me gjuhën e liderit. Dje gjeta një term që më pëlqeu shumë i lordit Ouen. Ai përdorte termin sindroma e ofezës. Tek libri “Sëmundjet e liderit politik”, sindromi më i rrezikshëm konsiderohet ofeza, arroganca ndaj mendimit ndryshe.
Pos jush janë ankuar të gjithë aleatët, por fjala vjen Paskal Milo e gjeti fjalën. Ju çfarë kërkuat ju që nuk e gjetët?
Ne nuk e gjetëm atë çfarë kërkuam, sepse nuk na puqeshim programet. Ne nuk kërkuam asgjë të veçantë. Ne kërkuam që të mbështesnim PS-në dhe LSI-në dhe ata të na mbështesnin ne në komunitetet ku ne jemi më të vlefshëm. Sepse duhet ta kenë të qartë të gjithë, nuk është vetëm programi, janë dhe kandidatët. Partia jonë, PBDNJ ka përshembull 15% të strukturave nga bashkia e Dropullit, ndaj kush më mirë mund të kandidonte atje? Por çfarë ndodhi?! Nuk pati as komunikimin më elementar që PBDNJ-së t’i lihej kjo hapësirë. Tëashtuquajturat zonat e lira, duket sikur të bëjnë nder, por nuk është ashtu. Ne kërkuam që në disa zona të caktuara të kandidonin përfaqësuesit tonë, por megjithëse kjo deri tani nuk ka ndodhur duhet ta them se ne vazhdojmë ende me strukturat tona të komunikojmë për disa zona.
Ka të bëjë koalicioni i PS-se me partinë e Shpëtim Idrizit PDIU në këtë vendim?
Dalja nga koalicionet janë vendime që nuk janë pa kosto. Ne në 2009 dolëm nga një koalicion ku ishim në qeveri. Për aq kohë sa pikëpamje të caktuara nuk bëhen pjesë e programit të përbashkët e koalicionit, siç është ai i integrimi, ne nuk jemi kundër asnjë force.
Keni parasysh PDIU-ne kur thoni këtë?
Nuk iu referova asnje force, as politike, as rajonale, as fisnore. PBDNj është një parti e dimensionit human. Jemi të përfaqësuar në shumicën dërmuese të këshillave bashkiakë në vend. Ne jemi një parti që përfaqësojmë të gjithë ato që gjejnë vetën në programin tonë. Kreu i këshillit bashkiak të Mirditës eshtë përfaqësues ynë. Veçse ne kemi një politikë më specifike ndaj minoriteteve.
Ka të bëjë ndarja e re territoriale me këtë vendim? Ku janë pakënaqësitë tuaja?
Në lidhje me këtë ndarje kemi një kritikë serioze që e kemi shprehur ne parlament. Ne ishim për një ndarje të mbështetur në parim, jo për ndarje klienteliste që duhej të ishte shmangur me çdo kusht. Ndarja duhej të ishte me parimore. Marrim rastin e Himarës. Komuna aktuale e Vranishtit do të votojë me Lukovën dhe bashkinë e Himarës, duke u unifikuar me këtë të fundit. Pse duhet të kalojë dy bashki, banuesi i Vranishtit për të shkuar për të votuar?! Pse të mos shërbehej, sic e kërkon normaliteti, por duhet të kapërcejë malin e Çikës?! Këtë qëndrim tonin, persona të caktuara me interesesa jolegjitime në hapësirën e Himarës deshën që ta fusnin në kuadrin e kritikës, duke iu thënë banorëve të Vranishtit: Shikoni PBDNj nuk ju donte! Vranishti mund të bashkohej me Selenicën ose Vlorën. Ky bashkim është artificial, për shkak të tendenciozitetin dhe qëllimeve te mprapshta që ajo fsheh. Asnjë argument racional nuk qëndronte në këtë ndarje.
Tani që nuk jeni përfshirë në koalicion për zgjedhjet vendore mendoni se duhet të dilni në opozitë?
Kjo mbetet për t`u diskutuar, lidhja e një marrëveshje kërkon dy palë, edhe zgjidhja gjithashtu. Nuk do të bëjmë zgjidhje të njëanshme. PBDNJ edhe nëse ka bërë marrëveshje me forca politike i ka bërë gjithmonë pas marrjes së rezultatit të saj zgjedhor, ose në rastet e tjera aleancat parazgjedhore i ka respektuar deri ne fund. Ne jemi korrekt me PS, por kjo force nuk është me ne. PBDNJ përfaqësohet me 2 zv.ministra. PS nuk respektoi marrëveshjen parazgjedhore, sepse sipas saj çdo parti që kishte qoftë edhe një deputet do të kishte dhe një ministri. Kjo është qeveria e parë që nuk ka një përfaqësues te minoriteteve në qeveri. Kemi minoritete kushtetueshmërisht të njohura që nuk janë të përfaqësuara.
Çfarë lloj flamuri ishte që ju shoqëroi në prezantimin e Fredi Belerit në Himarë?
Së pari, kjo nuk është foto e këtyre ditëve. Është e 2011 në mos gaboj. Është bërë ne hotel Titani, në qendër të Athinës. Me sa mbaj mend ky ishte takim publik, me gazetarë dhe kamera. Disa persona dhe grupe që janë gjithmonë të prirur drejt konspiracionit, abuzojnë. Ai takim është e bërë ditën për diell në prani të mediave greke dhe shqiptare. Në mos gaboj kam dhënë dhe nje intervistë për nje kanal televiziv shqiptar. Ndërsa flamuri është i Lidhjes se Himarioteve që funksionin si shoqatë në Athinë që prej dekadash. Ai është flamuri i vjetër i shtetit grek dhe nje shqiponje dykrenare e stilit biznatin. Por duhet ta theksoj përsëri ai është flamuri i Lidhjes se Himariotëve, me qendër në Athinë, le ta komentojnë si të duan.
Pse doli këto ditë kjo foto?
Në çdo fushatë elektorale, kështu ndodh. Këto situata më kujtojnë një tregim të Tuenit, ku flitet për sajesa që kalojnë në një fushtë elektorale.
Flitet se ju keni humbur mbeshtetjen e partive greke? Flitet edhe se Fredi Beleri, kandidati juaj në Himarë është një rekomandim i Agimit te Artë. Sa të vërteta ka këtu?
Kjo është fantazi e shfrenuar. PBDNJ ka marrëdhënie pozitive me të gjitha forcat e spektrit politk në Greqi. Në harkun demokratik, përfshihen forcat si PASOK, Siriza, Demokracia e Re. Beleri është pranë kësaj forcës së fundit. PBDNJ-ja nuk ka patur asnjë kontakt me “Agimin e Artë”. Se çfarë është kjo forcë e kanë thënë forcat politike greke dhe populli grek vetë.
A ka Agim te Artë në Shqipëri?
Ka element po aq radikalë. Ndryshimi mes Greqisë dhe Shqipërisë është se ka një qëndrim të qartë të politikës. Ndërsa në Greqi politika ka ndërprerë dhe komunikimin elementar me këtë grupim, këtu, forcat qeverisëse shpesh për një grusht votash nuk hezitojnë që të përqafojnë dhe forca të tilla.
Është fjala për Aleancën Kuqe Zi?
Nuk është etike të shprehim nominalisht vlerësimin për të tjerët.
PS do të kandidojë me Goron, ju me Belerin, PD hesht. Cfarë po ndodh? Ka negociata nën rrogoz?
Informacion e gabuar. Nuk jemi në negociata me PD. Nuk ka patur asnjë ballafaqim elektoral për bashkinë e Himarës që të dy forcat e mëdha të mos kenë patur përfaqësues të tyre. Në zgjedhjet e kaluara të treja forcat patëm PS, PBDNJ dhe PD patëm kandidatët tonë. Biles unë ju kujtoj këtu se në Himarë në zgjedhjet e fundit vendore ka patur bashkëpunim PD-PS kundër PBDNJ-se.
Fredi Beleri është akuzuar për masakrën e Peshkëpisë. Nuk ka lidhje kjo me dekrimalizimin?
Beleri po dënohet nëpër gazeta. Unë si kryetar partie kam detyrën që nëpërmjet një procesi paraprak të filtroj çdo kandidaturë. Beleri rezulton me dëshmi të pastër penaliteti. Është biles qytetar i bashkive europiane, dhe rezulton brenda dhe jashtë Shqipërisë pa çështje penale të hapura. Me dokumentacion që kam verifikuar unë më rezulton se Beleri në kohën që ka ndodhur masakra e Peshkëpisë ka qenë 6 muaj në kurse kualifikuese. Masakra e Peshkëpisë është një akt i rëndë, i dënueshëm nga të gjithë. Ishte akt terrorist i dënuar nga të gjithë, si nga Shqipëria ashtu dhe nga Greqia.
Po Vladimir Kosta do të ishte një bashkëpunëtor i juaji i mundshëm?
Lad Kosta është një mik i mirë, i vjetër, i suksesshem si sipërmarrës, në politikë erdhi me atë sinqeritetin që e karakterizon, duke injoruar rreziqet e kurtheve dhe kulisave që karakterizon jetën politike.
A ishin të vështira orët e drejtimit të seancës, teksa Ilir Meta u ul në sallën e Kuvendit?
Për askënd nuk është e këndshme dhe lehtë të ketë të akuzuar apo të dyshuar kolegët e vet siç ishte në rastin Doshi-Frroku. Ishte çështje delikate. Jo në çdo gjë mund të zotëronte sensi i së drejtes. Por duhet ta them se kisha mbështetjen maksimale dhe nga z. Meta që të mos kishte asnjë shkelje të të drejtave, sidomos për dy të akuzuarit.
Si ishte kjo puna e dhjakut në foto? Keni studiuar për prift, pasi gazetat të quajtën “dhjak”?
Kjo foto është botuar nën emrin e Arben Llallës. Nga rastet e përsëritura më lind e drejta të them se ky person, që unë nuk e njoh, është lëvruesi i komenteve dhe fushatave kundër meje. Kjo foto është bërë rreth 1993-1994. Unë nuk kam qenë kurrë dhjak. Nuk kam studiuar për prift. Për rreth 5 vjet kam qenë pranë kryepeshkopit Anastas. Një universitet i dytë qëndrimi pranë tij. Unë kam qenë vetëm përkthyes dhe asistent i Anastasit.
Ke një koment për faktin që deputeti Ben Blushi shprehu keqardhje që Fortlumturia e tij, Janullatos, e mbajti predikimin në meshën e Pashkëve në greqisht?
Kam dhënë një shpjegim duke e njohur nga afër fortlumturinë Anastasin. Ai bën shumë për gjuhën shqipe. Ka një departament përkthimi që pasuron literaturë fetare në gjuhën shqipe. Ai ka dhënë meshat e para në gjuhen shqipe. Fortlumturia e tij këto predikime i bën në gjuhën e tij amtare dhe me përkthyes stimultan. Dhe nuk mund të ngrihet gjithë ajo stuhi për këtë. Nuk është herezi përdorimi i greqishtes. Dihet se terminologjia e riteve ortodokse ka burimin ne gjuhën greke, ndaj dhe vjen natyrshëm në shumë fjalë kjo gjuhë gjatë lutjeve të Pashkëve apo të Krishtlindjeve.
Intervistë e realizuar në emisionin ‘Shih Programin’ në TVSH