Për të kuptuar sesa të rënduara janë sot ingranazhet europiane, mund edhe të zgjedhësh një pikë vëzhgimi nga larg, atë të Pekinit dhe të flasësh me një bashkëbisedues që njeh mirë si dinamikën kineze ashtu edhe atë europiane. Profesori Romano Prodi, ish-kreu i Komisionit Europian, tashmë ftohet shpesh në aktivitete të sipërmarrjes dhe diplomacisë kineze. Por kur vjen puna për ta intervistuar, “La Stampa” kërkon mendimin e tij për mënyrën sesi po shkojnë punët në Bruksel.
Profesor Prodi, të paktën me Pekinin, Europa arrin të flasë si një zë i vetëm?
Jo, vendet europiane lëvizin si shtete të veçanta. Fluksi tregtar në rrugën mes Europës dhe Kinës është më i madhi në botë, edhe pse nuk e ndajmë në feta, kemi qëndrime të ndryshme. Gjermanët kanë balancë tregtare me Pekinin. Kancelarja Merkel ka treguar lidership dhe ka kryer më se shtatë misione në Kinë me delegacione të rëndësishme sipërmarrësish. Të tjerët jo.
Cili është konkluzioni?
Shqetësim për të ardhmen e Europës.
Përse?
Pasi ky çekuilibrim e vendos Gjermaninë në kushtëzimin psikologjik të “lumturisë” për të mos përdorur një term më të ashpër. Një çekuilibër që reflektohet në të gjithë Europën.
Gjermanët dhe Angela Merkel mund të jenë si thatë edhe ju “të lumtur”, mirëpo ka disa çështje ku problemet janë më se të dukshme. Siç janë emigrantët. Merkel e kishte nisur me parrullën “do t’ia dalim”, por tani jemi në fazën “nuk durojmë dot më”?
E vërtetë. Gjermani tashmë ndodhet në gjendjen që ka probleme europiane. Kam pyetur gjithnjë veten sesi ka mundësi që në Gjermani të mos kishte një parti populiste, e shpjegimi ishte fare banal: lidershipi gjerman e kënaqte zgjedhësin me identitetin e vet gjermano-europian. Por në rastin e parë që vendi kaloi në krizën e refugjatëve mbërriti edhe frika, e së bashku me të, edhe rritja e populistëve. Sot Gjermania, nga kjo pikëpamje, ka hyrë në një fazë të re politike. Edhe pse qeveria Merkel nuk është në krizë, ekziston mundësia që me rritjen e populistëve, koalicioni i madh të mos jetë i mjaftueshëm.
Populistë apo parti kundër sistemit?
Ndoshta është më e drejtë t’i përcaktosh si parti anti-sistem. Për t’i përballur nuk mjafton me apeli i partive tradicionale, ky është një fakt i ri për Europën. Koalicionet e mëdha mbeten një rezervë e madhe e traditës europiane, mirëpo tashmë janë vendosur në rrezik.
Përse? Cila është dobësia e partive tradicionale?
Kjo është një pyetje prej 100 milionësh. E vërteta është që përgjigja varion nga vendi në vend. Në përgjithësi, e kjo vlen për të gjithë, partitë nuk arrijnë më të japin zgjidhje për problemet e kërkesat e të rinjve e kjo ka përshpejtuar krizën.
Të rinjtë anglezë janë filo-europianë në shumicë, por sondazhet na tregojnë se një në dy do të votojë për t’i hapur rrugë daljes së Britanisë nga BE. E ndërkohë janë ata që sollën Jeremy Corbyn në drejtimin e laburistëve: nuk shihni kontradiktë?
Jo, kjo ndodh pasi pikërisht Corbyn është një lloj thyerjeje me partitë tradicionale. Të rinjtë, tipi i marksizmit për të cilin flet Corbyn, nuk e kanë jetuar atë kurrë, pra, Corbyn përfaqëson për ta një thyerje, një person anti-sistem. Si ndodh me Ciudadanos në Spanjë.
Profesor, lista e halleve të Europës është goxha e gjatë: emigrantët, Brexit që po përgatitet, kriza e politikës së jashtme. Nuk besonis e forma aktuale e qeverisjes është pjesë e problemit?
Absolutisht po. Nuk ka një problem të politikës së jashtme për të cilin të jemi dakordësuar. Mendoja se kriza ekonomike e viteve të fundit do të kishte gjeneruar një shpirt solidariteti. Por në të vërtetë, nuk ka krijuar asgjë.
Cameron ka kërkuar reforma për të shmangur që Londra të dalë nga BE. Sot referendumi ndahet për një fije mes atyre që duan dhe nuk duan të dalin, e ata pro-Brexit janë në krye të sondazheve. Nuk mund të jetë kjo mundësi që Europa të riformatohet pavarësisht nga sfida e brendshme britanike?
Anglezët, e kjo më kujtohet që nga koha kur drejtoja komisionin, kanë qenë gjithnjë një gjë e përveçme.
Europa nuk ka një politikë të jashtme të përbashkët për çështjet e mëdha ndërkombëtare, por Kina çfarë loje po luan?
Ashtu si ka thënë pak më herët, ambasadori kinez, Kina vijon t’i referohet vetes si një vend drejt zhvillimit. E vijon të shmanget nga konfliktet e mëdha ndërkombëtare. Besoj se do të vazhdojë edhe në të ardhmen të luajë rolin e ndërmjetësuesit.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/