Nga Eva Gjura
Kryetari i Partisë Demokristiane z. Nard Ndoka gjatë një interviste për ‘tesheshi.com’, komenton zhvillimet më të fundit politike në vend. Kreu demokristian deklaron se forca politike që ai drejton po përgatitet për zgjedhjet lokale dhe synimi i saj është dalja në këto zgjedhje nën siglën e koalicionit të përbashkët opozitar. Ndoka sqaron se PDK dhe PD janë në fazën e fundit të negociatave për kandidatët e përbashkët. Sipas tij, PDK në këto zgjedhje pritet të ketë zona të lira disa bashki nga jugu në veri. Kreu demokristian nuk i kursen akuzat për mënyrën e të bërit opozita nga PD duke u shprehur se, opozita nuk është e organizuar me të gjithë kapacitetin e vet dhe PD-ja ka një vetëkënaqësi duke mos i kushtuar rëndësi zgjerimit të koalicionit opozitar.
Zgjedhjet lokale janë shume pranë, a do të jetë Partia Demokristiane pjesë e ndonjë koalicioni para zgjedhor apo jo?
Jemi në negociata me Partinë Demokratike dhe do të jemi pjesë e Koalicionit Opozitar. Kemi rënë dakord për disa parime kryesore dhe po negociojmë formën dhe mënyrën e daljes me kandidat të përbashkët në 61 Bashki. Negociatat do finalizohen me një marrëveshje të Koalicionit Opozitar për përgjegjësitë dhe detyrat e secilit subjekt politik, si në fushatë ashtu edhe në bashkëqeverisjen lokale.
A keni nisur diskutimet konkrete me Partinë Demokratike për të arritur në një koalicion, nëse po në çfarë faze është ky diskutim?
Jemi në fazën përfundimtare të negocimit të kandidatëve tanë të përbashkët, po testojmë emrat dhe po zhvillojmë sondazhe të përbashkëta, për tu fokusuar në kandidatët më të mirë të mundshëm.
Cilat janë propozimet që ka bërë partia juaj?
Ne pretendojmë, që me kandidatët tanë si Parti Demokristiane, të konkurrojmë në Bashkitë; Fushë Arrëz, Lezhë, Kurbin Mirditë, Selenicë, Mallakastër dhe Sarandë.
Nëse nuk arrihet marrëveshje para zgjedhore me Partine Demokratike, ju si Parti Demokristiane jeni gati të dilni të vetëm në zgjedhje me kandidatët tuaj?
Jemi të prirur të japim kontributin tone tek Koalicioni Opozitar, për faktin se gjykojmë një përballje të fuqishme me mazhorancës aktuale, këto zgjedhje pretendojmë ti kthejmë edhe në një referendum popullor. Gjithsesi PDK është e organizuar tashmë edhe për të dalë e vetme në zgjedhje, apo për të krijuar një pol të qendrës, lëvizje të cilën e konsiderojmë të rëndësishme për pluralizmin politik. Ka një tendencë për ta kthyer politikën shqiptare në bipolare, tendence që dëmton jashtë mase pluripartizmin dhe demokracinë funksionale.
Keni hyrë në vitin e dytë të opozitës, mendoni se po bëhet opozite aq sa duhet dhe ashtu siç duhet ?
Opozita nuk është e organizuar me të gjithë kapacitetin e vet opozitar, PD-ja ka një vetëkënaqësi dhe nuk i ka kushtuar rëndësi zgjerimit të koalicionit opozitar, përkundrazi ka lejuar me mosveprimin e saj edhe largimin e disa partive në drejtim të mazhorancës. Opozita duhet të zgjerohet në bazën e saj me subjekte politike, shoqata, shoqëri civile, individë etj, jo duke vazhduar demagogjinë për një aleancë vetëm me qytetarin. Qytetarët kërkojnë alternativë të besueshme dhe kjo krijohet duke zgjeruar harkun opozitar, jo vetëm duke pritur dhe akumuluar pakënaqësitë nga keqqeverisja.
A ka bërë Partia Demokristiane një analize me strukturat e saj për shkaqet e humbjes së pushtetit?
Pa diskutim që e ka bërë një analizë të detajuar me uljet dhe ngritjet që kemi patur, megjithëse ne nuk jemi pjesë direkte e kësaj përgjegjësie, mbasi më shumë kemi qëndruar në opozitë. Në historinë 25 vjeçare të pluralizmit PDK ka bashkëqeverisur afërsisht dy vite. Ka patur një tendencë kryesisht nga PD-ja, por edhe nga PS-ja për ta mbajtur larg pushtetit Partitë Demokristiane, për ta sulmuar atë në format më të ndryshme. Prezenca e deputetëve katolik me rekorde kriminale në listat e dy partive të vjetra politike bëhet vetëm me këtë qëllim, për të asgjësuar politikisht Partinë Demokristiane, apo tendencat diversioniste nga PD-PS për të nxitur krijimin e partive “Kristiane” dhe duke i afruar ato sipas interesave të momentit, por edhe duke i flakur me vonë. Vërejmë me shqetësim që vetë Partia Demokratike nuk ka bërë një analizë të hollësishme, si në lidhje me aleatët, ashtu edhe me evidentimin e problemeve që janë vërejtur.
Çfarë mendoni se çalon sot në kampin e djathtë, a ka ndonjë gjë që nuk funksionon?
Nuk funksionon Koalicioni si duhet të jetë, nuk ka akoma një alternativë qeverisëse dhe nuk ka një tendencë për zgjerimin e bazës me grupet e interesit.
Keni ndonjë koment për zhvillimet e fundit parlamentare, arrestimi i dy deputetëve duket sikur ia ka nxirë faqen këtij institucioni dhe akuzat që rëndojnë mbi kolegët tuaj nuk janë të vogla po te kemi parasysh faktin se në Kuvend duhet të jenë njerëz me integritet?
Kuvendi është qelbur nga koka, nga drejtimi i tij. Lufta ndaj këtyre deputetëve lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me Kryetarin e Kuvendit z. Meta. Ai është shkaku këta të tjerët janë pasoja e mosveprimit të shtetit ligjor, apo e deformimit të institucioneve dhe drejtësisë. Të gjitha këto ngjarje lidhen me një emër Ilir Meta dhe me bekimin në heshtje të Edi Ramës, të tjerët e ndiejnë veten të përdorur të keqpërdorur dhe të flakur keqas, aty ku askush nuk e kishte menduar, në burg. Një pjesë e këtyre deputetëve janë përdorur në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe për diversion politik ndaj Partisë Demokristiane të Shqipërisë, siç ishte edhe rasti i Partisë Kristiandemokrate së fundmi.
Si e shihni qeverisjen e majtë, çfarë po bën mirë, çfarë jo, cilat janë problemet që ka sot kjo qeverisje?
Shoh një qeverisje që vetëm krijon probleme të reja dhe nuk po orientohet akoma në drejtimin e shtetit as të pushtetit. Probleme në ekonomi, arsim, shëndetësi, bujqësi, infrastrukturë dhe në të gjitha fushat. /tesheshi.com/