Kjo intervistë e Nexhmije Hoxhës është realizuar në vitin 1991 për revistën franceze “L’evénement du jeudi”.
E veja e diktatorit kishte dhënë disa intervista pas rrëzimit të regjimit komunist dhe të gjitha kishin fokus pozicionin e saj duke u mbrojtur ndaj akuzave për luksin e shfrenuar në një kohë kur popullsia jetonte në prag të urisë, për krimet e regjimit dhe pozicionin e figurës së diktatorit.
Nexhmije Hoxha mbrohej në të gjithë daljet e saj publike dhe nuk e pranoi kurrë deri ditën që vdiq se regjimi që e drejtonte bashkëshorti i saj dhe ajo vetë për 45 vjet, ishte një regjim gjakatar dhe në fund, edhe i falimentuar.
Intervista e botuar në “L’evénement du jeudi”, është përkthyer në shqip dhe botuar në dhjetor të 1991 në gazetën “Zëri i Rinisë”.
Ja përmbajtja e saj e plotë:
A ushqeni më ambicie politike?
Absolutisht jo. Dëshira ime e vetme është të shkruaj kujtimet, gjë që për fat të keq për momentin është e pamundur. Kam probleme të tjera për të zgjidhur.
Ç’ lloj problemesh keni tani?
Qeveria përpiqet të më nxjerrë në gjyq. Një proces politik nuk do ta kisha frikë, por po akuzohem se kam vjedhur pasurinë e shtetit. Kjo s’është aspak e vërtetë, janë ministrat e sotëm në fakt që po nxjerrin para me thes. Unë vërtetë e kam shoqëruar Enver Hoxhën në takime zyrtare në Bashkimin Sovjetik, në Çekosllovaki ose në Gjermaninë Lindore, por ata po e kalojnë kohën në Itali dhe ne Francë ose bëjnë një kalim të shpejtë në Korfuz për një drekë ose darkë.
Thuhet për ju se keni harxhuar 36 milionë lekë të reja ose pesë milionë franga në dy vjet. Kjo është një shumë mjaft e madhe.
E vërtetë është, por unë prisja shumë njerëz. Nënë Tereza për shembull ka ardhur të më shohë tre herë dhe që nga muaji mars dhjetë mijë (10 000) kosovarë kanë trokitur në derën time. E pra, unë nuk mund të mos iu ofroja një kafe. Po ja që një i ashtuquajtur komision hetimi na nxjerr një tog faturash të vjetra dhe ai nis një llogarie të ndyrë. A e imagjinoni ju që, sipas tyre, unë duhet t’i kthejë shtetit për telefonata këta 45 vjet?
Njerëzit mendojnë se jetonim në luks, por ata s’kanë as idenë më të vogël se ç’ është luksi. Ata kujtojnë se ne kishim pishinë dhe se kornizat e dyerve tona ishin prej ari, për një kohë që ato ishin prej alumini. Shqiptarët janë shumë të varfër dhe kjo i bën të revoltohen.
A jetonit ju më mirë se ata?
Jetonim pak më mirë se ata. Kishim një vilë me ajër të kondicionuar. Por sot unë marr vetëm 1000 lekë në muaj (175 franga) dhe kjo si anëtare e vjetër e Komitetit Qendror, si partizane dhe si gruaja e një heroi të popullit.
Shumë politikanë pretendojnë se ju keni depozituar para në bankat e huaja.
Të gjitha ç’ kam në këtë moment janë 16000 lekë (2000 franga) në një bankë të Tiranës. Dhe të mendosh se më këtë më duhet të paguaj edhe mobiljet.
Për ç’ mobilje bëhet fjalë?
Gjithçka arrita të marr me vete është kjo kanape, këto katër kolltukë, krevatin tim dhe disa enë kuzhine. Shtëpia ku kam jetuar 30 vjet me Enverin u rrethua nga studentët. Ata ishin vandalë të manipuluar nga Partia Demokratike me rrogë e me ushqime. Një katrahurë e organizuar. Shtëpia u rrethua nga turma që kërcënonin se do të vinin zjarrin. Isha vetëm në shtëpi me shtatë nipërit e vegjël. Për fat policia dërgoi një makinë të blinduar dhe ata u shpërndanë. Më vonë u sistemova për disa kohë në periferi të Tiranës dhe pas zgjedhjeve qeveria më dha këtë shtëpi, por bashkë me disa të burgosur politikë. M’u desh të shkoja në gjykatë për të arritur që një nga djemtë të jetonte me mua.
A mendoni se me ju është bërë padrejtësi?
Po. Mund ta kritikosh Enver Hoxhën, por nuk duhet sjellë në këtë mënyrë. Kjo nuk është demokratike. Kur vandalët rrëzuan statujën e tij qava shumë. M’u duke se vdiq për herë të dytë. Mendoj se ky ishte një komplot i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Statuja ra për një gjysmë ore. Me siguri dikush gjatë natës ka liruar bulonat mbajtës. Dhe kur nuk kishin ç’t’i bënin më Enverit, m’u kthyen mua.
Por për ju zonjë thonë se keni qenë një bashkëpunëtore e ngushtë e diktatorit, njëfarë Elena Çaushesku….
Enveri e urrente Çausheskun. Sa për atë… Unë mbetem një komuniste e bindur. Kam aderuar në rininë komuniste kur isha 15 vjeçe, më 1936-n. Aty kam njohur edhe burrin, ishte i deleguar i Partisë. Gjatë luftës gabimisht u dënova me 13 vjet burg. Kam jetuar e fshehur në mal.
A e pranon ngjashmërinë me Çian Çinin, gruan e Maos?
Jo. Ka qenë një grua inatçeshë. E kam takuar në Pekin më 1957. Shkuam në teatër dhe aty nuk la njeri pa fyer.
Po Mao, ç’përshtypje ju ka lënë?
Mendoj se ka qenë më shumë një filozof sesa një politikan. Ai e shpëtoi Kinën në më 1948, por më pas me gabimet që bëri, i solli shumë dëme Partisë dhe shtetit.
Cili ishte roli juaj përkrah Enver Hoxhës? A ishit jua këshilltarja e tij personale?
Unë përgjigjesha më tepër për shëndetin e tij. Që prej vitit 1948 ai vuante nga diabeti. Më vonë sëmundja i dëmtoi sytë dhe në dhjetë vjetë e fundit isha unë që i lexoja gazetat dhe teletekstet e ambasadave. Edhe me lupë zmadhuese, ose me retro-projektor ai nuk arrinte t’i lexonte.
Ju kanë quajtur edhe “Arshisigurimi” ose “zonja supersigurimi i Shtetit”…
E di. Është qesharake. Enveri dhe unë kishim dy tabu: ushtrinë dhe sigurimin. Preferonim të flisnin për politikën e madhe.
A e dini ju që regjimi praktikonte torturën dhe burgoste intelektualët?
Jo nuk arrij t’i besoj gjithë ato monstruozitete që lexoj nëpër gazeta. Ashtu si për Stalinin nuk janë veçse shpifje. Edhe po të ishin të vërteta ai nuk kishte gisht në këtë punë.
Cili, Stalini apo Enveri?
Të dy. Enver Hoxha ishte krejt e kundërta e asaj që lexon sot në shtyp. Ai ishte një njeri shumë i ëmbël, shumë xhentil me njerëzit dhe thellësisht demokrat. Kur mësonte raste të tilla, zemërohej shumë.
Çfarë rastesh?
Padrejtësi. Një ditë ai mori vesh se një nga miqtë e tij po dënohej për tregti të paligjshme. Ai njeri i kishte shpëtuar jetën duke e fshehur gjatë luftës. Enveri kërkoi të shihte regjistrimet e procesit. Thirri edhe prokurorin për ta pyetur nëse dëshmitë e të pandehurit ishin marrë me dhunë. Megjithatë ai ishte i bindur se tek ne kjo lloj praktike nuk përdorej.
A e fali Enver Hoxha atë njeri?
Jo ai besonte që ai ishte fajtor.
A mendoni ju që procesi ishte i montuar?
Mundet, gjatë 45 vjetëve Sigurimi dhe Ministria e Brendshme kanë qenë në duart e agjentëve jugosllavë e sovjetikë. Ata donin ta izolonin atë.
Për çfarë arsye?
Po sepse ai ishte intelektual, madje i vetmi i Byrosë Politike. Të tjerët ishin punëtorë dhe injorantë të përkushtuar. Megjithatë ata nuk e shtinë dot në dorë. E gjithë Partia ishte me të.
Po për krimet e Stalinit, kur keni dëgjuar të flitet?
E mbaj mend atë natë. Kam qenë në Moskë gjatë Kongresit të XX të PKBS. Ne rrinin në Hotel “Sovjet”. Isha shtrirë dhe Enveri po vonohej. Pieta veten, ç’po bënte akoma dhe vajta në dhomën tjetër. Ai po lexonte. Dukej mjaft i shqetësuar.
Ishte raporti sekret?
Po. Dikush ia kishte dhënë. Me gjithë ato që Hrushovi kishte thënë në Kongres për kultin e individit të Stalinit, pritej të ndodhte diçka. Por kjo… Për herë të parë në jetën e tij Enver Hoxha s’dinte ç’të mendonte. Pyeste veten çdo të bëhej në Shqipëri. Megjithatë ai ishte i sigurt se njeriu që akuzohej nuk ishte ai që Enveri e kishte takuar pesë herë.
A është në fund të fundit historia e komunizmit shqiptar një zinxhir dështimesh?
Sot mund të thuhet që ishte një gabim, por ky qe fati. Kur u ndamë nga Moska, Enveri e ruajti qetësinë, në të kundërt prishja me kinezët shkurtoi jetën e tij. Që nga ajo kohë i gjithë zhvillimi i Shqipërisë u vu në pikëpyetje, sepse aleanca jonë bazohej jo vetëm në afërsi ideologjike, por edhe ne interesa ekonomike. Jam çuditur kur kam parë ç’ shkruante Enveri për Kinën në një kohë që ne ishim vende miq. Po ai kishte të drejtë, ishte një analist shumë i mirë.
Pra ju e mohoni se keni gabuar?
Ne kemi qenë ndoshta më shumë se ç’duhet idealistë, shumë romantikë gjithashtu. Kështu mendoj unë sot. Po kemi gabuar pak, por as veproi si ne gjysma e botës? Nëse Enveri do të ishte gjallë, ai do të ishte për demokracinë. Po për demokracinë me rregull. /tesheshi.com/