Intervistoi: Mensur Krasniqi
Në mënyrë që të largojmë çdo dilemë rreth cilësisë dhe rolit të tij në parti, se do të mbajnë kongresin e partisë apo jo, se si do të shkojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, dhe mbi krizën politike në Maqedoni eksluzivisht për portalin tonë tesheshi.com i’ u është përgjigjur intervistës kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami…
Meqë shumica e aktivistëve apo qytetarëve ju njohin si kryetar i “Lëvizjes Besa”, të qartësojmë për opinionin, andaj po filloj intervistën me pyetjen: ju jeni nën cilësinë e koordinatorit apo kryetarit të “Lëvizjes Besa”?
Që nga prilli i këtij viti Lëvizja BESA është e regjistruar si parti politike në përputhje me ligjet e R. Maqedonisë. Vetë akti i regjistrimit nënkupton mes tjerash që si subjekt politik duhet të funksionojmë më të gjitha organet dhe institucionet që janë të parapara në statutin e Lëvizjes BESA. Dhe, nënkuptohet njëri ndër institucionet më relevante është edhe institucioni i kryetarit. Në Kuvendin themelues të mbajtur në muajin mars të këtij viti përgjegjësia që të udhëheq me Lëvizjen BESA nga pozicioni i kryetarit mu nda mua. Dhe e tërë kjo më obligon që nga ky pozicion të udhëheq me Lëvizjen BESA me të gjitha përgjegjësitë e parapara me statut.
Pse Lëvizja BESA?
Ne kemi qenë të shtrënguar nga ndërgjegjja jonë personale dhe kolektive që të japin nga vetja jonë atë që tjerët nuk ditën dhe nuk mundën ta japin. Secili prej nesh kemi kontribuar në fusha të ndryshme të shoqërisë dhe i kemi lënë të gjithë hapësirën subjekteve të deritanishme politike shqiptare që ata të kryejnë punën e tyre si duhet, por ato na dëshpëruan tejmase dhe shterën çdo mundësi por njëkohësisht vranë çdo shpresë se mund të realizojnë të drejtat themelore të shqiptare e mos të flasim për avancime. Realizimi personal është çështje e tejkaluar në mesin tonë, sfida jonë ishte realizimi kolektiv i shqiptarëve, andaj edhe i hymë këtij procesi të rëndë dhe me shumë përgjegjësi, pra themelimin e një subjekti politik shqiptarë. Gjendja politike, ekonomike, kulturore e sociale te shqiptarët e Maqedonisë po ngecë shumë edhe në raport me maqedonasit por edhe me rrjedhat shqiptare në nivel të kombit. Duke e perceptuar këtë gjendje si të këtillë, ne ishim të detyruar që të japim gjithçka nga vetja jonë që të përmirësojmë gjendjen e shqiptarëve në të gjitha fushat e lartpërmendura. Këto janë disa nga arsyet kryesore pse Lëvizja BESA.
Çka ju dallon juve si parti nga partitë tjera?
Ka shumë gjëra që na dallojnë, madje BESA është antipodi i gjitha subjekteve të deritanishme shqiptare, gjithçka që ato bënë gabim ne e kemi detektuar dhe e kemi bërë të kundërtën. BESA është subjekti i parë politik shqiptarë i cili nuk formohet për shkak të lëvizjeve stihike apo pse krijohet përçarje në një parti e prej saj bëhet një tjetër. Ne e kemi nisur BESËN duke e menduar gjerë e gjatë dhe të prirë nga vullneti që të përmirësojmë gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë. Ne kemi projektuar idenë dhe vizionin politik para se t’i thërrasim të tjerët të na bashkëngjiten. Ne kemi kërkuar gjithandej trojeve shqiptare që të na bashkëngjiten njerëzit më të vlefshëm, të respektuar dhe të realizuar profesionalisht, Ideja, vizioni dhe njerëzit që do ta realizojnë këtë ide janë shtyllat mbi të cilën ngrihet Lëvizja BESA dhe konsideroj se këto shtylla nuk i kanë pasur deri tani subjektet e deritanishme shqiptare.
BESA është forca e vetme në këtë shtet, që ofron një koncept për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni, por që në thelb nuk është kundër askujt. Ne kërkojmë përfundimisht deetnizimin e shtetit në të gjitha dimensionet, krijimin e mekanizmit që i mbron jomaqedonasit nga majorizimi, vendosjen e barazisë në të gjitha sferat, vendosjen e drejtësisë pa mundësi keqpërdorimi etnik, politik e partiak, si dhe zhvillimin e zonave shqiptare, por edhe të shtetit në tërësi. Në të kundërtën, nëse maqedonasit nuk e pranojnë as këtë ofertë, ata duhet ta dinë se ky shtet po udhëton pakthyeshëm në drejtim të segregacionit dhe nuk do të ketë forcë që e ndalë atë. Sepse, nuk mund të lejohet edhe më që shteti t’i trajtojë shqiptarët kështu dhe shqiptarët për këtë të pajtohen dhe të heshtin. Është vetëm një ofertë dhe janë vetëm dy zgjidhje: o do të bëjmë shtet të barabartë, të drejtë e të zhvilluar o ky shtet do të shkojë detyrimisht drejt barrikadimeve etnike, që mund të kenë përfundim fatal për vetë shtetin. E treta nuk ekziston. Kjo është BESA, të cilën ne e prezantojmë dhe ofrojmë, por edhe të cilën e kërkojmë nga shqiptarët që këtë ide ta bëjmë realitet.
Dëgjohen zëra në opinion se Lëvizja Besa nuk do të mban Kongresin e saj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që janë planifikuar të mbahen diku nga fundi i muajit prill në vitin e ardhshëm. A nuk mendoni se në këtë mënyrë ju vihet në pikëpyetje legjitimiteti juaj dhe i anëtarëve të trupit drejtues, meqë nuk jeni zgjedhur nga delegatë në mënyrë të drejtpërdrejtë demokratike, me votim?
Po, është e vërtet që në mbledhjen e fundit të Këshillit qendror u vendos që Lëvizja BESA në zgjedhjet parlamentare të parapara të mbahen për vitin e ardhëm do të futet pa kongres. Kur jemi këtu ju përgëzoj se portali juaj është mediumi i parë përmes të cilit për publikun më të gjerë e ndajmë një lajmë të tillë. Sa i përket pjesës tjetër të pyetjes që ndërlidhet me legjitimitetin e organeve të Lëvizjes BESA duke filluar nga legjitimiteti im si kryetar, do të kisha dashur që përgjigjes së kësaj pyetje ti qasem nga dy aspekte: aspektin formal-juridik dhe aspektin esencial. Sa i përket aspektit formal-juridik të gjitha organet kanë legjitimitet të plotë në përputhje me normat e dala nga statuti i Lëvizjes BESA. I vetmi dallim para dhe pas kongresit është mandati i organeve. Para kongresit mandati i të gjitha organeve është i përkohshëm deri në kongres. Derisa, pas kongresit të gjitha organet e dala nga kongresi kanë mandat 4 vjeçar. Sa i përket aspektit esencial, është e vërtet se në kongres i cili vjen si rrjedhojë e një procesi gjithëpërfshirës të ngritjes së organeve nga baza, të gjitha organet fitojnë legjitimitet më të fortë. Kur jemi këtu dua të theksoj së kjo edhe nuk paraqet ndonjë problem të theksuar në funksionimin tonë si subjekt politik. Duke e pasur parasysh dinamikën politike pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme nga njëra anë si dhe nga ana tjetër përcaktimin e Lëvizjes BESA që ti japë fund kësaj të keqe që na e instaluan partitë aktuale në veçanti ato shqiptare, Këshilli Qendror vendosi që kongresi i parë të organizohet pas zgjedhjeve të 24 prillit të vitit të ardhshëm. Këtë vendim duhet shikuar edhe nga një këndvështrim tjetër, atë të rezultatit zgjedhor të cilin do ta arrijë L. BESA. Pas zgjedhjeve në një ambient më të qetë politikë atëherë kur do ta kemi edhe rezultatin e arritur, si në nivelin qendror njashtu edhe në nivelin lokal, do ta kemi më lehtë që të vlerësojmë se kush e meriton që të marrë një mandat katërvjeçar, duke nisur që nga unë si Kryetar i Lëvizjes BESA.
Si do të merrni pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare e vetme ose në bashkëpunim me partitë tjera opozitare?
Së pari do të thoshim se për Lëvizjen BESA zgjedhjet dhe fitorja në to nuk është qëllimi i ekzistimit tonë, porse është vetëm mjeti me të cilin ne do ta realizojmë platformën tonë politike. Andaj ne nuk jemi të preokupuar shumë se kur do të mbahen zgjedhjet, sa jemi të përkushtuar që ta ndërtojmë një perceptim tjetër të politikës në Maqedoni, veçmas në kampin shqiptar, që kështu të mundësojmë që politika të bëhet profesion i njerëzve të suksesshëm, të dijshëm, të moralshëm dhe idealistë e vetëmohues për mirëqenien e popullit të tyre. Ndërkaq ne do të bashkëpunojmë me secilin që e pranon vizionin tonë dhe që pajtohet me ne në vija të trasha. Ndërsa kjo do të thotë të dakordohemi se ky shtet tashmë ka falimentuar dhe se patjetër duhet të ribëhet. Ne duhet të konstatojmë bashkërisht se Maqedonia tashmë është shtet që ka dështuar dhe kjo vetëm për arsyen e madhe se nuk e ka pranuar dhe nuk e pranon faktin se Maqedonia nuk është shtet njëetnik i kombit maqedonas, porse këtu janë dy kombe shumicë dhe komunitete të tjera, që e përbëjnë një shtet shumetnik. Pra, pa u reflektuar realiteti shoqëror edhe në realitetin shtetëror, nuk mund të flasim për asnjë temë tjetër. Nëse një subjekt shqiptar në Maqedoni së pari e pranon këtë, pastaj e pranon vizionin tonë si ta ndryshojmë këtë dhe, së treti, e ka vullnetin e kuadrot e mjaftueshme profesionale e të pakapura që mund ta shtyjnë këtë ide, për neve nuk është problem bashkëpunimi. Madje synimi dhe angazhimi ynë do të jetë që të dalim sa më të unifikuar e sa më shumë subjekte rreth një platforme shqiptare e cila do të ishte fituese në zgjedhjet që vijnë.
Vërehet qartë se jeni shumë aktiv në teren, sa jeni i mirëpritur nga qytetarët, dhe a nuk frikoheni se do ju gjejë fati i njëjtë si Imer Selmanit që llogaritej si një ndër liderët më simpatik tek qytetarët, duke fituar 150 mijë vota historike si kandidatë për president shteti, ndërsa në zgjedhjet parlamentare partia e tij nuk arriti të sigurojë në kuvend as edhe një deputet?
Është e vërtet së që nga dalja në skenën politike në nëntor të vitit të kaluar, Lëvizja BESA është ndër partitë më aktive. Këtë aktivitet intensiv tonin e determinojnë tre faktorë: nevoja për ngritjen e strukturave të shëndosha lokale në të gjithë territorin e Maqedonisë ku jetojnë shqiptarët; shpallja e zgjedhjeve të parakohshme si dhe vendimi i Lëvizjes BESA që të marrë pjesë në to; dhe detyrimi jonë politikë që të luftojmë për të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë nga pozicioni në të cilin gjendemi. Dhe e gjithë kjo është si të thuash vetëm njëra anë e medaljes ajo që Lëvizja BESA është e gatshme t`ju ofroj shqiptarëve të Maqedonisë, ana tjetër e medaljes dhe njëhësisht edhe më e rëndësishmja është vetë pritja që na bëhet nga vetë qytetarët shqiptarë gjithandej ku ne paraqitemi. Kjo pritje edhe më shumë na jep vullnet që të vazhdojmë edhe më me forcë drejtë misionit të cilit ja kemi mësyer. Sa i përket pjesës tjetër të pyetjes që ndërlidhet më krahasimin që bëni në mesë të Lëvizjes BESA dhe partisë së Imer Selmanit dua të potencoj se ky krahasim nuk qëndron aspak. Së pari, Lëvizja BESA nuk ka një Kryetar aq “simpatik” të cilit do të mund ti hyjë vetja në qejf dhe ta harrojë partinë dhe interesat e shqiptarëve. Dhe së dyti, ajo që vlerësoj unë se është më e rëndësishme, Lëvizja BESA nuk është derivat i asnjë partie ekzistuese dhe as që është iniciativë individuale e imja si Kryetar apo e ndonjë personi tjetër në parti. Lëvizja BESA është iniciativa e rinisë intelektuale të shqiptarëve të Maqedonisë, rini kjo që njëherë e mirë e ka kuptuar se duhet patjetër të largohen nga skena politike të gjithë ata politikanë që para interesit të përgjithshëm vendojnë interesat e tyre private, politikanë këta të cilët e kanë një çmim për të shitur interesat e shqiptarëve, qoftë ai edhe 5 milion euro.
Si e vlerësoni krizën politike në Maqedoni, cila është zgjidhja?
Kriza politike në Maqedoni është ndër më të rëndat që përjeton vendi pas konfliktit të vitit 2001. Krizë kjo që pas rastit të Kumanovës u pa botërisht se shumë lehtë mundë të degjenerojë edhe në krizë të sigurisë. Ajo që e shohim të gjithë tani si krizë politike është vetëm koka e ajsbergut. Pjesa tjetër e kësaj akullnaje që po e fundos Maqedoninë do të mund të shihet vetëm pas largimit nga pushtetit të këtyre politikanëve të cilët na sollën deri këtu. Një dimension tjetër po aq i rëndësishëm është edhe kriza ekonomike me të cilën po ballafaqohemi edhe tani, por pushtetarët tentojnë me çdo kusht që ta fshehin. Krizë kjo që shumë shpejtë mund të sjellë shtetin para një falimentimi total. Rrugëdaljen nga kjo krizë Lëvizja BESA e ka ofruar përmes platformës së paqes dhe ardhmërisë “Ridefinimi”. Duke pasur konsideratë për lexuesit e juaj këtë intervistë do të kisha dashur ta përfundoj më një pjesë nga platforma në fjalë pasi vlerësoj se është çelësi i zgjidhjes së krizës aktuale. Lëvizja BESA vlerëson se ridefinimi me një marrëveshje të re ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, që do ta vendoste parimin e konsensusit të përgjithshëm në të gjitha nivelet e shtetbërjes, pra pa majorizim, do të mund të prodhonte një shtet stabil e të qëndrueshëm, koheziv dhe me identitet të fuqishëm shtetëror, i cili do t’i afirmonte edhe identitetet e veçanta etnike në vend”. /tesheshi.com/