Një zhvillim interesant ka shoqëruar themelimin e ushtrisë së Kosovës.
Bashkësia Islame e atyshme – BIK, u ka këshilluar imamllarëve që fjalimin e xhumasë (të premtes), ditës së veçantë javore të muslimanëve, e quajtur ndryshe si hutbe, t’ja kushtojnë pikërisht këtij zhvillimi – themelimit të ushtrisë.
E jo vetëm kaq. BIK, një institucion i drejtuar nga myftiu Naim Tërnava, ofron një zbërthim fetar me referencë kuranore, mbi rëndësinë e ushtrisë dhe mbrojtjes në jetën e një populli, si garantues paqeje e sigurie.
Ja si e zbërthen BIK çështjen e ushtrisë:
“Secili shtet mëton t’i ofrojë siguri popullit të vet. Për ta bërë një gjë të tillë sigurisht nevojitet organizimi i një force, e cila duhet të marrë përsipër ruajtjen e popullit. Fetarisht, organizimi i kësaj force nuk është thjesht detyrim shoqëror, por edhe kërkesë dhe detyrim fetar, sepse, në mungesë të sigurisë, nuk mund të zhvillohet lirshëm as jeta fetare. Nga këtu, feja sigurinë e konsideron begatinë më të madhe që ka një shoqëri. Muhammedi a.s. ka thënë: “Kush gdhin duke qenë i sigurt (personalisht dhe familjarisht), i shëndetshëm fizikisht dhe duke pasur furnizimin ditor, ai është sikur t’i jetë dhënë e tërë dynjaja”.
Në këtë hadith flitet për sigurinë e përgjithshme: fizike, shëndetësore dhe materiale, pra për mirëqenien, por siç mund ta vërejmë së pari është filluar me sigurinë fizike, për shkak të vlerës dhe rëndësisë që ka në raport me mirësitë e tjera. Vetëm ata që kanë përjetuar luftëra dinë të bëjnë krahasimin në vlerë dhe rëndësi ndërmjet sigurisë dhe mirësive të tjera.
Siguria ka rëndësi të veçantë, sepse pa të jeta nuk ka kuptim. Në mungesë të saj, asnjë formë e jetës shoqërore nuk mund të zhvillohet lirshëm, andaj për të, duhet t’ia dimë Allahut, siç duhet t’ia dimë Atij edhe për mirësitë e tjera. Allahu në Kuran thotë: “Prandaj le të adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie (Qabesë), 4. i Cili i ushqen ata në ditë urie dhe i siguron në ditë frike.” Siguria ka rëndësi të madhe edhe për jetën psikike dhe emocionale të njeriut. Muhammedi lutej shpesh që Zoti ta begatonte me mirësinë e sigurisë, e thoshte “…O Allahu im, më mbulo të metat dhe më ofro qetësi e siguri (nga çdo gjë që më frikëson)”
Siguria shoqërore vjen si rezultat i përmirësimit shoqëror, i ndryshimit për të mirë, i avancimit me të drejtat e qytetarëve, i drejtësisë dhe barazisë shoqërore. Ja çfarë na mëson Kurani: “Allahu u ka premtuar atyre prej jush që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri….”/
Duke qenë se shtetet kanë miq dhe armiq, atëherë ruajtja e shtetit nuk mund të jetë vullnetare. Për këtë shkak, formimi i ushtrisë dhe përgatitja janë domosdoshmëri, përveç të tjerash, edhe për të frenuar armiqtë të cilët duan ta cenojnë sigurinë tonë. Ja çfarë na mëson Allahu: “Përgatisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni, që të tmerroni armikun e Allahut dhe armikun tuaj, si dhe të tjerë veç tyre, të cilët ju nuk i njihni, por që Allahu i njeh. Çfarëdo që të shpenzoni në rrugën e Allahut, do t’ju shpërblehet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtësi.” Meqë siguria ka kaq vlerë, atëherë edhe ata që e ofrojnë atë kanë vlerë të madhe: “Dy sy nuk do t’i djegë zjarri i Xhehennemit: syrin që qan nga frika e Zotit dhe syrin që kalon natën duke ruajtur në rrugën e Zotit.” Pra, Zoti do t’i dallojë me mëshirën e Vet besimtarin e devotshëm dhe ushtarin besnik. I pari kalon natën duke e adhuruar Zotin dhe duke qarë prej frikës së Tij, ndërsa i dyti rrezikon jetën e vet që t’i ofrojë siguri të tjerëve andaj edhe meriton këtë gradim te Zoti.
Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar ligjet për shndërrimin e FSK-ës në ushtri të rregullt. Është një ëndërr jona e kamotshme. Me këtë Kosova merr formë shtetërore më të qartë. Ne, qytetarët, do të ndihemi më të sigurt, më të qetë, sepse kemi ushtrinë tonë e cila na ruan dhe kujdeset për ne, andaj e kemi për detyrim fetar që të mos kursehemi nga lutjet drejtuar Allahut të Lartmadhëruar që ta ruajë vendin dhe popullin tonë, të na begatojë me mirësi e siguri, ta ruajë dhe ta forcojë ushtrinë tonë, t’i begatojë gjithë ata ushtarë me shëndet, forcë, kurajë, guxim e gatishmëri për të qenë gjithmonë në ruajtje dhe shërbim të vendit dhe popullit të tyre. Përhajr na qoftë ushtria, Zoti e begatoftë me të mira vendin dhe popullin tonë!”, përfundon shpjegimi i BIK mbi rëndësinë e pasjes së një ushtrie në shërbim të popullit. /tesheshi.com/