Interi i Milanos kthehet me këmbë në tokë, pasi provon për herë të parë “shijen” e humbjes. Skuadra e Spalletit nuk duhej të kishte një ndeshje të vështirë ndaj Udinezes, por miqtë kishin shkuar në Milano me mendje tjetër.
Pas një nisjeje me presing, Udineze kalon në avantazh që në 15 minutat e para me Lazagna. E ndërsa miqtë ende nuk i kishin hequr duart e përqafimit nga sho-shoqi, kapiten Icardi barazon rezultatin, pa kaluar ende minuti.
Në këto kushte të gjithë sikur morën frymë për fillimin e pazakontë të ndeshjes dhe prisnin golin e zikaltërve. Por barazimi ishte rezultati që mbylli pjesën e parë. Udineze nuk u tremb për asnjë çast nga kundërshtari që kryeson Seria A dhe vijoi të kundërsulmonte rrezikshëm. Në një të tillë fitoi dhe një penallti, të cilën e shndërroi në gol De Paul.
Sërish gjendje shoku për vendasit dhe fillojnë ndërrimet me të cilat u pretendua ndryshimi i rezultatit. Por ndodhi e kundërta e asaj që pritej dhe Udineze shënon dhe golin e tretë me Barak.
Me rezultatin 1-3 përfundon e gjithë ndeshja, që me shumë gjasa nuk do ta lejojë skuadrën e Spalletit të kryesojë më kampionatin. Megjithatë humbja një ditë vjen në futboll. E rëndësishme është të mos bëhet rrugë, e të mësohesh me të. /tesheshi.com/