Nga Blendi Gashi
Në zbatim të Marrëveshjes së Brukselit për shuarjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, ose Civilna Zastita, të arritur më 26 mars 2015 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-ve, si dhe duke u mbështetur në vendimin e Qeverisë nr. 06/39 i datës 22.07.2015 për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, të hënën është përmbyllur procesi i nënshkrimit të kontratave për individët që thuhet se me sukses janë përzgjedhur për t’u bërë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Sipas obligimit të saj, qeveria e Kosovës me këtë rast i ka integruar 483 persona, në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit.
Përzgjedhja e këtyre kandidatëve thuhet se është bërë në përputhje me ligjin për Shërbimin Civil dhe për atë të Punës.
Dhe, pas lajmit se është shuar “Mbrojtja Civile”, brengë kryesore në ditët dhe muajit në vijim do të mbetet nëse kjo structure, e cila për 16 vite veproi ilegalisht në veri të vendit, do t’i bindet apo jo urdhrave të shtetit të Kosovës.
Tesheshi.com ka marrë mendimin e disa analistëve, por dhe njohësve të çështjeve të sigurisë, për të trajtuar këtë temë.
Ata janë skpetikë dhe thonë se pjesëtarët e “Civilna Zastitës”, do të vazhdojnë të paguhen nga Serbia dhe do t’iu binden urdhërave të Beogradit, ndërsa nga shteti i Kosovës do të marrin pagën por jo edhe urdhërat.
Arben Qirezi, thotë se nëse Serbia vazhdon nëpërmjet shumë mënyrave që të ketë ndikim e pushtet brenda Kosovës, gjë e cila mund ta vërë në pikëpyetje edhe jetëgjatësinë e kësaj shpërbërje dhe lojalitetin ndaj ligjeve të Kosovës.
“Në këtë kuptim, kjo shpërbërje mund të jetë diçka që bëhet për konsum të brendshëm, pasi që Serbia ende nuk ka marrë vendim për shpërbërjen e strukturave të saj në Kosovë. Në fund të fundit, “Rojat e Urës” janë paguar nga buxheti i Kosovës prej vitit 2000, edhe pse kanë vepruar në kundërshtim me Rregulloret e atëhershme të UNMIK-ut. Institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi që të sigurojnë respektimin e ligjeve nga ana e qytetarëve të saj dhe të njerëzve që shërbejnë në institucione publike”, ka deklaruar Qirezi për tesheshi.com.
Për atë nëse është bërë diskriminim me inkuadrimin e këtyre pjesëtarëve në institucionet kosovare dhe jo edhe të komuniteteve tjera, analisti Qirezi shton se Kushtetuta e Kosovës kërkon proporcionalitet në përfaqësim dhe qeveria e Kosovës e ka për obligim që ta respektojë Kushtetutën edhe në këtë rast.
Ahmeti Isufi, ish kryetar i komisionit kuvendor për siguri, thotë se qeveria e Kosovës po vazhdon të bëj gabime në vazhdimësi; dhe dëshmia më e mirë e kësaj është vetëm integrimi i serbëve të “Civlina Zastita”-s në institucione e jo edhe i nacinaliteteve tjera.
“Që nga fillimi ka pasur diskriminim ndaj nacionaliteteve tjera në Kosovë pasi janë përkëdhelur vetëm përfaqësuesit serbë, sidomos strukturat paralele.
Pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” do të vazhdojnë t’i nënshtrohen urdhrave të Beogradit e nga ana tjetër do të marrin pagën edhe nga shteti i Kosovës”, thotë Isufi, për tesheshi.com.
Eksperti i Sigurisë, Drizan Shala, thotë se nëse shikohet në aspektin politik se çdo gjë është në rregull, kjo nuk vlen edhe në aspektin e sigurisë nacionale.
Shala ka deklaruar për tesheshi.com se inkuadrimin e “Mbrojtjes Civile” në institucionet e vendit e quan si “Kalin e Trojës” në mesin tonë; që duke bërë përpjekje të shuhet virusi nga jashtë, ai po inkuadrohet brenda trupi tonë.
“Me këtë, po e lëmë që imuniteti i shtetit tonë të jetë i atakuar gjithmonë sa herë që janë në pyetje interesat e shtetit serb në Kosovë. Sepse në pjesën veriore operojnë këto institucione siç janë MUP-i serb, “Mbrojtja Civile”, BIA, VBA.etj.
Prandaj, si qytetar edhe si studiues i fushës së sigurisë, bëj apel që së paku në këtë proces ku kemi të bëjmë me struktura të jashtme të sigurisë që deri dje ishin agresorë kryesorë, të konsultohet edhe AKI-ja e cila mund ta monitorojë më këshilla që së paku të mos infiltrohen persona që prejardhjen e kanë nga struktura me karakter informativ apo “Shërbimet Sekrete”, thotë Shala. /tesheshi.com/