I ngopur me pushtet, por ende i uritur për protagonizëm maksimal, kryeministri i Shqipërisë vazhdon si një magjistar të prodhojë nga hiçi ide dhe lëvizje më shpesh irracionale se racionale. Në vend se të përmbushë thjesht e mirë detyrën shtetërore, ai duket se nxitet nga dëshira e nënvetëdijshme për të torturuar masën me gjetje anormale, që po aq sa sadiste është dhe mazokiste me reagimin përmbytës të vetëkërkuar.
Befasimi është pasioni i tij, jo rutina e një drejtuesi shteti të radhës, të cilit do t’i jetë harruar emri kur koha të bëjë të sajën dhe pushteti të mos jetë më e miqtë të jenë tretur. Tabloja e pikturuar mbi veten është ajo e një heretiku të normales, ende me pak gjë për të marrë formën përfundimtare ndërsa ngjyrat e penelit humbin pak nga pak forcën.
Parëndomësia në sjelljen e një qenieje të tillë merr herë-herë trajta halucinante; shpërfytyrime realitetesh që ndryshe nuk duan gjë tjetër veçse të mos ngacmohen. E tillë është kjo tollovi për një shtet a entitet sovran bektashinjsh, në pamje të parë gati një dashuri e pafajshme e çastit që i ka rrëmbyer zemrën dhe mendjen. Ku kish qenë më parë ky mendim i epërm, feksur nën atë dukje largpamëse përtej qiejgërvishtësve njujorkianë.
Zbritur më poshtë, në nivele mendjesh të paafta për të parashikuar të paparashikueshmen e një mendjeje aq prodhuese, tek nuk dihet ende se nga ç’shishe doli ky djall në formë ideje që rri ashtu si një ish-shtetar mbi hekura e përqesh që andej, ai sapo ka ftuar në skenë kritikues e lëvdues, mendjemprehtë dhe mjeshtra të përdredhjes, ekstreme imagjinatash dhe shpjegimesh. Për të mos harruar e për të mos i hyrë në hak sojit të “ekspertëve”, në ekspansion dhe pa asnjë dallim në përdorimin e të njëjtave fraza, thënëse gjithmonë të asgjëje, “unë mendoj se…; unë besoj se…”.
Ky zhvillim përbën, ndërkohë, një eksperiment të vlefshëm shoqëror, përmes së cilit mund të dallohen qartë tipologjitë e opinioneve dhe të zotëruesve të tyre. Në të vërtetë, është një rast i mirë për të parë dobitë e shprehjes, “ç’ka barku e nxjerr bardhaku”, përdorur zakonisht për të pirët, ndonëse dhe këtu nuk jemi larg një dehjeje.
Interesi nuk qëndron në marrjen e pozicioneve kundrejt iniciativës së kryeministrit, krejtësisht të pritshme për thuajse të tërë reaguesit publikë. Për një pjesë është interesante mënyra si e shprehin konceptin e tyre mbi besimin, në nivele që nuk ngrihen as te mediokriteti, duke reflektuar padituri dhe cektësi tërbuese.
Si një shembull model i reagimit qytetar spikasin fjalët e Justinian Topullit, teologut me integritet të lartë dhe një prej përfaqësuesve më të denjë të bashkësisë së muslimanëve. Qëndrimi i tij adekuat i përmbahet pas parashtresës kornizës së bindjes fetare, me një qartësim të shkëlqyer dhe thellësisht shterues, pa përfshirë vektorë të kontributeve kombëtare, sot e tërë kohës përdorur nga mbështetësit e idesë për të përligjur të papërligjshmen:
“Kryeministri ynë, i një vendi të vogël, …, ka marrë përsipër të japë një mesazh global, përmes së cilit kërkon të destigmatizojë muslimanët nëpër botë, nga stigma negative që të tjerët kanë për ta! Me fjalë të tjera, muslimanët e mbarë botës do të marrin si dhuratë nga ky vend i vogël… një përpjekje të paprecedentë për heqjen e ‘njollës’ që ata kanë në biografinë e tyre! … Islami, për ne, në thelb është perceptim i asaj që ka dashur Zoti të jetë dhe jo njerëzit. Islami, për ne, është ai perceptim që Profeti i tij ka pasur për të, dhe jo ai që hamendëson dhe parapëlqen bota moderne perëndimore apo lindore për të. … E vërteta dhe afërsia me burimin origjinal të Islamit është shumë më e shtrenjtë dhe e dobishme sesa çdo trashëgimi historike fetare e cila na largon shumë ose pak nga origjinaliteti burimor i Islamit.”
E kundërta e kësaj thellësie parimore në kontekst besimor gjendet në një shkrim thellësisht pro idesë më se të guximshme të kreut të qeverisë sonë. Koncepti është katastrofik, dhe përzgjedhja e autorit, Ilir Yzeiri, pa lidhje në fakt në aspekt profesional me teologun, është bërë sepse ai hyn ndër formësuesit e opinionit publik me publicistikën e tij aktive.
Ja ç’i thotë ai publikut: “… Nëse e lexon sot me vëmendje Fletoren e Bektashinjet të Naim Frashërit që në një farë mënyrë është teksti i shenjtë i Urdhrit do të vëresh se ai tekst është një manifest i shkëlqyer i tolerancës, dijes, harmonisë dhe panteizmit. Aty ka më shumë tolerancë dhe më shumë kode perëndimore edhe se në Bibël. Çfarë të keqeje do të kishim nëse ai tekst i Naimit do të njihej këtej e tutje nga e gjithë bota me qenë se do të shërbejë si libër i shenjtë i këtij besimi sepse ashtu e shpalli Naimi. Në atë tekst gjenden të bashkuara të gjitha principet deiste e iluministe.”
Citimet e mësipërme përfaqësojnë veç dy elemente të një debati të krijuar panevojshëm e artificialisht për një çështje pa çështje deri dje. Në një shoqëri të trazuar dhe në tranzicion të vazhdueshëm si kjo e jona nuk është e vështirë t’i ndezësh gjakrat e të ngjallësh ndjenja foklorike krenarie. Se deri ku shkon argumenti, u takon argumentuesve të kuptojnë e të kujtojnë se në ç’cak e kanë dijen dhe si duhet të sillen me të.
Të cituarit, pjesë dhe zëra të dëgjuar të kësaj shoqërie, i ndan një det i tërë konceptualiteti mbi hyjnoren dhe njerëzoren. I pari mishëron me formimin e tij besimor dhe intelektual një shtresë të re të mirëpërgatitur dhe pa ndikimet e një fetarie sipërfaqësore që më shumë të nxjerr nga rruga e duhur se të mban në të. I dyti është përfaqësues tipik i trashëguesve të pavetëdijshëm të botëkuptimit të njeriut të ri; edhe kur ndodh ta kenë fetaren si vetëdije, e shohin atë si diçka skajore e për të cilën mund të flitet me lehtësinë e diskutimit të një ndeshjeje futbolli. Individualisht, qëndrimet e tyre janë problem vetjak, por si zëra publikë, ato na tregojnë se ç’ushqim i jepet shoqërisë dhe si ndërtohet konstrukti ideor social.
Duhet t’ia njohim, pra, të mirën e vetme iniciativës së kryeministrit, që na jep mundësi të këqyrim stadet e mendimit shoqëror dhe dobitë e dëmet e segmenteve të tij. Një lloj sitjeje është e nevojshme, ka ardhur koha për të.
Ndryshe, arsyetimet me nuanca kombëtare dhe mbi tolerancën dogmatike e jetësore të atyre me fat të rënë nga qielli (i kryeministrisë) për të fituar sovranitet të pakërkuar nuk mjaftojnë për të krijuar bindje të pabaza. Aq më pak ato mbi paraqitjen e tyre si të pakrahë.
Megjithatë, parë cinikisht, kjo nismë provokuese vlen! /tesheshi.com/