Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Australi, ku tre parashutistë kanë humbur jetën pasi u përplasën në ajër me njëri-tjetrin, raporton policia lokale.
Incidenti tragjik ndodhi në zonën “Mission Beach”, një vend shumë popullor për këtë sport ekstrem.
Policia e provincës së Queenslandit tha se 3 viktimat, dy meshkuj rreth të 30-ve dhe një femër rreth 50 vjeç, u gjetën të vdekur në vendngjarje.
Sipas hetimeve fillestare thuhet se parashutisti që fluturonte vetëm, duhet të jetë përplasur me dy të tjerët që fluturonin bashkë. Si pasojë, parashutat nuk u hapën siç duhej dhe viktimat gjetën vdekjen e menjëhershme për shkak të rënies nga lartësia e madhe.
Kompania “Skydive Australia”, që organizon hedhjet me parashutë, tha se kishte ndërprerë aktivitetin. Mësohet se dy parashutistët meshkuj ishin ekspertë të këtij sporti, ndërsa femra ishte një turiste. /tesheshi.com/