Vetëm pak ditë pas mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Malit të Zi dhe asaj të Shqipërisë në Shkodër, ka ndodhur një incident i cili është pasqyruar edhe nga portal i Kremlinit, Sputnik.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën shqiptare të Malit të Zi ku janë grabitur pesë xhami të rëndësishme të rrethinave të Ulqinit.
Bëhet fjalë për xhamitë në Katërkollë, Bojk, Millë në Ulqin, si dhe ato në Goranë dhe Peçuricë, në territorin e Tivarit, nga të cilët hajdutët kanë marrë kutitë në të cilët besimtarët kanë lënë sadakanë, gjegjësisht kontributet vullnetare.
Policia ka kryer hetimin në vendngjarje dhe po kërkon personat që kanë kryer këto krime.
Lajmi është bërë publik edhe në portalin e Kremlinit Sputnik, padyshim me spunto të caktuar politike ndaj shqiptarëve.
Deri tani nuk ka ndonjë të dhënë se kush janë njerëzit që kanë kryer këtë vepër, e cila duhet thënë se është e pazakontë në trevat shqiptare të Malit të Zi.
Nail Draga, intelektual i njohur i trevave shqiptare në Mal të Zi akuzon qeverinë e Podgoricës se nuk ka bërë asgjë për të integruar shqiptarët në shoqëri.
“Në mozaikun nacional të popullsisë në Mal të Zi, shqiptarët janë e vetmja popullsi me prejardhje josllave, e dhënë kjo që i bën të veçantë nga pjesëtarët e popujve të tjerë. Dhe s’ka si të jetë ndryshe, sepse shqiptarët si popull autokton kanë identitetin e tyre të veçantë nga të tjerët, si nga gjuha, kultura, historia e tradita. Andaj duke marrë parasysh këto veçori, me të drejtë bëhët pyetja, se si qëndron çështja e integrimit të shqiptarëve në këtë mjedis. Ndonëse një temë e tillë paraqet çështje të veçantë, jemi dëshmitarë se edhe në pluralizëm ekzistojnë vështirësi të natyrave të ndryshme sa i përket integrimit të tyre në Mal të Zi, nga fakti se këtu gjithnjë është i pranishëm mentaliteti i kohës së monizmit.
Shqiptarët nuk dëshirojnë të jetojnë në geto, përkundrazi ata dëshirojnë të integrohen, por me identitetin e tyre. Duke marrë parasysh se numerikisht janë pak, rreth 5% sipas statistikës zyrtare nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, duhet një përkujdesje e veçantë nga strukturat e pushtetit qendror për të mbrojtur identitetin kombëtar, e kjo ka të bëjë sidomos në fushën e arsimit, gjuhës, informimit, kulturës etj. Po ashtu përkujdesje duhet kushtuar edhe në investime e punësim, konformë përqindjës së pjesëmarrjës në kuadër të popullsisë së përgjithshme. Por, përvoja e deritashme dëshmon se për ndryshime cilësore në këtë aspekt duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit, e jo të dëgjojmë retorikë monotone që në shumë raste i ngjanë demagogjisë.
Mbrojtja e identitetit kombëtar të shqiptarëve nuk rrezikon askeënd në Mal të Zi, përveç individ apo subjekte të ndryshme politike e jo politike, të cilët vuajnë nga sindromi i hegjemonizmit.Vetëm duke mbrojtur identitetin e popujve të vegjël, përkatësisht popujve të ndarë, duke mbrojtur dhe valorizuar trashëgiminë kulturore, si dëshmi e identitetit të tyre, Mali i Zi do të ishte në praktikë shtet demokratik multinacional sipas standardëve ndërkombëtare”, shkruan Dr, Nail Draga.
Në fillimjavë, në Shkodër u mbajt mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku kryemiministri malazez, Dushko Markoviç foli vetëm për të drejtat e pakicave malazeze në shqipëri dhe jo pë rata të shqiptarëve në Mal të Zi.
Fatkeqësisht nuk foli asnjë fjalë edhe homologu i tij shqiptar, Edi Rama. /tesheshi.com/