Ilir Meta ka shpërthyer ndaj ambasadës amerikane në Tiranë, duke mbajtur anën prokurorëve dhe gjykatësve që u është hequr vizat.
Në mënyrë të hapur, Meta ka sfiduar ambasadorin Lu duke thënë se nuk do të ketë dy procese vettingu, një nga SHBA dhe një nga Gjermania; por vetëm një, nga Shqipëria.
Në një intervistë për Sokol Ballën në Top Story, kreu i LSI-së ka mbrojtur në mënyrë të hapur kryeprokurorin Llalla dhe bashkëpunëtorët e saj.
U kam dhënë një premtim, që pyetja e parë do të jetë kush është koka e çmendur që po çmend gjithë këtë vend?
Irracionaliteti në politikë dhe në debatin publik është fenomenin që duhet të na tërheqë vëmendjen për të qenë më të qetë, më racionalë edhe për t’u qëndruar larg këtij fenomeni për të cilin ka shkruar i madhi Dritëro Agolli gati 23-24 vite më parë. Ai duke dëgjuar parlamentin e asaj kohe shkroi disa vargje që kanë mbetur për fat të keq aktuale edhe sot.
Një nga fjalët për Dritëroin thatë që humbët një person tek i cili shkonit për një këshillë të mirë. ju kam parë në një javë jo të zakontë për ju, ku ajo shprehja me “qetësi nuk kishte vend?
Ka qenë e qetë, por tensioni publik ka qenë i nxehtë dhe për sa i takon Dritëroit i kam takuar bashkëshortes së tij, që do të bëjë edhe unë një libër për Dritëroin, kujtimet e mia.
Përse cituat atë poezi të Dritëroit në atë konferencë?
Ishte një mesazh për të qetësuar debatet ndaj të gjithëve, përfshirë edhe email-in që ndezin gjakrat më shumë seç duhet dhe ndonjëherë keqraportojnë duke nxitur debate të tepërta.
Ajo konferencë ishte momenti kur ju bazuar në prova dhe shkresa të grumbulluar nga prokuroria e përgjithshme, kur u bëtë palë në një konflikt të pashembullt mes prokurorit dhe ambasadorit Lu.
Nuk jam bërë palë në asnjë konflikt me askënd. Jam palë me transparencën dhe të vërtetën, sidomos kur bëhet fjalë për një të vërtetë që ka ndodhur në kuvendin e republikës së Shqipërisë, ku u hodh shorti. Kam patur për detyrë dhe kam ndjerë për detyrë që thjesht të bëj transparencën maksimale të procesit që kishte ndodhur, por edhe pas procesit, duke kërkuar të dhëna shtesë në mënyrë zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme që menjëherë janë publikuar në faqen e Kuvendit dhe që ndoshta nuk janë të sakta dhe unë akoma pres që nëse ndonjë prokuror apo prokurore është përjashtuar nga e drejta që i jep ligji dhe plotëson kriteret, atëherë unë do të kem një qëndrim tjetër edhe ndaj Prokurorit të Përgjithshëm. Por deri më tani nuk na ka rezultuar.
Kur thoni që procesi i transparencës nuk është bërë i plotë pasi thatë që po grumbulloni dokumente të reja, përse nuk pritët të gjitha këto për të patur një mendim final?
Për mua e keni këtë kritikë?
Jo, është pyetje.
Deklarata ime nuk ka rritur tension, por ka sjellë sqarime të deritanishme. Nuk ka qenë detyra e Kuvendit për të kryer këtë proces, ka qenë një institucion tjetër që do të niste këtë proces. Në këto kushte, Kuvendi mori nismën për të zhbllokuar këtë proces dhe besoj se mori kohën e duhur. Unë nuk e hodha shortin brenda 24 orëve, por e shtyva me disa ditë për të bërë publik emrat e kandidatëve. Ka qenë vetëm një ankesë e një gjyqtareje, që pranonte se nuk plotësonte kërkesat e ligjit. Kemi sqaruar se Kuvendi nuk bën interpretimin nëse plotësohen apo jo kriteret. Nëse dikush ankohet, atëherë çështja mund të shkojë në gjykatë.
Akuzat e Lu?
Jam habitur nga deklaratat dhe kam pyetur nëse prokurori ka bërë lëvizje për prokurorë që kanë plotësuar kushtet. Prokuroria rezulton që, sipas shkresave të saj, vetëm këta tre prokurorë plotësonin kushtin që duhet të jenë magjistratë.
Çfarë ndodhi? U çmend ambasadori amerikan?
Nuk e di. Ose ka info që unë nuk e kam ende, ose është keqinformuar. Nuk besoj se ambasadori ka për qëllim që të dëmtojë imazhin e Kuvendit.
Një nga akuzat e Lu ishte fakti që ka patur përpjekje për të marrë serverin e ILDKPI, ku janë deklaratat e pasurive të njerëzve të drejtësisë me qëllim manipulimin e saj për të penguar reformën në drejtësi. Asnjë nga këto akuza nuk ju duket të njohura?
Kemi një marrëdhënie shumë të qëndrueshme, transparente me ambasadorin dhe ambasadën e SHBA, që na ka mbështetur për reformën në drejtësi. Kemi komunikim të herëpashershëm për të ndjekur zbatimin e reformës. Nuk kam patur asnjë shqetësim lidhur me hedhjen e shortit për KED, të shprehur nga ambasada apo misioni OPDAT. Kam patur një shqetësim përpara 2-3 javës, kur Prokurori i Përgjithshëm shpall procedurat për zgjedhjen e zv.prokurorit të Përgjithshëm që është një pozicion i ri dhe pretendimi ka qenë që me një interpretim më të plotë të paketës, ky zv.prokuror zgjidhet nga prokurori i ri i përgjithshëm kur i mbaron mandati prokurorit aktual. Pas kësaj jemi konsultuar me juristët e Kuvendit dhe dolëm në përfundimin që ky shqetësim qëndron. Për rastin konkret unë nuk kam një shqetësim konkret përveç deklaratës publike.
Për sa i përket akuzës së ambasadorit për ILDKPI…
Unë për këtë çështje, pasi kreu i ILDKPI-së, Ganaj ka ngritur këtë shqetësim, jam takuar me të. Jam takuar disa herë me zotin Ganaj dhe zotin Llallaj. i kam kërkuar Prokurorit dhe Ganajt që të jenë bashkëpunues me njëri-tjetrin, duke respektuar ligjin. Kanë patur këndvështrime të ndryshime lidhur me kompetencat për të zhvilluar këtë proces hetimor. Ajo që kam këmbëngulur është që çdo veprim të ishte i ligjshëm dhe të respektohej vendimi i gjykatës. Gjykata ka dhënë një vendim që është respektuar. Nuk mund të paragjykoj qëllimin sepse të hetosh mbi të vetmin institucion hetimor që ka Shqipëria është një përgjegjësi e madhe. Kam qenë në dijeni të kësaj situate dhe jam përpjekur për normalizimin.
Asnjë nga shqetësimet e Lu nuk ju rezultojnë të bazuara?
Nëse ambasada vjen nesër dhe më sjelle një emër prokurori që plotëson këto kushte, atëherë kjo është një çështje shumë e drejtë.
Nuk rezulton pengesë?
Nëse quhet pengesë një njeri që respekton ligjin, kjo është çështje tjetër.
Akuzat e kryeprokurorit i ndoqët? Ka një koincidencë që deklaratat e zotit Lu kanë ardhur një ditë pasi ju keni marrë letrën e zotit Llalla për këto akuza.
Ajo letra do të ketë disa ditë më shumë, por nuk shoh ndonjë lidhje për publikun. Ajo ka qenë letër për Presidentin dhe kryetarin e Kuvendit.
Thatë që reforma në drejtësi është pronë e shqiptarëve, por pati një sponsor të fuqishëm SHBA. Zoti Lu është një ambasador i posaçëm dhe e ka një të drejtë ekstra për të thënë diçka më shumë?
Patjetër. Ambasadori ka një vend të veçantë sepse Amerika ka një vend të veçantë në raportet tona. Të jeni të sigurt që po të ishte ambasadori i një vendi modest, shumë prej veprimeve dhe sjelljeve do të ishin të papranueshme. Por përderisa kemi vendosur që SHBA janë aleati ynë strategjik dhe ata kanë investuar mjaft për shqiptarët, ne padyshim që pranojmë edhe kritika, edhe publike. Kemi nevojë të përmirësohemi më tej, por asnjë ambasador nuk mund të zëvendësojë institucionet sepse nuk e ndihmon Shqipërinë që të ecë përpara dhe të ndërtojë institucione të qëndrueshme. Kontributi më i madh që mund të jepet është gjithmonë në partneritet.