Zaha Hadid, e para fituese femër e çmimit Pritzker për arkitekturë, ka vdekur në moshën 65-vjeçare. Britanikja e lindur në Irak gjendej në Majami, ku por kurohej nga bronkiti, por ka ndërruar jetë pas një ataku kardiak.
E lindur në Bagdad më 1950, ajo do të studionte fillimisht për matematikë në Liban, për t’iu kushtuar më pas studimeve për arkitekturë në Londër.
Në vitin 2004 do të bëhej e para femër që do të fitonte çmimin Pritzker, të njohur ndryshe dhe si Nobeli i arkitekturës.
Hadid është bërë e njohur me projektet e saj neofuturiste, dhe është cilësuar si një pioniere në fushën ku e përqendroi aktivitetin e saj.
“Zaha Hadid u çmua gjerësisht si arkitektja më e madhe sot në botë,” thuhet në një njoftim për vdekjen e saj.
Ajo do të bëhej tani vonë e para femër që do të merrte në vlerësim të punës së saj Medaljen e Artë të Insitutit Mbretëror të Arkitektëve Britanikë. Zaha Hadid do të fitonte dy herë dhe çmimin më me prestigj në Britani për arkitekturën, Riba Stirling Prize.
Ndër projektet e saj është dhe një prej stadiumeve në Katar, ku do të zhvillohet Kupa e Botës në futboll në vitin 2022. /tesheshi.com/