Njeriu i radhës që lë Vetëvendosjen me dorëheqje, është zëri i Lëvizjes, Shkodran Hoti, zyrtari për Media. Ai, më gjatë se çdokush në mesazhin e lamutmirës, pos arsyeve ka lëshuar dhe një lum akuzash. Hoti fajëson Albin Kurtin për gjendjen e krijuar ku drejton një mori kritikash ndaj tij, duke u futur dhe në shifra pagash.
Mesazhi i plotë:
Në fund të vitit 2009 jam angazhuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe atëherë isha vetëm 16 vjeçar. Sapo kisha filluar mësimet në gjimnaz dhe kisha takuar disa aktivistë të cilët po mbaronin vitin e fundit, me të cilët fillova të shoqërohesha. Mbaj mend që në fillet e shoqërisë tonë patëm diskutuar mbi problemet në gjimnaz dhe për mua ishte ndjesi e mirë që ai vend po bëhej hapësirë ku diskutohet se si t’iu jepej zgjidhje atyre problemeve, e jo vetëm një hapësirë ku ulemi vetëm për të dëgjuar ligjërimet e profesorëve, njërit pas tjetrit.
Përmes tyre, më vonë u njoha direkt me Lëvizjen. Sa më shumë që njihesha, aq më shumë rritej dëshira që të jem pjesë e saj dhe pas pak muajve, u bëra pjesë e saj. Në qytetin tim prej nga vij, Istog, asokohe Lëvizja nuk kishte qendër të sajën, por aq sa ishim, as dhjetë veta, takimet i mbanim kudo që mundnim dhe aktivitetet që kërkoheshin, i realizonim. Aktiviteti i parë në të cilin po merrja pjesë si aktivist i ri ka qenë “Peticioni për lirimin e Albin Kurtit”, ku për ditë të tëra nëpër fshatara dilnim e mblidhnim nënshkrime kundër një padrejtësie që po bëhej jo vetëm ndaj Albin Kurtit dhe VETËVENDOSJE!-s, por ndaj gjithë popullit shqiptar.
Më pas, hap pas hapi, duke u angazhuar me vullnet të fuqishëm e ideale të zjarrta, bashkarisht themeluam pikat e para, që më pas të themelohej edhe Qendra në Istog. Për mua ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Pas mësimeve në shkollë, takoja thuajse çdo ditë njerëz të ndryshem dhe po njihesha në mënyrë direkte me atë me çka ballafaqoheshin në përditshmëri. Para tyre, ndonëse më i ri se secili njeri që takoja, shpjegoja rrjedhën që kishte sjellë atë gjendje, dhe me entuziazëm të madh iu flisja për mundësinë që gjendjes në të cilën ishin ata t’i jepet një kahje tjetër, gjë e cila garantohej vetëm nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kjo, pasi ajo grumbullonte rreth vetes njerëz me dije, vullnet e guxim.
Gjatë tri viteve sa po ndiqja mësimet në gjimnaz, kisha ndjekur edhe shkollën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e cila më dha mësime të jashtëzakonshme, ku përjetova përvoja ta papërsëritshme. Ishin vite që më jepnin një ndjenjë, për të cilën isha i sigurt që nuk e kishte çdo gjimnazist, i cili nuk ishte i angazhuar përkrah VETËVENDOSJE!’s.
Me të ardhur në Prishtinë për të filluar me studimet, më saktë një muaj pa nisur me studimet, u ftova që të jem pjesë e Sekretariatit të Përgjithshëm, e të angazhohem në Sekretariatin e Financave në nivel qendror. Një gjë e tillë më kishte lumturuar tej mase sepse isha i vetëdijshëm se krahas studimeve, do të vazhdoja me Shkollën e VETËVENDOSJE!’s, e cila veçse më kishte mishëruar aq fort me idenë e revoltës ndaj padrejtësisë dhe më kishte brumosur me idealet e social-demokracisë.
Sikur edhe më herët, duke ndjekur frymën e rrugëtimin konceptual të Lëvizjes sonë, besoja fuqishëm se të marrurit me politikë nënkuptonte pjesëmarrje në një veprimtari e cila zhvillohet përputhshmërisht me disa parime, dhe që për synim ka ndërtimin e një realiteti të ri, ku jetësohen të drejtat që na mohoheshin gjersa na takonin si shtet, komb e shoqëri. Për këtë, kisha mësuar se është e beshme vetëm përmes organizimit kolektiv, dhe për rrjedhojë, organizata përherë është mbi të gjithë ne e më e rëndësishme sesa secili prej nesh. E, çdo shtrembërim i kësaj, thuhej që do të shënonte fillin e devijimit konceptual të Lëvizjes, që më pas nënkuptonte braktisjen e interesave të përgjithshme apo zëvendësimin e tyre me interesa të çfarëdoshme personale të kujtdo.
Sikurse në çdo organizatë që ka për synim demokracinë, Lëvizjen tonë gjithnjë e ka karakterizuar diskutimi dhe debati, që shpesh ka nxjerrë në pah papajtueshmëri e kundërshti mes aktivistëve. Kjo është konsideruar përherë normale, e sidomos pasi që në Lëvizje ishin rreshtuar njerëz me pikëpamje të ndryshme ideologjike, e deri tek ata pa kurrfarë ideologjie. Rrjedhimisht, përkundër mospajtimeve, e edhe kritikave që mund të kishim ndaj njëri-tjetrit, mësuam se nuk duhet t’i personalizojmë problemet. Mësuam po ashtu se nuk është kurrfarë mëkati që të mos pajtohesh edhe me njerëzit që simbolizonin përfaqësimin më të lartë të Lëvizjes, pavarësisht emrit a mbiemrit të tyre.
Lëvizja po rritej secilën herë, njerëz të ri po vinin, e kocepti i saj veçse po përmbushej më shumë e po zgjerohej më tej. Për këtë thonim që ishim meritor secili prej nesh, por bashkë e askush në veçanti. “Bashkë është e mundshme”, ishte slogani me të cilin kishim garuar në zgjedhjet e para që morëm pjesë, të vitit 2010, kurse fjala “bashkë” ishte fjala më e përmendur në VETËVENDOSJE!. Të qenurit bashkë na jepte shpresë, duke qenë bashkë bëheshim më të ditur dhe bashkarisht ishim më të guximshëm.
Në tetorin e vitit 2016, në Lëvizje u shfaq një problem mes dy njerëzve që secili nga ne i konsideronim si njerëzit më të afërt me njëri-tjetrin, z. Albin Kurti dhe z. Dardan Molliqaj, i cili rezultoi pas një diskutimi mbi organizatën dhe rrjedhën e saj. Me gjithë rritjen e anëtarësisë që ishte më shumë se dyfishim i saj nga zgjedhjet e brendshme që kishim dhe rritjen për të cilën fliste puna jonë në terren dhe matjet e opinionit publik, gjë që më pas u dëshmua në zgjedhjet nacionale të qershorit të vitit të kaluar, z. Kurti në takim me z. Molliqaj kishte shprehur pakënaqësitë e tij, e krahas tyre kishte drejtuar një varg kritikash edhe personale ndaj këtij të fundit. E, ajo çka mbetet e pakuptueshme dhe e pasqaruar nga z. Kurti në këtë mes, është shkuarja aq larg me gjuhën e tij ndaj bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë, deri aty ku vihen në dyshim qëllimet dhe motivet e z. Molliqaj.
Fillimisht, për përplasjet mes tyre dinin shumë pak njerëz. Por, duket se persona tendenciozë dhe me interesa të caktuara, sikur e kishin pritur qëmoti një problem të këtillë. Pas shumë pak kohe, ato çfarë ishin folur në takim filluan të përfliteshin edhe në nivele më të ulëta të organizatës. Më pas, për to u fillua të shkruhej në mënyrë indirekte në rrjetet sociale. Por, nga gjithë kjo, duhet theksuar se cak i sulmit ishte vetëm njëra palë – ishte z. Molliqaj dhe gjithë ata që konsideroheshin njerëz të afërt me të.
Personalisht, gjatë gjithë kësaj kohe sa ka zgjatur ky problem, ndonëse kam qenë në dijeni që nga fillimi për ekzistencën e tij, kam heshtur dhe kur jam pyetur mnë lidhje me të, jashtë Lëvizjes e kam mohuar me idenë se shumë shpejt do të sajohet dhe gjërat do ecin si përherë. Kurse, brenda organizatës kam sugjeruar që ky problem të zgjidhet aty ku ka nisur. Për më tepër, familja ime për këtë problem është njoftuar kur ka dalë në media. Pra pasi u plasua “mesazhi i Aidës” dhe “komunikimi në Kryesi”, dalja në publik e të cilave mendoj që ka qenë e orkestruar me idenë që të degradohet personaliteti i znj. Aida Dërguti. Në rrjete sociale, siç dihet, nuk jam shprehur asnjëherë të vetme më parë në lidhje me këtë problem.
Kjo më është dukur zgjidhja më e mirë dhe më e shëndetshme për organizatën, por pavarësisht këtij qëndrimi që e kam mbajtur, vetëm për faktin që kam qenë i angazhuar në Sekretariatin e Përgjithshëm, qysh nga fillimi emri im është lakuar si njëri nga “njerëzit e Molliqajt”, dhe në rrethe të ndryshme as unë nuk jam kursyer nga epitetet “opurtunist”, “liberal”, “servil”, “tradhëtar”, “mikroborgjez” e çkamos tjetër. Ky pretendim i atyre që thirreshin si “mbrojtësit e Albinit”, kam vërejtur që është manifestuar edhe në sjelljen e këtij të fundit, e cila sidomos gjatë zgjedhjeve nacionale, e veçanërisht atyre lokale, për mua ka qenë e çuditshme dhe aspak korrekte.
Ka disa raste kur z. Kurti, ndonëse isha pjesë e Sekretariat për Media dhe Komunikim, kishte vendosur që për çështje të ndryshme të më shpërfillte mua dhe komunikimin ta mbante vetëm me persona të caktuar të zyrës sonë, të cilët zaten ia kishin dhënë betimin: t’kam hero, m’ke ushtar! Për këtë më vjen shumë keq sepse z. Kurti nuk e ka diskutuar asnjëherë të vetme këtë problem me mua, ndonëse shumë aktivistëve ua kishte hapur temën e problemit të brendshëm, duke i ftuar për diskutim edhe në apartamentin e tij. Z. Kurti nuk e ka ditur asnjëherë se cili ishte opinioni im karshi këtij problemi dhe është shumë e gjasshme që ai për një vit të jetë bombarduar me gënjeshtra të llojllojta, të cilat fare lehtë do t’i mënjanonte sikur të ishte pak më i kujdesshëm.
Ndihem tejet i zhgënjyer që përgjatë një viti ka pasur fushatë linçuese ndaj individëve të caktuar, kurse në asnjë moment nuk ka pasur përpjekje që kjo fushatë të ndalet. Kjo përpjekje mungoi edhe kur kjo fushatë u intensifikua, veçanërisht pasi që në publik doli “komunikimi në Viber” i deputetëve, ku mijëra aktivistë iu vërsulen me komente fyese, linçuese e kërcënuese znj. Aida Dërguti, e cila ka qenë një nga aktivistet më të dashura për secilin nga ne. Për mua mbetet ndër gratë më të respejtuara që njoh. E njëjta gjë ndodhi edhe pas emisioneve, ku morën pjesë z. Visar Ymeri e z. Dardan Molliqaj, sikurse edhe pas dorëheqjes së z. Ymeri dhe deputetëve e anëtarëve të ndryshëm të Kryesisë. Mbretëronte një anarki patriaotike, dhe brenda nate shpalleshin të shitur tre nga aktivistët më të shquar e më të hershëm të Lëvizjes. I quajtën tradhtarë, njerëz të ShIK’ut, BIA’s e UDB’së, e me akuza që di të prodhojë vetëm një imagjinatë e stërkequr.
Gjatë gjithë kësaj kohe, kryetari në ardhje i Lëvizjes, z. Kurti, shkroi një letër nga burgu, e më pas një status në Facebook, dhe në asnjërin rast nuk gjeti fjalë për ta dënuar gjuhën linçuese e as për t’kërkuar që ajo të ndalet. Madje, kur kjo i ishte kërkuar gjatë mbledhjes së Kryesisë, ai kishte thënë aty se si Facebook qenka rrjet social i pakontrollueshëm, duke folur se sa i komplikuar që është e duke përmendur operacionet që mundëson ai, duke lënë pa tekst deputeten znj. Fatmire Mulhaxha – Kollçaku dhe Kryesuesin e Këshillit, z. Hydajet Hyesenin – Kaloshin. E, në gjithë këtë mes, do të ishte vërtet fatkeqësi nëse fjala e z. Kurti nuk do të peshonte aq sa për t’iu bindur aktivistët që ta ndalin këtë lloj gjuhe, kur dihet se shumica e tyre e madje nxitësit kryesor të kësaj gjuhe janë aktivistë që sot vërtiten përreth tij.
Por, z. Kurti, zgjodhi që përmes këtyre letrave publike, edhe asaj nga burgu e edhe tjetrës në liri, të bëjë linçime të reja, duke pretenduar sa paska ekzistuar një grup që paskan punuar kundër tij dhe që i qenkan gëzuar arrestimit të tij, kurse disa të tjerë, sikurse znj. Dërguti qenkan veç të mashtruar. Sjellja e tij në publik karshi këtij problemi e dominuar nga heshtja të cilën e thyejnë vetëm dy letrat e tij, për mendimin tim me përmbajtje problematike, edhe për naivin më të madh është e kuptueshme se nuk ka për qëllim zgjidhje të problemit.
Unë jam i sigurt se një lutje e zotit Kurti për aktivistët do të mjaftonte për t’i dhënë fund “masakrës virtuale” që bënte “ushtria virtuale e tij” në Facebook. Por, në vend të kësaj, z. Kurti vendosi të jepte deklarata si ajo “Më shani mua, por mos ma shani Shqipërinë”, të stilit të Leonora Jakupit, kur këndonte “Mos ma prek ti shka Drenicën”.
Nuk e di a me vetëdije apo pa vetëdije, por gjithë kësaj kohe z. Kurti ia bëri “Amin” gjithë atyre që vlerat e Lëvizjes i kthyen kokëposhtë, atë e vendosen mbi organizatën, ndërsa gjithësecilin që nuk pajtohej me këto e shpallën tradhtar, gjë që ishte nismë për të kërkuar më tej eliminimin politik të kritikëve. Heshtja e Kurtit ishte dritë jeshile për gjithë ata që demokracinë që po përpiqeshim ta ndërtonim brenda Lëvizjes sonë, kërkonin ta zëvendësonin me liderin e pakontestueshëm. E historia tregon se lloji i tillë i liderit si rezultat jep zakonisht sundimin autoritar, të cilit ia kemi parë pasojat në shumë vende komuniste. Apo, një lider i fuqishëm e mbi partinë mund të prodhojë diçka që po ashtu kemi parë në vendin tonë: një mendësi feudale që e gjejmë tek “ramushizmi” ose mendësi pejgamberiste që e hasim tek “rugovizmi”. Por, asesi, ideja e kultit të liderit nuk çon në arritjen e qëllimeve, realizimin e të cilave synonim, dhe kjo është e sigurt.
Për një vit janë thënë shumë akuza nga njerëzit e afërt të z. Kurti, shumica prej tyre kontradiktore me njëra tjetrën e të pakuptimta. Thonin që Albin Kurti është njeriu më i fuqishëm në Kosovë, e të quanin “servil” nëse s’je pajtuar me të. Të quanin “të privilegjuar” për faktin që merr një pagë në Lëvizje nëse ke kritikuar Kurtin, ndonëse shumica e atyre që marrin pagë në Lëvizje, madje edhe më të mëdha, ishin rreshtuar krah tij. Të quanin “opurtunist”, ndonëse pohonin se e tashmja dhe e ardhmja lidhet me emrin e Albin Kurtit. Thonin që z. Visar Ymeri nuk i përfaqëson dhe më pas i kërkonin të mos dorëhiqej. Pas dorëheqjeve talleshin me qëllim që të minimizojnë vlerën e tyre, ndërkohë që thonin se dorëheqjet janë të orkestruara dhe me to po synohet të dëmtohet Lëvizja VETËVENDOSJE!.
Të gjitha këto, nëse i thonë njerëz si znj. Fitore Pacolli apo z. Xhelal Sveçla do të ishin shqetësuese, por jo edhe të çuditshme. Por, kur i thotë z. Kurti, sado që në mënyrë më të sofistikuar, duke ia njohur thellësinë e mendimit dhe intelektin e jashtëzakonshëm, zor ta besosh se ai beson në to. E pse i thotë, mbetet të kuptohet.
Në letrën nga burgu, të gjithë lexuam disa rreshta kur z. Kurti flet për “të privilegjuar” të organizatës. Duke qenë shumë i përgjithshëm në këtë akuzë të tij, unë nuk di saktësisht kujt i është drejtuar. Por, nëse ai e ka pasur fjalën për ne brenda Sekretariatit të Përgjithshëm, të cilët kemi marrë pagë për angazhimin e punën tonë, z. Kurti e di që ne nuk jemi vetë-emëruar në këto pozicione e as nuk na është kërkuar ndonjëherë të heqim dorë nga to. Unë nga 5 vite sa jam pjesë e SP’së, 2 prej tyre janë të kohës kur z. Kurti ishte kryetar, pra dy vitet e para, dhe në asnjë moment z. Kurti nuk ka pasur pakënaqësi me punën dhe angazhimin tim. Për më tepër, nuk mund të konsiderohet kurrfarë privilegji ku gjatë shumicës së ditëve kemi punuar më shumë se 8 orë në ditë, veçanërisht ata që kanë qenë të angazhuar në Sekretariatin e Mediave. Personalisht, ka ngjarë që gjatë fushatave zgjedhore deri në 16 orë të ia kushtojë Lëvizjes.
Unë jam angazhuar në SP në shtatror të vitit 2012 në Sekretariatin e Financave, punë që e kam kryer deri në shtator të vitit 2016, që më pas të angazhohem në Sekretariatin për Media Komunikim deri me sot. Një kohë të gjatë paga ime ka qenë 250 euro në muaj, e më pas 390. Këto kanë qenë të hyrat e vetme për mua gjatë këtyre 5 viteve, me të cilat jam ushqyer, jam veshur e mbathur, kam paguar qiranë dhe kam paguar për shkollimin tim. Në të njëjtën kohë, z. Kurti ka pasur pagë mujore fillimisht 750 euro, e më pas 1200. Pra, trefish më të madhe se unë. E kohëve të fundit, shpifjet kanë shkuar aq larg saqë për mua është thënë që kam pagë mujore 1000 euro. Tragjikomike, gjithsesi.
Nëse matemi edhe sa i përket pasurisë personale dhe familjare me z. Kurti, pasuria e këtij të fundit është dukshëm më e madhe se e imja. Përderisa në llogarinë bankare të gruas së z. Kurti gjejmë 85.000 euro kursime, personalisht e as familjarët e mi nuk kanë asnjë cent të kursyer në bankat brenda e as jashtë vendit. Dhe, këtu, të mos keqkuptohem sepse nuk më pengon aspak fakti pse zonja Augestad Knudsen ka para të kursyera dhe s’kam asnjë dyshim për to, porse po e përmend vetëm për shkak se z. Kurti duket se nuk e njeh mjaftueshëm statusin ekonomiko-social të aktivistëve teksa nxiton për të folur për “mikroborgjezi” e për t’iu vënë epitete të paqëndrueshme aktivistëve, ndonëse shumë nga ne që jemi etiketuar, jemi më të varfër si ai. Si dhe, me paranojën e tij se aktivistët një ditë mund ta “braktisin klasën”, sikur në vazhdimësi tingëllon si fetishizues i varfërisë, dhe kjo më pengon.
Të tilla gjëra që nuk qëndrojnë ka plot në dy letrat e tij publike së fundi, dhe do të zgjatej shumë po të diskutonim për to. Por, shpresoj, ndonjëherë tjetër do të flasim për to më hollësisht.
Sot, më mërzit shumë fakti që të gjitha këto po i ndodhin Lëvizjes në kohën kur ajo dali ta marrë mbështetjen më të madhe popullore dhe kur u pa si i vetmi formacion politik që ka kapacitetin të mundësojë ndryshimin e që nuk e do pushtetin për hir të vetes. Ndaj përulem para secilit votues, nga mbi 200 mijë, duke i falënderuar për mbështetjen që na e dhanë, e duke iu shprehur keqardhjen për zhgënjimin që mund ta kenë përjetuar nga kjo çfarë ka ndodhur këto kohë. Iu shpreh falënderime gjithë atyre që në forma të ndryshme ndihmuan Lëvizjen dhe aktivitetin e saj, e në veçanti mërgatën, e cila nuk ndaloi për asnjë moment kontributin për vendin nga i cili mërguan për një jetë më të mirë.
Këtu, falënderimin dhe keqardhjen më të thellë e shpreh për familjet Balaj e Xheladini, bijtë e të cilave ranë për idealet e Lëvizjes, për shtetin e Kosovës e kombin shqiptar. Në veçanti, thellësisht shpreh falënderim për familjen Dehari, që Lëvizjes i dhanë dy aktivistë shembullorë, Arbënorin dhe mikun tim të zemrës, Astritin. Më vjen keq kur ndërmend se asnjëri nga këta dëshmorë nuk do të donin ta shihnin Lëvizjen në gjendjen që është sot. Gjendja ka qenë aq e rëndë saqë padrejtësisht e me poshterësi është përdorur edhe emri i Astritit, për të qëruar hesape, gjë që më ka lënduar tej mase.
Lëvizja siç është bërë sot qartazi nuk është Lëvizja në të cilën jam anëtarësuar. Lëvizja sot nuk është Lëvizja që garanton mbërritjen e qëllimeve të përbashkëta që kishim. Gjithçka po degradon me shpejtësi drite, saqë fatkeqësinë e sheh veç nëse shikon paraqitjet mediale të kohëve të fundit: në emisione caktohen njerëz duke pasur për kriter lojalitetin, e jo aftësitë dhe kapacitetin për të dalë me paraqitje sa më dinjitoze. E dhimbshme. Tmerruese.
Me aq sa kam parë tash e një vit, pakënaqësinë me këtë gjendje që mbretëron në organizatë i kanë shprehur njerëz të cilët i kam vlerësuar si progresivë. Më vjen keq që pakënaqësitë e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër, madje si kundërpërgjigje kanë marrë sharje dhe shpifje të orkestruara. Mbase një ditë do të merren parasysh vërejtjet e tyre dhe do të gjendet çelësi i këtij problemi, por jam shumë i zhgënjyer e i thyer për të besuar ende në këtë.
Ka kohë që e kam bindur veten se nuk kam vend aty ku zënë vend e ulen këmbëkryq servilët, naivët dhe dogmatikët. Ndaj, me këtë letër japë dorëheqjen time nga Zyra për Media dhe Komunikim në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, e po ashtu këtu i japë fund edhe angazhimit tim në këtë organizatë politike.
E di që pas kësaj dorëheqje me presin shumë sharje, fyerje e linçime, por mbetem thellë i bindur se e ardhmja do t’i japë të drejtë veprimit tim sot. Sot, është momenti më i vështirë e më i rëndë në jetën time, ndaj asnjë sharje e akuzë nuk e rëndon më shumë gjendjen time emocionale. Sidoqoftë, mbetem krenar për 8 vitet e angazhimit tim në Lëvizje që rrumbullakësojnë 1/3 e jetës sime, e që përherë do t’i kujtojë si vite të jashtëzakonshme të jetës sime.
Fare në fund, falënderoj gjithë bashkaktivistët që e kishin të përnëmendtë angazhimin politik. Po ashtu, falënderoj edhe gjithë gazetarët për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm përgjatë këtyre 16 muajve sa kam qenë pjesë e Sekretariatit për Media dhe Komunikim.