Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi solli edhe një herë në vëmendje vizitën e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati në Athinë, të cilën e kritikoi sërish me nota të ashpra.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PDIU-së, Idrizi tha se vizita e Bushatit nuk përmbushi tri parime kyçe. Ai u shpreh se diplomacia publike, vendosja e axhendës dhe reciprociteti nuk u zbatuan nga diplomacia shqiptare.
“Fakti që ministri i Jashtëm përmendi çështjen çame si një çështje të drejtash të munguara dhe jo thjesht si çështje pronësore është një hap përpara, por zhgënjimi im vjen për moszbatimin e tri parimeve kyçe, diplomacisë publike, vendosjes së axhendës së përbashkët dhe reciprocitetit”, – tha Idrizi.
Sipas tij, ministri i Jashtëm duhet ta kishte përmendur çështjen çame edhe në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun grek.
“Çështja çame duhet të përmendet vazhdimisht për të mos u trajtuar më si tabu në publik dhe thyerja e këtyre tabuve bëhet përmes asaj që unë e quaj diplomaci publike”, u shpreh ndër të tjera Idrizi. /tesheshi.com/