Një burrë afrikano-amerikan 44-vjeçar i dënuar për vrasjen e një të reje në vitin 2001 u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës në një burg të Karolinës së Jugut të premten. Ky është ekzekutimi i parë i një të dënuari me vdekje këtë vit në Shtetet e Bashkuara.
Marion Bowman u dënua me vdekje në vitin 2002 për vrasjen e ish-partneres së tij Candy Martin. Viktima është qëlluar dhe trupi i saj është vendosur në bagazhin e makinës së tij, të cilës më pas i është vënë flaka.
Bowman kishte pranuar se i shiste drogë vajzës 21-vjeçare, por mohoi çdo përfshirje në vrasjen e saj. “Më vjen vërtet keq për Candy dhe familjen e saj, por nuk e vrava”, tha ai në një mesazh të postuar në internet nga avokati i tij. “Nuk dua të më ekzekutojnë apo të burgosin përjetë për një vrasje që nuk e kam kryer”, ka pohuar ai.
Në vitin 2024, 25 të dënuar me vdekje u ekzekutuan në SHBA, tre me azot dhe pjesa tjetër me injeksion vdekjeprurës. Katër ekzekutime të tjera janë planifikuar në dy javët e ardhshme: dy në Teksas, një në Alabama dhe një në Florida.
Dënimi me vdekje është hequr në 23 nga 50 shtetet amerikane. Tre shtete (Kalifornia, Oregon dhe Pensilvania) po zbatojnë moratoriume për ekzekutimet, pas vendimeve të guvernatorëve të tyre. Tre të tjerë (Arizona, Ohio dhe Tenesi) që kishin pezulluar ekzekutimet kohët e fundit njoftuan se do t’i rifillonin ato.
Presidenti Donald Trump është një mbështetës i dënimit me vdekje. Që në ditën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, ai deklaroi se do të ndiqte me forcë dënimin me vdekje për “përdhunuesit dhe vrasësit”. /tesheshi.com/