Gjek Çelaj, ish zv.shei i policisë në Shkodër kur ndodhën ngjarjet e 2 Prillit 1991 i ka dërguar një letër të hapur Presidentit të Republikës Bujar Nishani ku i shpreh kundërshtimet pë dekorimet e kreut të shtetit për disa persona në Shkodër. Çelaj u dënua nga gjykata në atë kohë për shërdorim detyre dhe vrasje indirekte, por ai e ka cilësuar veten të pafajshëm dhe procesin :të montuar politikisht. Çelaj ka fituar statusin e azilantit politik në Kanada prej disa vitesh që kur doli nga burgu në vitin 1997.
Letra e plotë
Zoti Nishani!
Do të dëshiroja t’ju drejtohesha si president i gjithë shtetasve të RSH-së, pra, edhe i imi, mirëpo, fatkeqësisht, sjelljet dhe veprimet tuaja tash tre vjet që ju kanë vënë në atë detyrë të lartë shtetërore nuk ma lejojnë një gjë të tillë. Objekt i kësaj letre të hapur janë vetëm mendimet dhe veprimet tuaja të shprehura në datën 2 prill 2015, me rastin e dekorimeve të disa individëve në 24 vjetorin e ngjarjes së 2 prillit 1991.
Ato që më bënë përshtypje nuk janë dekorimet në vetvete, si derivate të dekorimeve të ish-presidentit komunist Ramiz Alia, por tërësia e të pavërtetave, trillimeve dhe mashtrimeve që përmbante ceremonia përkatëse në përgjithësi dhe fjala juaj në veçanti.
Ato që lexova në faqen zyrtare te Presidencës së Shqipërisë më lanë pa gojë. Jo sepse ishin të reja dhe të padëgjuara. Kam 24 vjet që i dëgjoj pa pushim nga gojët e lumpenit ordiner dhe politik shqiptar por, të shqiptuara nga kryetari aktual i shtetit, më çuditën pa masë. Kam besuar se kjo periudhë gati një çerek shekulli ka qenë e mjaftueshme, edhe për individë si ju, që të nxjerrin mësimet e duhura historike dhe etike por, mjerisht, qenkam gabuar.
Është e vërtetë se në shumicën dërmuese të vendeve të kësaj bote kryetarët e shteteve nuk janë individët më të ditur të kombit, por është po kaq e vërtetë se një president i mençur e rrethon veten me këshilltarë që përfaqësojnë kapacitete intelektuale dhe që pranohen gjerësisht për integritetin e lartë moral. Edhe sikur të tillë njerëz të përbënin stafin tuaj këshillues dhe jo Lalë Krosët e shekullit të 21-të, është e sigurt se ata nuk do të mund të dinin gjithçka rreth ngjarjes së 2 prillit 1991, por do të mund të dinin gjithçka është e njohur deri tani rreth saj.
Po të rrethoheshit, pra, nga këta njerëz, nuk do t’ia lejonit vetes që edhe tani të vazhdoni ta konsideroni ngjarjen e 2 prillit si “luftë kundër diktaturës komuniste”. Nuk do ta lejonte këtë as historia, as logjika dhe as morali. Për ata që zotërojnë sadopak tri disiplinat e lartpërmendura, edhe pa pasur këshilltarë, do të kishte qenë e qartë se “lufta” kundër diktaturës komuniste kishte përfunduar në 12 dhjetor 1990 dhe nga ajo ditë kishte nisur lufta për pushtet midis palëve politike. Dhe, në 31 mars 1991 duhej të ndalej përkohësisht edhe lufta për pushtet pasi kishte folur populli ose “sovrani”, siç ju pëlqen ta quani. Nuk do kishit bërë gabim po të ishit konsultuar me nismëtarët e Lëvizjes së Dhjetorit të cilët kanë pohuar: “Ajo që mendohej si një epope e përgjakur për ndryshime ka zgjatur katër ditë dhe është kurorëzuar pa asnjë viktimë” (Preç Zogaj).
Në kuadër të këtyre keqinterpretimeve dhe mashtrimeve historike ju guxoni të pohoni ato gjëra që deri tani nuk ka guxuar t’i pohojë asnjë individ, që ndonëse i mungojnë skrupujt moralë, druhet se njerëzit e pikasin si të tillë. Për të ndryshuar të vërtetën e ngjarjes së 2 prillit, karakterin, qëllimin dhe moralin e saj, për ta paraqitur ashtu si e paraqisni ju si “një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e zhvillimit demokratik të Shqipërisë”, ju arrini të pohoni se “sistemi gjakatar (dhe, më lejoni t’ju vë në dukje, qysh këtu, se fjalimi juaj është i mbushur gjithandej me fjalën “gjak”) në grahmat e tij të fundit kishte arritur të manipulonte zgjedhjet parlamentare…”.
A thua vërtetë i besoni këto që keni thënë? Si mund të konsiderohen “të manipuluara” ato zgjedhje parlamentare që gjithë vëzhguesit perëndimor i konsideruan “të lira dhe të drejta” dhe vetë opozita e kohës i pranoi? Madje, kryetari i vëzhguesve të Anglisë arriti deri aty sa të pohonte se “Do të isha i lumtur sikur zgjedhjet të zhvilloheshin kaq të lira edhe në vendin tim” (kush dëshiron le të shoh arkivin e RTSH). Njëri prej figurave qendrore të Lëvizjes së Dhjetorit, Shenasi Rama, ka pohuar: “E para dhe e vetmja herë kur u votua në mënyrë me të vërtetë demokratike ka qenë në zgjedhjet e 31 marsit 1991” (“Java”, shkurt 2013).
Zotëri President, mendoj dhe besoj se edhe kryetarët e shteteve kanë nevojë për mend dhe moral prandaj nuk do të ishte keq ta konsideronit thënien e Mahatma Gandhit se “Morali është baza e të gjitha gjërave dhe e vërteta është thelbi i gjithë moralit”. Në fjalën tuaj në ceremoninë e dekorimit ju morët përsipër të konkludonit për ngjarjen e 2 prillit 1991 gjëra që nuk kanë mundur t’i formulojnë gjykatat shqiptare të të tri shkallëve dhe as grupet hetimore. Ju guxuat që të përcaktoni autorët e vrasjeve të ndodhura atë ditë, megjithëse kjo nuk është provuar ende deri më sot. Në çështjet e të vërtetave rreth ngjarjeve historike nuk çon peshë fakti se sa i mirë apo i keq ishte një individ apo regjim, por sa të vërteta janë ato që iu atribuohen atyre. Vrasjet e ndodhura në 2 prill janë provuar se kanë qenë vepër e autoriteteve shtetërore të kohës, aq sa është provuar se vrasjet e 21 janarit 2011 kanë qenë kryer me çadra-pistoletë dhe thika me helm nga vetë demonstruesit.
Në konkluzionet tuaja ju shkuat edhe më tutje. Ju dekoruat disa individë si organizatorë të protestës duke hedhur poshtë konkluzionet e gjykatave shqiptare të të tri shkallëve që pohuan se protesta ishte spontane dhe, veç kësaj, duke përgënjeshtruar edhe partinë tuaj e cila ka mohuar gjithnjë se ka pasur gisht në organizimin e demonstratës dhe e ka quajtur atë thjeshtë “një zemërim popullor”. Njëri prej të dekoruarve si organizator, z. Harris Murana pati deklaruar: “Nuk besoj se ndodhesha në shesh për të përmbysur pushtetin popullor… Isha shumë i ri…thjesht ndieja mungesën e atyre që i perceptoja si “të bukurat” që i shihja vjedhurazi në kanalet e huaja…” (“Albdreams” – 2 prill 2014).
Një ngjarje kaq “e rëndësishme historike” nuk mund të organizohej nga fëmijët, siç ishte z. Murana në atë kohë. Nëse vërtetë dëshiron të falënderosh dhe dekorosh organizatorët e saj filloje me Sali Berishën dhe shumë eksponentë, të gjallë e të vdekur, të partisë tënde në Shkodër dhe mos harro t’i dërgosh ndonjë dekoratë edhe ndonjë të huaji që tani bën jetën e pensionistit dhe që, në atë kohë, hidhte gurin e fshihte dorën.
Nuk mund të shfaqet respekti ndaj popullit duke i bërë qejfin me rrena. Në këtë mënyrë populli poshtërohet dhe nuk ndriçohet. Gënjeshtra është një sport që e luan shumëkush sot, madje disa janë bërë edhe profesionistë, por kryetarit të shtetit nuk i ka hije ky lloj sporti. Gjithkush është i lirë të jetë antikomunist, antimonarkist, antirepublikan etj., por askujt s’i lejohet të jetë kundër të vërtetës dhe të drejtës, aq më pak kjo i lejohet kryetarit të shtetit. Breshëritë e pandërprera, për një çerek shekulli, kundër të shkuarës nuk kanë mundur dhe nuk mund të zbardhin fytyrat e politikanëve antikomunistë të nxira me veprat e tyre antipopullore, antikombëtare dhe antidemokratike. E shkuara duhet të na shërbejë si mësim për të sotmen dhe të ardhmen por këto mësime nuk mund të na i japin lektorë që s’kanë lënë gjë pa bërë përgjatë 25 vjetëve për hir të pushtetit dhe të përfitimeve personale, klanore dhe partiake. Lajkat që iu bëhen ngjarjeve dhe individëve në kurriz të historisë dhe të së vërtetës nuk mund të jenë tipare të burrave të shtetit.
Zoti Nishani, ndërsa ju guxoni të konsideroni “të manipuluara” disa zgjedhje parlamentare të deklaruara botërisht si të lira dhe të drejta, po ju kishit ftuar në ceremoni dhe i drejtoheshit si “i nderuar” Sali Berishën i cili u shpall botërisht si dhunues i zgjedhjeve të korrikut 1996 dhe diplomacia amerikane e quante “kreu i trukimit” të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009.
Ju anatemonit individë anonimë si autorë të vrasjeve të 2 prillit 1991, të cilëve nuk iu është provuar kurrë fajësia dhe, nga ana tjetër, e thërrisnit “i nderuar” Sali Berishën, qeverisë së të cilit i është provuar autorësia e vrasjeve të 21 janarit 2011 dhe zhdukja e provave të kësaj fajësie.
Ju lexuat një hartim ku dominonte fjala “gjak” rreth regjimit te para 1990, por ju nuk keni gjetur asnjë të metë apo faj, deri tani, të regjimit të Sali Berishës të viteve 1992-1997, të cilin shtypi anglez e quante “regjim gangsterësh”.
Në fjalën tuaj ju flisnit për “lartësim të vlerave të lirisë dhe demokracisë” por ju kishit ftuar në Presidencë dhe e thërrisnit “i nderuar” Sali Berishën, ideatorin dhe organizatorin e marrjes së pushtetit me dhunë në 14 shtator 1998, akt që u dënua hapur nga SHBA dhe BE, duke e detyruar të lëshojë institucionet e grabitura me armë, tanke dhe bomba.
Përdorimi i standardeve të dyfishta dhe shumëfishta nga ana juaj për vlerësimin e individëve dhe ngjarjeve politike është spektakolar. Ndërsa përmbysja e kritereve morale në vlerësimin e çështjeve historike, nga ju, është i pashembullt.
Të kesh qenë kryetar apo anëtar i një qeverie, të cilës i është provuar fajësia e vrasjes së demonstruesve të pafajshëm dhe, nga ana tjetër, të glorifikosh një ngjarje pa autor si të provuar dhe të anatemosh individë apo qeveri që nuk iu është provuar fajësia, kjo kërkon shumë guxim. Mirëpo, guximin për të qenë i padenjë historia nuk mund ta kalojë për virtyt.
Kundërkomunizmi i vonuar, i panevojshëm dhe i shtirë është i dëmshëm dhe i rrezikshëm sepse është përçarës. Dhe mbjellja e përçarjes dhe urrejtjes nuk mund t’i lejohet një presidenti që Kushtetuta i kërkon të jetë simbol i unitetit kombëtar. E shkuara s’mund të shërbejë si alibi për mendimet, sjelljet paskrupullt politik të së sotmes.
Si ish-drejtues i forcave të rendit në ngjarjen e 2 prillit 1991 më duhet t’ju them se ajo ngjarje nuk ka qenë as luftë kundër diktaturës dhe as për mbrojtjen e idealeve kombëtare, siç jeni shprehur ju. Ajo ngjarje ka qenë politikisht antidemokratike, juridikisht e paligjshme dhe moralisht e dënueshme. Ka qenë antidemokratike sepse kërkonte të realizonte me anën e dhunës dhe kaosit atë që nuk u realizua me zgjedhje të lira. Ka qenë e paligjshme pasi ishte e paautorizuar nga organet përkatëse të ligjit dhe se shumë pjesëtarë të “protestës” kanë përdorur mjetet e dhunës, mjete të forta, lëndë djegëse dhe eksplozive kundër forcave të rendit dhe objekteve shtetërore. Ka qenë e pamoralshme sepse ishte manipulim dhe keqpërdorim i popullit për qëllime politike. Ngjarja e 2 prillit ka qenë pjesë e kaosit politik, shoqëror dhe moral, në vazhdim të dhunës, djegieve dhe shkatërrimeve të filluara në 13 dhjetor 1990, ka qenë aplikim i teorisë së tokës së djegur dhe kuotës zero të shpallur nga eksponentët kryesorë të PD-së, ka qenë pararendësja e marrjes së pushtetit me dhunë të 14 shtatorit 1998. Ajo ka qenë vepër e pjesës më të degjeneruar të elitës komuniste dhe pjesës më erëmbajtëse të të përndjekurve të regjimit komunist. Të gjithë analistët seriozë, në atë kohë dhe deri më sot, kanë arritur të njëjtin përfundim se ngjarja u ideua nga struktura destabilizuese të huaja dhe e zbatua nga individët shqiptarë të etur për të marrë pushtetin me çdo kusht. Populli ka qenë thjeshtë viktimë e këtyre kombinacioneve të errëta dhe të pamoralshme.
Nuk mund të rri pa ju thënë edhe diçka tjetër, në mbyllje. Mosmiratimi dhe dënimi i gabimeve, fajeve dhe krimeve te regjimit të para 1990, ashtu si të çdo regjimi tjetër, është dhe mbetet detyrë intelektuale, morale dhe atdhetare e çdo individi. Por, të gjithë ata sekretarë partie e rinie, anëtarë apo kandidatë të PPSH-së që, tash një çerek shekulli nuk lënë vend dhe as rast pa vajtuar, ankuar dhe mallkuar të kaluarën (e tyre) iu ngjajnë thekshëm disa burrecëve të cilët, pasi ndahen nga gratë me të cilat kanë qenë martuar me lutje e përgjërime dhe kanë bashkëjetuar me përkushtim për to, i përgojojnë aty-këtu, anipse gjithë lagjja e di se gruaja e tyre e dytë është edhe më putanë se e para. Këta lloj burrash, në momentet e para pas ndarjes fitojnë keqardhjen e fisit kurse më pas bëhen gazi i botës dhe shoqëria iu var teneqenë.
Të gjitha sa ju thashë më sipër nuk janë “as për mua, as për ti, po për gjithë Shqipëri”, siç këndonte populli për të përjetësuar burrat që mbronin interesat e tij.
Gjek Celaj
* Latinisht: Injoranca nuk eshte argument
15 Prill 2015