Uashingtoni i ka vënë një peshë të madhe qeverisë së re maqedonase të Zoran Zaev, që të zgjidh përfundimisht çështjen e emrit më Greqinë. Ka qenë Zv.ndihmëssekretari amerikan, Hoyt Yee, i cili pasi i ka dhënë mbështetje të plotë kabinetit të ri të votuar dy ditë më parë, i ka lënë dhe detyrat.
“Presim nga qeveria e re të jetë partnerë i bashkësisë ndërkombëtare, BE-së, SHBA-ve, me qëllim të zbatimit të reformave të nevojshme. Të zgjidh çështjet me fqinjët, përfshirë edhe Greqinë. Qëllimi është të arrihet marrëveshje dhe të zhbllokohet rruga e Maqedonisë drejt integrimit euroatlantik”, tha Yee gjatë një interviste për seksionin e Bosnjës në “Zëri i Amerikës”.
Hoyt Yee konsiderohet tashmë si njeriu i cili arriti të zgjidhë dy kriza delikate në rajon, atë në Maqedoni e Shqipëri. Me përfundimin e tyre, është konfirmuar dhe njëherë roli ende dominant i politikës amerikane në Ballkan. Të dy krizat, kishin pas tyre indikacione të ndikimit rus për të destabilizuar situatën. /tesheshi.com/