Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha të hënën se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një temë tashmë e mbyllur.
“Ajo temë nuk hapet, sepse është përmbyllur me marrëveshjen e vitit 2013, e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, dhe pastaj është marrëveshja e parimeve e vitit 2015”, tha Hoti.
Komentet u bënë në një konferencë për media në Prishtinë, bash në ditën kur duhej të mbahej një raund i ri i dialogut Kosovë-Serbi, në nivel ekspertësh, por që është shtyrë, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët evropianë, situatës së rënduar COVID.
Por ndërkohë që Kosova thotë se nuk dëshiron ta hapë çështjen e Asociacionit, Serbia insiston që të bisedohet për të.
Për këtë, krah i është bërë i dërguari i BE për dialogun, Mirosllav Lakçak, i cili ka thënë se “Asociacioni duhet të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse”. /tesheshi.com/