Homazhe për nder të gazetarit dhe publicistit të njohur Andrea Stefani po zhvillohen këtë të martë në hollin e Televizionit Publik Shqiptar. Ai ndërroi jetë dy ditë më parë nga një sëmundje e rëndë, teksa merrte mjekim në një spital të Romës.
Veç ikjes së tij nga jeta, një pjesë e opinionit u trondit dhe nga fenomeni i gjykimit negativ ndaj tij nga të gjallët në rrjetet sociale; dhe kjo për shkak të qëndrimeve kritike ndaj politikës së Berishës.
Megjithatë, figurat më të larta të opozitës, përfshirë dhe Bashën e Berishën, përcollën mesazhe dëshpëruese për ikjen nga jeta të Stefanit, pavarësisht qëndrimeve të tij publike ndaj tyre.
Ndërkohë, kreu i LSI-së, Ilir Meta ka përcjellë për opinionin një letër kushtuar figurës së Andrea Stefanit, duke e quajtur atë “luftëtar të fjalës së lirë”.
“Secili nga ne i ka një borxh mirënjohjeje Andrea Stefanit! Ikja e tij ka lënë një dhembje të madhe për familjarët e tij, për bashkëshorten Enkelejda dhe dy fëmijët Daniel dhe Stefani dhe një boshllëk të madh për gjithë shqiptarët, të cilët nuk qenë kurrë indiferentë ndaj fjalës së tij, pavarësisht se e donin apo e kundërshtonin atë”, shkruan Meta.
Andrea Stefani ishte një gazetar karriere dhe me një protagonizëm të fuqishëm publik, duke u rreshtuar dhe krah shoqërisë civile. Jeta e tij private përshkohej nga thjeshtësia dhe një sens i theksuar familjar e qytetar. /tesheshi.com/