Nga Hagai El-Ad, Haaretz
Për cilindo që donte të shihte, e vërteta ishte tashmë shumë e qartë që në vitin 1955. “Ata i trajtojnë arabët, ata që janë ende këtu, në një mënyrë të tillë, që në vetvete do të mjaftonte për të mbledhur të gjithë botën kundër Izraelit”, shkroi filozofja e njohur hebreje Hannah Arendt.
Por ishte viti 1955, nuk kishte kaluar as një dekadë nga Holokaustit, katastrofa jonë e madhe, dhe në të njëjtën kohë, kostumi mbrojtës i Sionizmit. Pra, ajo që pa Arendt në Jeruzalem nuk mjaftoi në atë kohë për ta rreshtuar botën kundër Izraelit.
Që nga ajo kohë kanë kaluar gati 70 vjet. Ndërkohë, Izraeli është bërë i ndërvarur si nga regjimi i supremacisë hebreje mbi palestinezët, ashtu edhe nga aftësia e tij për të shfrytëzuar kujtesën e Holokaustit në një mënyrë të tillë, që krimet që kryen kundër tyre të mos e mobilizojnë botën kundër tij.
Në thelb, kryeministri aktual i Izraelit Benjamin Netanyahu nuk po shpik asgjë:as krimet dhe as shfrytëzimin e Holokaustit për të topitur ndërgjegjen e botës. Por është kryeministër prej gati një brezi. Dhe gjatë kësaj periudhe, nën udhëheqjen e tij Izraeli ka hedhur një hap tjetër të madh drejt një të ardhmeje, në të cilën populli palestinez fshihet nga skena e historisë.
E gjitha kjo jo vetëm që u krye gradualisht – një dynym tokë dhe një dhi, pastaj një fermë tjetër e uzurpuar – por në fund u deklarua edhe publikisht, nga Ligji Themelor i vitit 2018 për Izraelin si një shtet-komb i popullit hebre, deri tek politika bazë e qeverisë aktuale, dhe në radhë të parë tek deklarata: “Populli hebre ka një të drejtë ekskluzive dhe të patjetërsueshme për të gjitha pjesët e Tokës së Izraelit”.
Dhe e vërteta është se konsensusi mbi këtë qasje, është shumë më i gjerë dhe më gjithëpërfshirës sesa mbështetja për vetë Netanyahun. Tek e fundit, e kujt në Izrael nuk i pëlqeu lëvizja e shkëlqyer, në prag të sulmeve të 7 tetorit 2023, e normalizimit të raporteve me Arabinë Saudite, për të ngulitur në vetëdijen e palestinezëve faktin se ata janë një komb i mundur? Por palestinezët nuk u zhdukën nga skena. Përgjatë gjithë viteve dhe shtypjes, ndërtimit të vendbanimeve të kolonëve, masakrave në Bregun Perëndimor, dhe “raundeve” të konfliktit në Gaza, shpronësimeve në Jerusalem dhe Negev dhe në Luginën e Jordanit, dhe në fakt kudo ku një palestinez përpiqet të mbajë tokën e tij, pas shumë vitesh krime dhe gjakut të derdhur, truku i ricikluar i ‘hasbarës’ izraelite, ose diplomacisë publike, ka filluar ta humbasë peshën e tij.
Nga ana tjetër, jo të gjithë ata që i shohin palestinezët si qenie njerëzore me të drejtë janë antisemitë. Më pas plasi lufta në Gaza, me shkatërrimin e përmasave biblike që kemi shkaktuar atje, dhe me vdekjen e dhjetëra mijëra palestinezëve. Ka pasur aq shumë gjak të derdhur dhe shkatërrime, sa që në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë ka nisur të diskutohet seriozisht mbi konsumimin e krimit të gjenocidit.
Sipas fjalëve të Arendt, ajo që ne po u bëjmë palestinezëve – atyre që janë ende në Gaza – nuk e ka rreshtuar ende gjithë botën kundër Izraelit. Por bota po e lejon tashmë veten të mendojë për të me zë të lartë. Dhe as ky ndryshim nuk po na nxit ne izraelitëve të ri-mendojmë mënyrën se si “i trajtojmë arabët”. Përkundrazi, po përpiqemi edhe një herë t’i japim një frymë të re qasjes tonë të vjetër.
Nëse në vitin 2019, Netanyahu deklaroi se hetimi nga Gjykata Penale Ndërkombëtare është një “dekret antisemit” (që nuk e ndaloi hetimin), dhe në 2021 tha se ishte një “antisemitizëm i pastër” (as kjo nuk e ndaloi hetimin), një javë më parë ai nisi të ngrinte zërin për një “krim antisemit të urrejtjes”.
Siç bën zakonisht, ai fut disa fjalë të vërteta midis një gënjeshtre dhe tjetrës. Në fjalimin e tij në prag të Ditës së Përkujtimit të Holokaustit në memorialin e Holokaustit Yad Vashem, ishte i vërtetë deklarimi i tij se Gjykata Penale Ndërkombëtare u krijua si një organ “në përgjigje të Holokaustit dhe tmerreve të tjera, për të siguruar që ngjarje të tilla të mos ndodhnin më kurrë”.
Por nëse reflektoni për një moment për krijimin dhe kohën, gjithçka tha Netanyahu rreth saj ishte një gënjeshtër, sidomos kur theksoi se nëse lëshohet një urdhër arresti kundër tij “ky hap do të vendoste një njollë të pashlyeshme, mbi vetë idenë e drejtësisë dhe të së drejtës ndërkombëtare”.
E vërteta është se njolla që po trondit themelet e së drejtës ndërkombëtare, ka të bëjë me faktin se pas vite hetimesh, me aq sa dimë, nuk ka ende një urdhër arresti të lëshuar kundër Netanyahut apo kriminelëve të tjerë izraelitë të luftës.
Dhe kjo përkundër faktit se për dekada me radhë, Izraeli ka kryer, në mes të ditës, krime kundër palestinezëve, krime që janë një politikë qeveritare, krime që miratohen nga Gjykata e Lartë e Drejtësisë, të cilat mbrohen nga opinionet e prokurorëve të përgjithshëm dhe që hidhen poshtë nga avokatët e gjeneralëve dhe ushtarakëve të tjerë.
Edhe pse gjithçka është e njohur, e raportuar dhe e publikuar, askush nuk po arrestohet dhe nxirret para drejtësisë për këto krime, as në Izrael dhe as jashtë saj, të paktën deri më tani.
Ne jemi pranë momentit, që ndoshta ka mbërritur, kur kujtimi i Holokaustit nuk do ta ndalojë botën që ta shohë Izraelin ashtu siç është. Momenti kur krimet historike të kryera kundër popullit tonë, do të pushojnë së shërbyeri si Kupola jonë e Hekurt, duke na mbrojtur nga mosdhënia llogari për krimet që po kryejmë në të tashmen kundër kombit me të cilin ndajmë atdheun historik.
Por edhe nëse ky moment vonon, është koha që ai të mbërrijë sa më parë. Ndoshta do të bënim më mirë të hapim sytë dhe të kemi një qëndrim tjetër ndaj palestinezëve:t’i shohim ata si qenie njerëzore të barabarta me ne. Ky do të ishte me siguri leksioni më i mirë për Holokaustin. Edhe Hanna Arendt do të ishte dakord.