Djaloshi fshatar që u bë shef i Partisë Komuniste çliroi popullin e tij nga 70 vjet gënjeshtra dhe varrosi Bashkimin Sovjetik.
Më 23 dhjetor 1991, Mihail Gorbaçov, lideri i fundit i Bashkimit Sovjetik dhe presidenti i parë i Rusisë, Boris Jelcin u takuan për tetë orë për të diskutuar transferimin e pushtetit. Në fund, ata gëlltitën disa gota me vodka dhe Gorbaçovi, pasi nuk u ndje mirë, u zhduk në pjesën e pasme të zyrës së tij, ndërsa Jelcin bënte ecejakje “sikur po marshonte në sheshin e një parade”. Skena risillet nga Alexander Yakovlev, një aleat i ngushtë i Gorbaçovit që kishte negociuar takimin.
Kur Yakovlev shkoi të shihte shokun e tij të vjetër, e gjeti në divan me lotë që i shkonin çurg. “E kupton, Sash, kështu shkojnë punët”, tha Gorbaçovi, i cili sapo kishte humbur punën e tij si president i Bashkimit Sovjetik dhe së bashku me të, edhe vendin. Yakovlev u përpoq ta ngushëllonte por ai ishte duke u mbytur nga lotët. “Një ndjesi se diçka e padrejtë kishte ndodhur po më merrte frymën. Njeriu që kishte sjellë ndryshim drastik në botë… ishte një viktimë e pashpresë e mizorisë dhe kapriçiove të historisë”.
Bëhej fjalë për një histori për të cilën vetë Gorbaçov kishte lëvizur gurin e parë. Që prej fundit të Bashkimit Sovjetik, pyetja “përse” është endur në mendjet e perëndimit, ato ruse dhe kineze. Përse një burrë në krye të një superfuqie të minonte autoritetin e vet? A është se ai thjesht nuk arriti të kuptojë pasojat e veprimeve të tij, apo ai veproi për shkak të kurajos dhe vizionit që kishte? Si mundet që Gorbaçov, djali fshatar që u shndërrua në shefin e Partisë Komuniste, të bëhej burri i shtetit që çliroi popullin e tij nga 70 vjet gënjeshtra dhe frikës, t’i jepte fund luftës së ftohtë e të varroste Bashkimin Sovjetik? A ishte ai një prodhim i sistemit sovjetik, ashtu si ka pretenduar edhe vetë, apo “gabimi gjenetik” i sistemit, ashtu si e paraqet Andrei Grachev, ndër biografët e parë të tij? Çfarë e bëri Gorbaçovin, Gorbaçov.
Këto pyetje shtron William Taubman, ekspert amerikan i shkencave politike, për të parashtruar përgjigjet e tij në një rrëfim të kuptueshëm dhe mjaft lehtë të lexueshëm për jetën e Gorbaçov. “Gorbaçov është i vështirë për t’u kuptuar”, i tha ish-lideri sovjetik amerikanit, duke folur për veten në vetën e tretë.
Autori aplikon lente toltsojane ndaj historisë së vonë ruse dhe tregon një ndjeshmëri të veçantë në vlerësimet e tij për një jetë që mund të dëshmohet më e pasur sesa politika. Eshtë vijimësi e logjikshme e biografisë që autori ka bërë për Nikita Hrushovin, që fitoi që një çmim Pulicer në vitin 2004.
Përdorimi nga Gorbaçov e një fjalori të ngurtë të propagandës sovjetike e bënte atë të dukej si një aparatçik. Por përtej kësaj dukjeje, kishte një themel instiktesh morale dhe logjike që ndikoi në zgjedhjet e tij shumë më tepër sesa dogma marksiste apo ideologjia sovjetike. Si ndodhi që këto reflekse normale njerëzore të mbijetonin në një vend jo tërësisht normal?
Autorit Taubman i vjen në ndihmë kapitulli i parë i librit për fëmijërinë, djalërinë dhe rininë, titulli i të cilit është marrë nga triologjia gjysmë-biografike e Tolstoit ku gjen disa grimca ndriçuese. Gorbaçov u lind në fshatin Privolnoye, në stepën jugore të Rusisë, në vitin 1931, një ngjarje që mund të konsiderohet një pikë kthese në historinë ruse me pasoja më drastike, në mjaft mënyra, edhe sesa revolucioni i vitit 1917. Stalini kishte konsoliduar pushtetin absolut në duart e tij dhe ndërmorri kolektivizimin brutal dhe uria u mori jetën dy xhaxhallarëve dhe një tezeje të Gorbaçovit ndërkohë që shkatërroi fshatarësinë ruse.
Një nga gjyshërit e tij e refuzoi kolektivizimin, mbajti një ikonë ortodokse në shtëpinë e vet dhe u arrestua në vitin 1934 pasi nuk zbatoi urdhërat për mbjelljet: ai nuk kishte fara. Tjetri ishte komunist që mirëpriti dhe ndihmoi kolektivizimin, vari portretet e Stalinit dhe Leninit në mure dhe megjithatë, u arrestua në vitin 1937— për të plotësuar kuotat e spastrimeve të mëdha të Stalinit. Mrekullisht, të dy gjyshërit e tij mbijetuan. Por brutaliteti i kolektivizimit dhe historia sesi gjyshi komunist u torturua, la një ndjesi të pashuar padrejtësie.
Një tjetër kujtim formues ishte lufta. Gorbaçov ishte dhjetë vjeç kur i ati, një burrë i butë dhe i sjellshëm, shkoi në front dhe fshati i tij u pushtua nga nazistët. Babai i Gorbaçovit, u raportua gabimisht i vrarë, e më pas u kthye në shtëpi në vitin 1945. Ashtu si vë në dukje autori
Taubman, mënyra sesi arritën të shpëtojnë për pak si gjyshërit e tij ashtu edhe i ati nga tragjeditë, destiloi tek djali një ndjesi optimizmi dhe besimi që ndonjëherë shkonte më larg se duhej. Pavarësisht gjithë vështirësive, ai pati një fëmijëri të lumtur.
Gorbaçov ishte i lumtur që mund të punonte me babain në fusha për 20 orë në ditë, mbuluar nga pluhuri dhe karburanti, duke operuar një kombajnë të madhe tek e cila mund të ngjitej nga çdo drejtim – “madje edhe atje ku ishin rrotat dhe prerëset”. Puna e palodhur e Gorbaçovit u shpërblye me Urdhërin e Kuq të Punës, që e ndihmoi atë të futej në universitetin shtetëror të Moskës, ku takoi edhe gruan e tij, Raisa.
Gorbaçov e nisi jetën profesionale me një paketë vlerësh që më pas do të përcaktonin edhe politikat e tij. Ai refuzoi dhunën fizike si mënyrë drejtimi, besonte në dinjitetin dhe punën e palodhur, dhe respektonte jetën private. Ai nuk ishte disident. Në të vërtetë, në disa mënyra, ai ishte një burrë shembullor sovjetik – punonte shumë, me origjinë fshatare, i mungonin instiktet borgjeze, si dëshira për pronë private. Ai besonte dhe ende beson në parimet e larta të socializmit, ashtu si predikohej por që kurrë nuk u praktikua nga regjimi sovjetik. Paradoksi qëndronte në faktin që vetëm një burrë sovjetik që ishte i vendosur të zbatonte ato parime pa u mbështetur tek gënjeshtrat dhe dhuna, mund ta çmontonte regjimin sovjetik.
Përpjekja e parë për t’i dhënë socializmit, fytyrë njerëzore u bë në Çekosllovaki në vitin 1968 nga shoku më i ngushtë i tij nga koha e universitetit, Zdenek Mlynar dhe të tjerë miq. Kjo përpjekje u shtyp nga tanket sovjetike, por nuk ia theu Gorbaçovit idenë e socializmit, por e bëri atë edhe më të vendosur të përpiqej sërish kur ai erdhi në pushtet dy dekada më pas. Shpërbërja e Bashkimin Sovjetik ishte gjëja e fundit që dëshironte Gorbaçov: ai erdhi në pushtet për ta shpëtuar, jo për ta varrosur.
Në mënyrë ironike, ishte pushteti i sekretarit të Përgjithshëm dhe frika e vazhdueshme e aparatçikëve se mund ta fyenin atë, e lejuan Gorbaçovin të kryente atë që ai bëri. Ai nuk e mori pushtetin si një lider partiak armatosur me ndonjë plan të madh strategjik (nuk do të kishte rezistuar shumë në pushtet nëse do të vinte si i tillë). Ai thjesht dëshironte të përmirësonte kushtet e pabesueshme të jetesës së bashkë-atdhetarëve të tij, që kishin më shumë rëndësi për të sesa statusi gjeopolitik i Bashkimit Sovjetik si një superfuqi, gjë që ai e merrte për të mirëqenë. Instiktet e veta i thanë se nëse vendi çlirohej nga kontrolli i tepërt i brendshëm dhe nga konfrontimi i stërgjatur me Perëndimin, do të vihej nën lidershipin e partisë. Politika e tij e jashtme buronte nga kjo bindje. Ishte humanizmi i tij më shumë sesa deklaratat e tij shpesh të mjegullta që e bindën Margaret Thatcher se ai ishte një njeri “me të cilin mund të punoje”.
Libri, është po aq ndriçues si për aftësinë e Gorbaçov për të tejkaluar dogmat ideologjike që kërkonin llogari të prera me Perëndimin, ashtu edhe për mënyrën sesi liderët perëndimorë kishin ose jo vullnet për ta besuar atë. Kjo u bë e dukshme gjatë presidencës së Xhorxh Bush të vjetrit, kur disa nga këshilltarët e tij, të cilët e etiketonin veten “realistë” argumentuan se reformat e Gorbaçov e bënin atë potencialisht më të rrezikshëm sesa pararendësit e tij. Ai ishte, sipas këshillarit të Bushit për Sigurinë, Brent Scowcroft, “duke u përpjekur të na zbusë me mirësinë e tij”.
Madje, edhe kur Gorbaçov pranoi rënien e murit të Berlinit, ribashkimit të Gjermanisë dhe më pas anëtarësimin e saj në NATO, Bush do të luante me këto “dobësi”, dhe nuk ndjeu detyrimin për ta ndihmuar Rusinë financiarisht apo ta mbështeste atë politikisht. “Në djall le të shkojë! Ne fituam, ata jo. Nuk mund t’i lejojmë sovjetikët të nxjerrin fitore nga dara e humbjes”, i tha ai kancelarit gjerman, Helmut Kohl. Ky triumfalizëm ishte i pavend dhe më pas do të sillte pasoja për Amerikën.
Taubman argumenton se atyre që ishin në pushtet në perëndim, u mungonte vizioni dhe vullneti për të hartuar një plan të tipit Marshall për Bashkimin Sovjetik të Gorbaçovit dhe më pas për Rusinë e Jelcinit. Ata që e kishin këtë vullnet nuk ishin më në pushtet. Në vitin 1991, Theçër apelonte Bushin: “Na duhet të ndihmojmë Mihailin…Vetëm pak vjet më parë, Ron, unë do të kisha dhënë botën për të pasur atë që po ndodh atje tani”. Nëse Perëndimi nuk do të vijë në ndihmë të Gorbaçovit, argumentonte ajo, “historia nuk do të na e falë”.
Jeta e Gorbaçov – pothuajse unike mes liderëve sovjetikë – nuk përfundoi me mbarimin e detyrës dhe as biografia e autorit Taubman. Në mënyrë të pakuptueshme për politikanët modernë rusë, Gorbaçov doli nga presidenca pothuajse duarbosh: ai do të fitonte para duke reklamuar picat Hut dhe çantat Louis Vuitton. Por, humbja e tij më e madhe do të ishte ajo e gruas dhe ndihmëses së tij, Raisa që ndërroi jetë nga leuçemia në vitin 1999. Në ditët e fundit së bashku, me një maskë sterile në fytyrë, ai e mbante atë në krahët e tij gjigandë prej kombajneri, duke kujtuar jetën e tyre së bashku. Pensionimi dinjitoz i Gorbaçov – shumë më tepër sesa politikat e tij – ndihmon të shpjegojë edhe çfarë e bëri Gorbaçovin, Gorbaçov: një njeri i mirë nga Bashkimi Sovjetik.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/