Dokumentet e jashtëzakonshme, por të paverifikuara të publikuara për lidhjet e Donald Trump me Moskën e nisën jetën e tyre si një pjesë e kërkimit opozitar, që është bërë pjesë e politikës amerikane po aq sa edhe balonat me ngjyra të fushatave.
Ekziston një industri e vogël e kërkimit dhe firmave investigative në Uashington, me stafe tipike të përziera ish-gazetarësh dhe zyrtarësh të sigurisë, në kërkim të gjetjes së informacioneve për politikanët që këta të fundit do të kishin shumë dëshirë të qëndronin të fshehura. Firmat shpesh nuk e dinë se për kë punojnë ekzaktësisht; kërkesa vjen nga ndonjë firmë ligjore që vepron në emër të ndonjë klienti nga ndonjë parti.
Në këtë rast, kërkesa për kërkim opozitar për Donald Trump erdhi nga një prej kundërshtarëve republikanë në fushatën e primareve për garën presidenciale. Firma kërkimore më pas punësoi një prej nën-kontraktorëve të saj që përdor zakonisht për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me gjëra ruse; një ish zyrtar europiano-perëndimor i kundër-zbulimit, me një histori të gjatë hetimore në botën plot hije të Moskës mbushur me mashtrues dhe burokratë të shërbimeve të sigurisë.
Në kohën që kontraktori nisi kërkimin e tij, sidoqoftë, primaret republikane kishin mbaruar. Klienti original ishte tërhequr, por firma që ai kishte punësuar kishte gjetur një klient të ri, tashmë demokrat. Kjo nuk ishte e rëndësishme për fushatën e Hillari Klintonit apo për Komitetin Kombëtar të demokratëve. Kërkimi opozitar financohet vazhdimisht nga individë të pasur që kanë dhënë donacione të shumta dhe kërkojnë edhe rrugë të tjera për të ndihmuar kandidatët e tyre.
Deri në korrik, kontraktori i kundër-zbulimit kishte mbledhur një sasi të konsiderueshme materialesh bazuar në burime ruse me të cilat kishte marrëdhënie besimi prej vitesh – jo vetëm në Moskë, por edhe mes oligarkëve që jetojnë në perëndim. Ai dërgoi raportin e tij, por rëndësia e madhe e përmbajtjes peshonte mbi të. Nëse dyshimet do të ishin reale, pasojat e tyre do të ishin të jashtëzakonshme.
Ai dërgoi një raport tek ish-kolegët e FBI-së, ku divizioni i kundër-zbulimit do të ishte trupa më e përshtatshme për të hetuar. Besohet se ai kaloi, gjithashtu, një kopje tek shërbimi sekret i vendit të vet, por ndjehej i kërcënuar nga fakti se çfarë veprimi mund të ndërmerrej dhe e la çështjen që amerikanët të kryenin vetë hetimin e tyre dhe të nxirrnin vetë përfundimet.
Ndërsa vera kaloi për të ardhur vjeshta, hetuesit iu kërkua më shumë informacion nga FBI, por nuk mori asnjë gjë shtesë për hetimin. Byroja dukej e fiksuar në vend të kësaj çështjeje, me jetimin e materialeve të klasifikuara që kishin dalë përmes serverit të email-it privat të Klintonit. Drejtori i FBI-së, James Comey, krijoi një vorbull 11 ditë përpara zgjedhjeve duke njoftuar se hetuesit e tij po shqyrtonin materialin e zbuluar.
Ish-zyrtari i inteligjencës, nga ana e tij, u shqetësua se kishte progres në hetime, por që mbaheshin të fshehta. Në një udhëtim në Nju Jork, në tetor, ai u bind t’ia tregonte historinë David Corn, redaktorit të Uashingtonit për “Mother Jones”, që së pari raportoi ekzistencën e materialit më 31 tetor.
FBI, gjithsesi, vijoi të refuzonte komentet për çështjen, pavarësisht raportimeve se kishte kërkuar e ndoshta edhe kishte marrë leje për hetim të mëtejshëm nga gjykata e mbikqyrjes së shërbimeve sekrete me jashtë.
Heshtja nuk ishte krejtësisht e habitshme. Divizioni i kundër-zbulimit në FBI, me seli në Uashington, është tepër i fshehtë, shumë më tepër sesa zyra në terren e Nju Jorkut, që ka lidhje të forta me ish-kryeprokurorin dhe kreun e bashkisë, Rudi Xhuliani që në atë kohë punonte për Trump. Kërcënimi i rrjedhjeve të të dhënave nga Nju Jorku për email-et e Klintonit nxiti Comey-n të bënte njoftimin surprizë të tetorit në këtë drejtim.
Më pas erdhi publikimi i dyshimeve të fshehta e shpërthyese por të paverifikuara për kontakte sekrete të Donald Trump me Moskën dhe se Rusia kishte materiale personale kompromentuese ndaj presidentit të zgjedhur.
Në mes të nëntorit, dokumentet kishin marrë një tjetër rrugë në Uashington e u përmendën edhe në raportimin e përbashkët të agjencive të sigurisë përpara presidentit Obama dhe atij të zgjedhur Trump. Më 18 nëntor, forumi i përvitshëm ndërkombëtar për Sigurinë Ndërkombëtare, Halifax u hap në qytetin kanadez, duke mbledhur bashkë zyrtarë në detyrë dhe ish-zyrtarë të sigurisë dhe të politikës së jashtme nga e gjithë bota.
Senatori John McCain, një figurë agresive e republikanëve, në këtë forum u njoh me një ish-diplomat të vjetër perëndimor që kishte parë dokumentete, e dinte burimin e tyre dhe mendonte se ishte i besueshëm. McCain vendosi se pasojat ishin mjaftueshëm alarmante sa të dërgonte një emisar të besuar, një ish-zyrtar amerikan, për të takuar burimin dhe zbuluar më shumë.
Emisari organizoi me nxitim një fluturim përtej oqeanit dhe u takua me burimin në aeroport. Media e di emrin e aeroportit dhe vendit ku ata u takuan, por mbetet e rezervuar. Takimi kishte një lloj atmosfere nga aktivitetet e luftës së ftohtë, pasi zyrtarit amerikan iu tha të kërkonte në aeroport një burrë që mbante një gazetë, Financial Times. Pasi e gjetën njëri-tjetrin, oficeri në pension i kundër-zbulimit e mori emisarin e McCain në shtëpinë e tij, ku ata diskutuan dokumentet dhe rrethanat.
Emisari u kthye brenda 24 orëve dhe i tregoi McCain dokumentet, duke thënë se ishte e vështirë në mos e pamundur të verikoheshin pa një hetim të përshtatshëm. McCain tha se hezitonte të përfshihej, pasi mund të shihej si një hakmarrje ndaj komenteve fyese që Trump kishte bërë ndaj tij gjatë fushatës së tij zhurmëmadhe.
Sidoqoftë, më 9 dhjetor, McCain organizoi një takim kokë më kokë me Comey-n e FBI-së, pa praninë e ndihmësve dhe i dorëzoi atij dokumentet.
“Pas shqyrtimit të përmbajtjes, dhe i paaftë të bëj një gjykim për saktësinë e tyre, e dërgova informacionin në drejtorinë e FBI-së. Kjo ka qenë përmbajtja e kontaktit tim me FBI-në apo me ndonjë agjenci tjetër qeveritare në lidhje me këtë çështje”, tha senatori në një deklaratë, mëngjesin e së mërkurës.
Nuk është e qartë se çfarë e bëri FBI-në të përfshinte edhe një përmbledhje të dokumenteve në informimin tejet të klasifikuar që zhvilloi për presidentin dhe presidentin e zgjedhur dhe stafet e tyre, përpara se byroja të kishte përfunduar hetimet. Mund të ketë qenë një masë mbrojtëse, për të provuar paanësinë se nuk ishte përfshirë në një sajesë, apo për shkak se hetuesit e saj besonin se dokumentet ishin të besueshme.
Cilido qoftë motivi, dokumentet dolën shpejt në media, së pari në CNN. Kjo nxiti një vendim kontrovers të BuzzFeed për të publikuar një version të paredaktuar të dokumenteve në faqen e saj të internetit. Nuk është e qartë se nga e ka burimin versioni i BuzzFeed. Autori i raportimeve ka qenë këmbëngulës në fshehjen e referencave për burimet e tij ruse në kopjet që i janë dhënë shtypit, për shkak të frikës për sigurinë e tyre. Versioni i paredaktuar mund të ketë ardhur nga klienti original, që porosity kërkimin, apo nga ndërmjetës midis nën-kontraktorit të shërbimeve sekrete dhe klientit.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/