Kreu demokrat Basha, siç i takon për nga pozicioni politik, është në një fushatë vetëpromovuese si kryeministër i ardhshëm, por për herë të parë në 30 vite pluralizëm, me rotacion normal pushtetesh, ajo çfarë ofron është një pabesueshmëri lehtësisht e lexueshme se vërtet ai mund t’ja rrëmbejë pushtetin Edi Ramës.
Sepse rasti e ka sjellë, ndryshe nga herët e tjera, që përballë të jenë, një lubi politike siç Edi Rama, me rekorde elektortale si asnjë figurë tjetër ndër vite, me Bashën pra, njeriun me pikëpyetjet më të mëdha në aftësinë politike, dhe me pothuajse asnjë rekord elektoral.
Jo vetëm kaq, por diferencat e tyre janë të thella në shumë aspekte, duke nisur që nga profili publik, historia e tyre personale, e padyshim dhe profili politik në fund.
E duke u ndalur te ky i fundit, nëse qasja ndaj tyre do ishte mbi avantazhet ndaj njëri tjetrit – në tre plane: vizionar, menaxherial e moral – ai që aspiron ta sfidojë – Basha në këtë rast – ende nuk është e qartë se në cilën prej tyre ka avantazh ndaj Ramës.
Nëse sheh artikulimin politik të kreut demokrat, në varfërinë monumentale që ka, veçon ajo që ai nuk potencon asnjë prej këtyre tre dimensioneve ndaj kundërshtarit. Pos kësaj, në intervista, falë një paaftësie po aq monumentale gazetareske për të bërë pyetje me thelb, ai as nuk pyetet se në cilën prej tyre ai ndjen se ka avantazh ndaj Ramës dhe cila është prova për to.
Nga ana tjetër, kreu i mazhorancës është vetëpromovuar e vijon të vetëpromovohet fuqishëm në të trija. Veçon në këtë, fakti që promovon fort dhe modele suksesi të qeverisjes së PS ndër vite, gjë që PD është ende larg kësaj. Kujtojmë se tre vite më parë, në fushatën e 2017-ës, Rama promovonte kryebashkiakë të PD-së si të aftë – në Tropojë, Bilisht e Përmet – ndërkohë që partia e tyre nuk e ka bërë kurrë një gjë të tillë.
Po le të ndalemi te plani moral, që është dhe më i ndjeshmi. Ku është avantazhi i Bashës ndaj Ramës në këtë pikë? Basha, me një gjuhë tipie berishiste, i lëshohet kundërshtarit të tij me aso akuzash ku ka dhe vetë përlyerje. Ai mjaftohet, në një artikulim naiv, të thotë se po erdhi në pushtet “nuk do jetë ashtu”, por pa afruar asnjë koletaral besueshmërie.
Cili do ishte ky koleteral?
Një lajm i tillë: “Basha vendos: dua gjykim për Rrugën e Kombit dhe 21 Janarin”
“Unë Lulzim Basha, vendos sot t’i ofrojë një standart politikës shqiptare, atë të provuarit të pastërtisë nga çdo akuzë, para se të rend drejt pushtetit. Nëse një politikan e aspiron atë, por rreth tij ka dyshime, pra akuza, të cilat duhen provuar, kjo nuk do i jepte legjitimitet moral.
Ndaj, për të provuar se kam të drejtë legjitime të kërkoj qeverisjen, vendos që provojë, në rrugë gjyqësore, pastërtinë time. Për këtë, zgjedh dy akuza që rëndojnë ndaj meje në vite: atë që thotë se kam abuzuar financiarisht me Rrugën e Kombit e atë mbi 21 Janarin”.
Kështu, që sot e tutje, falë këtij standarti, politika shqiptare duhet të marrë një tjetër rrjedhë; atë të legjitimitetit moral të atyre që qeverisin apo që duan të qeverisin, duke u pastruar me verdikt gjyqësor. Ftoj dhe kundërshtarë të mij të bëjnë të njëjtën gjë”.
Ja, kjo do ishte ajo që do i jepte avantazh Bashës ndaj Ramës, e mbi të gjitha do i jepte kreut demokrat atributin e munguar të një gjurmëlënësi në politikë; për të qenë nga emër në histori.
E bën dot?
Nëse jo, vjen një pyetje thelbësore për t’ju bërë: për ç’avantazh apo ç’legjitimitet e kërkon pushtetin? Vizionar, menaxherial apo moral? E të trija këto, nëse te Rama janë në diskutim, te Basha përballë Ramës s’ka asgjë për t’u diskutuar! /tesheshi.com/