Kreu i diplomacisë së Tiranës, Ditmir Bushati, e ka quajtur “Rrugë e gabuar, kurs i gabuar” atë që po ndodh me politikën zyrtare maqedonase, më konkretisht refuzimin e presidentit Ivanov për t’i dhënë mandatin e formimit të qeverisë së re, Zoran Zaevit, pas pranimit prej këtij të fundit të kushteve shqiptare.
“Shqiptarët e Maqedonisë janë popullësi shtetformuese dhe në këtë kontekst, frika për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të barabartë, më solide, në përputhje me respektimin e vlerave europiane mbi të cilat qëndron Maqedonia si shtet është një rrugë e gabuar dhe një kurs i gabuar”, ka thënë Bushati.
Deklarimet e ministrit të Jashtëm u bënë nga Athina, ku ai ndodhet për një vizitë zyrtare, pra nga një tjetër shtet që ka probleme me Shkupin zyrtar për shkak të emrit.
Bushati tha se shqiptarët historikisht kanë qenë një faktor shtetformues në Maqedoni, e se për këtë arsye duhen respektuar në të drejtat e tyre.
“Ne kemi qenë të përfshirë në mënyrë principale sa i takon gjithë ecurisë së shtetndërtimit demokratik të Maqedonisë, që nga njohja si shtet i pavarur dhe deri tek mbajtja hapur e çdo kanali komunikimi me faktorin politik, sidomos me faktorin politik shqiptar për të nxitur një kohezion më të madh, që në të vërtetë ka si rezultat një Maqedoni multietnike që orientohet drejt vlerave euro-atlantike”, ka theksuar Bushati. /tesheshi.com/