Britanikja The Independent merr në analizë qëndrimin e Donald Trump-it pas një sulmi terrorist ndaj një xhamie në Londër, e pas vrasjes së një muslimaneje në SHBA.
The Independent u bën vend kritikave ndaj presidentit amerikan pas heshtjes të pazakontë të tij, ndryshe nga çfarë ka ndodhur më herët, kur ai ka reguar shpejt pas akteve terroriste të kryera nga njerëz të pretenduar se janë muslimanë.
“Donald Trump nuk i ka kushtuar vëmendje personalisht sulmit mbi anëtarët e një xhamie në Londër dhe vrasjes së një adoleshenteje muslimane në Virxhinia, duke i nxitur kritikët ta sulmojnë heshtjen e tij,” shkruan The Independent.
“Kritikët e presidentit thonë se ndërsa ai është i shpejtë shpesh në dënimin e akteve të terrorizmit të kryera nga muslimanët, reagimi i tij ndaj terrorizmit të kryer nga të bardhët është gjithçka, por jo i shpejtë,” vijon britanikja.
Në analizën për reagimin e Trump-it citohet një editorial i Washington Post-it, ku shqyrtohet shpejtësia me të cilën presidenti amerikan është sjellë në raste të ngjashme në të shkuarën, për sulmet terroriste.
“Ai ka shkruar në Twitter tre orë e gjysmë pas sulmit të Parisit në nëntor të 2015-s, rreth 90 minuta pas San Bernardinos, sulmit të Kalifornisë, dhe më pak se 12 orë pasi një avion i EgyptAir humbi nga radari në 2016-n… Trump ‘cicëroi’ për sulmin në urën e Londrës më herët gjatë këtij muaji përpara se autoritetet ta kishin identifikuar madje sulmin si terrorizëm,” lexohet në The Independent.
Heshtja e Trump-it bëhet akoma më e dukshme kur, pak pas sulmit në Finsbury Park, një muslimane 17-vjeçare gjendet e vdekur në Virxhinia, e goditur për vdekje.
“Asgjë nga Trump-i,” shkruan autori dhe aktivisti Shaun King.
“[Ai] priret përgjithësisht të mos e vrasë mendjen kur të bardhë vrasin apo gjymtojnë njerëz, veçanërisht nëse vrasin muslimanë,” thuhet po ashtu prej tij.
Drejtuesja e një organizmi jofitimprurës, Amy Siskind, pyet kësisoj në Twitter: “A priste ndonjë që Trump-i ta dënonte aktin terrorist në Londër?”
“A do të flisni ndonjëherë për Nabra-n, të goditur për vdekje vetëm 20 milje larg Shtëpisë së Bardhë,” është një pyetje tjetër në të njëjtin rrjet social.
“A shkroi në Twitter Trump-i apo ndonjë prej bijve a bijave të tij për sulmin në Finsbury Park dhe për Nabra-n? Thjesht pyetje!”, pasojnë kritikat në formë pyetjesh.
“Ndonjë koment mbi vrasjen brutale të kësaj adoleshenteje muslimane ndërsa kthehej në këmbë për nga xhamia e saj në Virxhinia? Emri i saj është Nabra.”
Me këtë reagim, The Independent e sjell në fund raportimin mbi kritikat ndaj Trump-it për heshtjen ndaj sulmit terrorist në kryeqytetin britanik dhe ndaj vrasjes së vajzës së re muslimane në Virxhinia, duke kujtuar se ai nuk ka folur personalisht deri tani për asnjë prej këtyre ngjarjeve. /tesheshi.com/