Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar ditën e sotme se kontinenti ynë nuk do të jetë i bashkuar dhe i kompletuar pa Kosovën si pjesë të saj. Kjo deklaratë vjen përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Për Thaçin, afrimi dhe lidhja mes qytetarëve dhe bizneseve është interes i përbashkët strategjik i Kosovës dhe Bashkimit Europian, si aktor global dhe forcë transformuese.
“Ndërtimi i urave dhe forcimi i komunikimit mes komuniteteve tona të ndryshme, sipas parimit “të bashkuar në diversitet”, kontribuon në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, në forcimin e paqes dhe stabilitetit në tërë Europën”, – shkruan Thaçi.
Sipas Presidentit, liberalizimi i vizave do të hapë perspektivë dhe mundësi të reja bashkëpunimi dhe afrimi si dhe do të na mundësojë të përfitojmë më shumë nga MSA-ja dhe instrumente të tjera të cilat ofron ky rrugëtim.
Hashim Thaçi shpreh bindjen se puna dhe përkushtimi serioz në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave do të vlerësohet në mënyrë afirmative dhe do të pikë-takohet me vullnetin e shteteve anëtare të BE-së, duke përmbyllur kështu këtë proces në mënyrë meritore dhe duke rilindur ndjenjën e përkatësisë për qytetarët e Kosovës, si europianët e rinj. /tesheshi.com/